Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, ka bërë një tjetër denoncim të fortë ndaj qeverisë. Në një deklaratë nga selia blu, Vangjeli akuzoi ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për përfitime të paligjshme nëpërmjet një kompanie të regjistruar në emër të nënës së tij, 70-vjeçare.
Sipas të dhënave të bëra publike, nëna e ministrit rezulton pronare e shoqërisë “Veba 45” shpk, me aktivitet të deklaruar si administrim parkimi dhe lavazh automjetesh pranë Hotel Rogner në Tiranë. Administrimi i kompanisë, ndërkohë, është në dorë të vëllait të ministrit, Darling Hoxha, i cili njëkohësisht mban edhe postin e Drejtorit Rajonal të OSSH Tiranë.
Ky subjekt, siç denoncon PD, është përfshirë në procedura tenderimi me institucione publike ku ministri Hoxha ka pasur ndikim ose lidhje pune, duke përfituar fonde nga një sërë agjencish shtetërore, si Inspektorati i Punës, Drejtoria e Tatimeve, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Drejtoria e Burgjeve, Drejtoria e Ujësjellësit, e të tjera.
Në qendër të skandalit është një tender i fundit për larjen e makinave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku për shërbimin e larjes së një automjeti parashikohej një shpenzim prej rreth 10 mijë eurosh në muaj. Dokumentet e tenderit duket se ishin përshtatur posaçërisht për lavazhin e familjes Hoxha, një skemë e dyshimtë e cila, pas denoncimit publik nga lideri i opozitës, Sali Berisha, çoi në anulimin e procedurës nga MIE, nën pretendimin e “gabimeve dhe mangësive” në dokumentacion.
“Si shumë ministra të tjerë të kësaj qeverie që sot janë ose nën hetim ose pas hekurave, edhe Ervin Hoxha ndjek të njëjtin model për të zhvatur fondet publike, duke përdorur njerëzit e afërt për të fshehur përfitimet”, theksoi Vangjeli.
PD kërkon nga SPAK nisjen e hetimeve të menjëhershme, për të zbardhur këtë rast të dyshuar të konfliktit të interesit dhe shpërdorimit të detyrës.
“Askund në këtë vend nuk ka mbetur një centimetër katror pa u vënë nën lakminë e këtyre qeveritarëve, nga deti në male, nga kulla në lavazhe,” përfundoi deklaratën Partia Demokratike.
