Mbledhja në Këshillin e Sigurimit në OKB ishte shansi i artë i Ramës për të shkelur në SHBA pas skandalit me ish-kryeagjentin e FBI-së, Charls McGonigal, por shkoi me shumë pretendime dhe u kthye pa ia arritur qëllimit personal. Gjithashtu kuptoi se erërat e skutave të errëta të lobimeve edhe aty në Amerikë po fryjnë në favor të kryebashkiakut të Tiranës, një rival i heshtur që fle në folezën e Tiranës dhe është gati të kafshoje dhe lëshojë “helmin” për të marrë drejtimin e partisë.
Shqipërisë nuk mund t’i vijë mundësia për të drejtuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së aq shpesh sa vendet e tjera, por ky rast i artë për vendin u kthye në një tallava politike personale e Ramës, që gjithsesi as ai nuk qëlloi në asgjë. Rama erdhi me disa batuta të lëshuara me ambasadorin rus në OKB, që vlejtën për militantët në kafenetë ku pihet shumë raki dhe flitet për “fuqitë e mëdha”.
Pritej të miratohej një rezolutë ku të dënohej sulmi i Rusisë mbi Ukrainën dhe të trajtoheshin çështje të tjera më rëndësi, por në fakt asnjë rezolutë nuk kaloi. Gjithçka i ngjau një mbledhje ku dihej si do ishin qëndrimet dhe si do të mbyllej. Një dështim që mund të mos lidhet me Shqipërinë si kryesuese e Këshillit të Sigurimit në OKB, por gjithsesi nuk iu la asgjë në duar Ramës që të hartonte e më pas shtronte për miratim një rezolutë. Nga ana tjetër, Rama tentoi të shfrytëzonte këtë mundësi për propagandën personale, që ndryshe nga herët e tjera as që i eci në atë hulli që donte ai.
Kush e priti Ramën në SHBA? Me cilin bisedoi qoftë edhe për pak sekonda sa lukunia e “piaristëve të tij” të shkrehte një foto? Kryeministri ynë nuk u prit në SHBA nga asnjë personalitet i vendit, ky është fakti që dhemb më shumë dhe nuk e mbulon asnjë spektakël personal që iu shuan nën këmbët dhe u shkelën nga “këpucët ortopedike”. I vetmi takim që pati ishte me ish-ambasadoren shqiptare në Tiranë Yuri Kim. Një çmallje më shumë që mund të kenë kujtuar “kohët e vjetra” kur planet e errëta në zyrën e kryeministrit mes personit A, B, Ramës dhe McGonigal noterizoheshin në heshtje edhe nga selia e Rrugës së Elbasanit me në krye Kim.
Fakti që Rama nuk u përfshi në agjendën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, ishte një tregues fort i madh i cili i ka mesazhet brenda, pa bërë asnjë interpretim të thellë. Gjithashtu as mund të mendohej se si kryesues i Këshillit të Sigurimit në OKB t’i qasej qoftë edhe në distancë presidentit Joe Biden. As edhe një foto me ta që do të shërbente si shpëlarje e lehtë e “faqes së zezë” që përmendet 14 herë në aktakuzën e ngritur nga sharlatani kryeagjent që bleu jo vetëm një kryeministër, por gjithë tarafin, përfshi edhe Safet “oralsin”.
Për të kuptuar politikën Amerikane mjafton që të ndjekësh “lajmet kryesore” edhe në Zërin e Amerikës. Si traditë e kahershme kjo media e rëndësishme zhvillon intervista me personaletete shqiptare që për vizita pune janë në SHBA. Edhe tek “Zëri i Amerikës” Rama u refuzua pavarësisht tentativave për të pasur qoftë edhe pesë minuta intervistë në këmbë.
Treguesit janë ashiqare që kryeministri ynë ka humbur çdo kredencial politik në SHBA. Shkaku kryesor është çështja McGonigal, ish-kryeagjenti i FBI-së i akuzuar për korrupsion, ndikim të paligjshëm dhe lidhje me oligarkët rusë. Akuzat për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm lidhen pikërisht me kryeministrin Rama dhe aferat e kryeagjentit të FBI-së në Shqipëri. Kjo nuk është pak, madje është më shumë se shumë dhe një njeri i sprovuar si i paqëndrueshëm dhe që “bleu” një zyrtar të lartë të sigurisë të korruptuar duhet ndërruar…
Kjo çështje nuk mund të harrohet lehtë dhe për më tepër SHBA bën disa llogari të thjeshta që kush mund të jetë “interlekutori” i mundshëm i së ardhmes në Shqipëri, përfaqësues i së majtës në pushtet sot, apo opozitë nesër.
Në delegacionin e nisur nga Shqipëria përveç “Grupit Kryeministror” dhe “Grupit Presidencial”, ishte edhe “Grupi i Tiranës”, që përfaqësohet nga Erion Veliaj. Takime më të shumta pati Veliaj, madje ne hierarkinë e postit nuk kishte ku të shkonte më tepër sesa takimi me kryebashkiakun e Nju Jorkut. Po ashtu shfrytëzoi çdo rast për propagandën personale për të ardhur si triumfator në kryeqytet, jo si “qytetar i parë” i Tiranës, por si një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar sa më shpejt të sanksionuarin jo zyrtarisht si “I pabesueshëm”; “i paqëndrueshëm” dhe në rrezik për të korruptuar zyrtarët e saj. Paradosalisht personi i refuzuar është ustai i Veliajt. Por për pushtet Rilindaj ka treguar se jo vetëm e vret “babin politik” por edhe “eshtrat” ia hedh në lumë.
Kjo ishte vizita që Rama nuk do të dëshironte kurrë të përfundonte në këtë mënyrë. Në SHBA mund të shkojë sërish, por si një “pazarxhi” që gjëmon bluzat firmato dhe dyqanet e bojërave për të krijuar pikturën haluçinative që gjithsesi nuk mund të kushtojë 250 mijë dollarë, aq sa personi A i afërt me kryeministrin Rama, i dha McGonigalit për të groposur opozitën shqiptare. Tashmë miku i vetëm i Ramës në SHBA mbetet McGonigal, personi që rrezikon të mbyllë sytë në burg për akuzën e korrupsionit, influencës së paligjshme dhe lidhjeve me oligarkët rusë.