Të gjithëve na kujtohet nata e errët e 8 dhjetorit të vitit 2020. Në datën simbol të rinisë, 25-vjeçari Klodian Rasha u ekzekutua me armë zjarri nga efektivi i repartit “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, teksa kishte dalë gjatë orës së karantinës për të blerë cigare në zonën e Laprakës.
Duket se që prej atij momenti, “Shqiponjat” e kanë humbur funksionin e saj që kur ky repart u krijua në vitin 2000 dhe në vitet e fundit po përfundon në një strukturë që nuk ka asnjë përafërsi me njësitë në vendet Europiane, madje për fatin e keq as nga repartet e tjera brenda Policisë së Shtetit.
“Të fortët” me automjetet luksoze me xhama të zinj, vazhdojnë t’i bëjnë karshillëk efektivëve të “Shqiponjave”, duke kaluar para hundëve të tyre dhe ata nuk iu bëjnë dot asgjë. Po ashtu, atentatet dhe krimet vazhdojnë të regjistrohen dhe Policia mbledh vetëm gëzhojat, pasi “Shqiponjat” janë të paafta për t’i parandaluar ato.
Nisur nga kjo situatë, “Shqiponjat” kanë kthyer “kthetrat” drejt qytetarëve të thjeshtë. E vetmja gjë që i ka mbetur janë gjobat ndaj automjeteve në rrugicat mes pallateve. Duket se këtë gjë ata e bëjnë më së miri!
Padyshim që në radhët e “Shqiponjave”, mund të ketë edhe efektivë që janë të ndershëm, por fryma që ka ky grup tregon më së paku mungesën e aftësive dhe sjelljes arrogante.
Do të ishte më i vlefshëm një propozim për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, që struktura e “Shqiponjave” t’i ndryshohej emri dhe t’i vendosej “Reparti i Gjobave”. Kjo edhe për faktin se efektivët e “Shqiponjave” kanë urdhër nga shefat e tyre që çdo patrullë të vendosë nga 10 gjoba në turn.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku duhet të merret seriozisht me këtë strukturë, e cila është kthyer vetëm në një njësi gjobëvënëse në kundërshtim me çdo rregullore të Policisë së Shtetit.
Këtu po flasim vetëm për pjesën e gjobave që vendosin ndaj automjeteve të qytetarëve në cepat e pallateve, pa përmendur rastet kur tregonin forcën me qytetarët e pambrojtur për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, si në shesh, por edhe gjatë momenteve të shoqërimit, kur kemi parë dhe rastet e vendosjes së kambales mbi fytyrë