Do të mjaftonte vetëm një pohim me kokë, që dëshmia e Arben Ahmetajt të trondiste pushtetet. Nëse thjesht do të pohonte me një lëvizje vertikale të kokës se kanabizimi ishte një projekt qeveritar i drejtuar nga Edi Rama, ku Saimir Tahiri u përdor si kokë turku, do të mjaftonte që të përmbysej gjithçka që Drejtësia ka bërë deri tani dhe të rihapej, ose më saktë të hapej më në fund çështja. Por Ahmetaj bëri më shumë se kaq, ai denoncoi Kryeministrin si ideator dhe zbatues ndërsa Saimir Tahirin e quajti “djalin që bëri burg kot”.
Nëse thjesht do të pohonte me kokë se afera e Inceneratorit të Tiranës është ideuar dhe drejtuar nga Edi Rama, duke përdorur këtë herë Erion Veliajn, përsëri do të përmbysej gjithçka është bërë deri tani. Njësoj edhe për Elbasanin dhe Fierin, për të cilët janë dhënë dënimet, pa u prekur ata që urdhëruan 17 firma ministrash për 1 orë. Ahmetaj bëri më shumë se pohimi, ai deklaroi se po të hapet dosja e inceneratorit të Tiranës, “do të llahtarisen shqiptarët”, se përfshirja është “deri në nivelin maksimal të qeverisjes” dhe e akuzoi prokurorët e SPAK: “Duan të më të dënojmë mua, për t’i vënë kapakun, pa e hetuar aferën dhe procedurën”.
Ish-bashkëpunëtori më i afërt i Kryeministrit, deklaroi publikisht se aferat më të mëdha, nuk janë “mollë dhe dardha” të konsumuara mbrapa krahëve të Edi Ramës, por asete të mëdha, që Edi Rama i ka futur në xhep nëpërmjet atyre që i akuzon se kanë ngrënë mollë dhe dardha.
Ahmetaj nuk tha asgjë të re përveçse pohoi aferat e qeverisjes, të paktën që nga viti 2016, kur bëri kanabizimin e vendit. Ajo e inceneratorëve, e treguar nga një njeri i brendshëm, me shumë pushtet, duket si historia e një bande kriminale, që prej 8 vjetësh pasurohet nga plehrat dhe vazhdon ta bëjë këtë, me paratë e qytetarëve. Zbulon se nuk ka asnjë plan të vijë ndonjë incenerator në Tiranës dhe se 80 mijë euro në ditë, ose rreth 60 milionë euro deri tani, populli më i varfër në Europë, i paguan për një dorë mashtruesish në parajsa fiskale, ndërsa Drejtësia po mundohet ta mbyllë llogarinë me konfiskime pronash që kanë vlerën e një ditë pagesë. Nëse SPAK do të kishte hetuar procedurën e ndjekur për Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, nëse do ta bënte këtë edhe në Tiranë, do të arrinte aty ku merren vendimet që kontrata të vazhdojë dhe dëmi ditor prej 80 mijë eurosh të ekzekutohet rregullisht.
Mënyra se si qeveris Rama “përpara një pjate me qofte, duke falur asetet e vendit”, nuk ishte imagjinuar aq banale sa e përshkroi ish-zëvendësi i tij. Jo për qoftet, por për respektin minimal për ligjin. Vërtetë biznesmenëve që ka emëruar u ka dhënë dhe vazhdon tu japë asetet publike falas, por në vend të pjatës me qofte, mendohej një laptop, me ndonjë propozim të pakërkuar brenda dhe me stafe juristësh dhe financierësh që, edhe pse në rrugë informale, shpjegonin arsyet e kërkesës.
Si dëshmitar okular, Ahmetaj e zëvendësoi fantazinë e një qeverisjeje të korruptuar deri në palcë, me realitetin e një bande që korrupton në vend të korruptohet, e një Kryeministri që i ideon, i urdhëron dhe pastaj i përvetëson vetë, nëpërmjet një grupi bedelësh-biznesmenë, pasuritë publike të vendit. Nëse Rama dikur thoshte: “Ata që më njohin nga afër e dinë raportin tim me paratë”, kjo dëshmi e ish-bashkëpunëtorit të tij më të afërt për 9 vjet, vlen për të kuptuar këtë raport.
Çfarë duhet të ndodhte pas kësaj dëshmie rrënqethëse që tregon se publiku është viktimë e pambrojtur e plaçkitjes? Duhet të ngrihej shoqëria civile të protestonte deri në rrëzimin e qeverisë? Kjo nuk ndodhi as në rrjetet sociale. Duhet të ngrihet opozita ta plotësojë këtë mungesë? As kjo nuk ndodhi. Apo duhet që SPAK të ngrejë në një shkallë më të lartë revolucionin e bekuar nga ndërkombëtarët? As kjo nuk do ndodhë. Nëse për publikun dëshmia e Ahmetajt ishte ndihmuese për të konfirmuar dyshimet e panumërta, prokurorët specialë kanë mijëra dëshmi dhe dokumente, mbi të cilat mund ta kishin ngritur revolucionin, pa e shpallur nëpër media.
E vetmja gjë e sigurtë pas intervistës, është që më shumë njerëz do ikin nga sytë-këmbët, për të shpëtuar veten dhe për ta lënë pasurinë e vendit në duart e grabitësve të pamposhtur.