Minutat e para të kësaj jave shënuan një nga sulmet më tronditëse në historinë e Shqipërisë ndaj një mediaje. Në orën 00:40 një automjet Range Rover kalon në rrugën kryesore të Mëzezit në zonën e Kasharit, në periferi të Tiranës, dhe 3 persona, 1 prej tyre në rolin e shoferit dhe 2 në rolin e qitësave, zbrazin plot 25 plumba mbi godinën e Top Channel.
Një prej plumbave për fat të keq kap rojen e sigurisë, i cili humb jetën në krye të detyrës. Teksa ngrohej në kabinën e tij, një plumb rikoshet e godet. I plagosur rëndë del nga kabina për të kërkuar ndihmë por vetëm pak metra duke u zvarritur dhe rrëzohet duke humbur kështu jetën.
I konsideruar nga gazetarët, policia dhe krerët e shtetit si një sulm terrorist me 1 të vdekur, ky akt kriminal përbën një nga sulmet më të egra ndaj medias në historinë e demokracisë shqiptare.
Një 60-vjeçar i pafajshëm me vetëm 5 lekë në xhep, që punonte turnin e natës për bukën e gojës prej 6 muajsh në televizionin në fjalë, i cili çdo ditë bënte rrugën nga Sharra në Kashar në këmbë për të kursyer lekët e autobusit, ra kurban i një sulmi pas të cilit nuk dihet se çfarë interesash fshihen.
Sulmi barbar mbi redaksinë qendrore të Top Channel, nuk është i rrezikshëm vetëm se mori jetën e një njeriu të pafajshëm dhe rrezikoi dhjetëra të tjerë.Sulmi është barbar, pasi më shumë se sa një njeri të vuajtur, ka vrarë frikën për të sulmuar televizionin më të madh në vend, dhe vjen nga bota e krimit
Gjatë periudhës së demokracisë në Shqipëri, ky nuk është sulmi i vetëm ndaj shtypit të lirë. Përmendim sulmin e 14 shtatorit 1998 kur u sulmua Radio Televizioni Shqiptar nga mbështetës të opozitës së asaj kohe duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Nano.
Po ashtu në datë 3 mars të vitit 1997 pushteti i asaj kohe dogji redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Në historinë e medias shqiptare, kjo ngjarje është nga ditët më të zeza të shtypit të shkruar.
Megjithatë gazetarët e vjetër janë të një mendjeje që sulmi i bërë 2 ditë më parë ka qenë më barbari.
Banditët që kanë qëlluar ndaj Top Channel nuk kanë pasur frikë por përkundrazi kanë pasur kurajë të qëllojnë haptazi duke vrarë dhe një qytetar të pafajshëm. Dhe ata janë anonimë derisa të zbulohen. Ne nuk dimë se ku do ndalet tani frymëzimi i tyre për t’i mbyllur gojën shtypit me armë.
Ndaj sulmi ndaj Top Channelit, është më i rrezikshmi, më barbari, dhe mbi të gjitha frikësues për të ardhmen e lirisë së shtypit në një vend, ku tani banditëve u ka dalë frika të ngrejnë armët dhe ndaj një redaksie.