Një nga emisionet me peshë të aktualitetit në bregun përballë, “Piazza Pulita”, në televizionin La7, kishte sjellë kamerat në Shëngjin, Gjadër dhe Tiranë, në një reportazh që i kushtohej marrëveshjes Rama-Meloni. Ndonëse në politikat editorale të këtij televizioni, që anon nga qendra e majtë, ze një vend të madh kritika ndaj ideologjisë ekstremiste të “vëllezërve” të Georgia Melonit, ajo që të binte, në sy, në materialin e përgatitur, qe një gjë në kufijtë e mungesës se profesionalizmit elementar gazetaresk. Aty nuk dëgjohej askush që ishte pro protokollit të nënshkruar mes dy kryeministrave. Në të kundërt, kori i zërave “anti” nuk kishte të sosur.
Një peshkatar nga Shëngjini dhe një qytetare nga Lezha, deklaronin se nuk e pëlqenin ardhjen e refugjatëve afrikanë. Madje si rrallëherë në këto kohë, një vend i konsiderueshëm i jepej liderit non grata të opozitës, për të shprehur rezervat e tij për ligjshmërinë e paktit. Pra, thënë shkurt, “Migranti, accordo Meloni-Rama: il reportage dall’Albania”, ishte një vështrim kritik. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Prej datës 6 nëntor mediat përtej Adriatikut janë mbushur me tituj të ngjashëm: “Një Guantanamo në Shqipëri”. “Një shkelje e ligjeve të BE për emigracionin”. “Kontratë për importimin e qënieve njerëzore”. Edi Rama është përshkruar si një sharlatan i së majtës që për interesat e veta personale arrin deri aty sa të bëhet bashkëpuntor me të djathtën ekstreme.
Aleatët italianë, në Partitë Socialiste Evropiane, imagjinuan deri dhe kërkesën për përjashtimin e partisë së kryesuar prej tij. Ndërsa organizatat e mbrojtjes të të drejtave të njeriut kanë ngritur pikpyetje lidhur me garancitë që jep Shqipëria, si një vend i sigurtë për të drejtën e azilit.
Pra, po të bëhet një bilanc paraprak, i jehonës që ka pasur, këto dy javë, protokolli që Edi Rama e nënshkroi thjeshtë për të përfituar më tepër mbështetje ndërkombëtare për vete, ajo rezulton më shumë negative. Rama donte ti bënte një qokë të paharueshme Melonit, por bashkë me të hodhi mbi vete dhe regjimin e tij prozhektorët e kundërshtarëve të kësaj marrëveshje.