Në vitin 2004, pedagogët në thuajse të gjitha universitetet e vendit dolën në protestë për të kërkuar rritje page. Kjo u arrit, pas tre javësh nga reagimi i tyre, ku qeveria e asaj kohe me kryeministër Fatos Nanon, ngritën një grup pune për të ndërmjetësuar me akademikët e pakënaqur. Paga asokohe u rrit, po në të njëjtën linjë vijoi deri në fillim të këtij viti. Akademikët në shtator të 2022 u ngritën sërish në protestë. Ishte një thirrje e ardhur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, ku në një podium të ngritur u prezantuan 10 kërkesat që ishin:
1- Të rritet buxheti për Arsimin e Lartë në masën 1% te PPB nga e cila 0.3% PPB të destinohet për kërkimin shkencor.
2-Të vlerësohet puna e pedagogëve shqiptarë me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë.
3-Pagesat e tarifave të shkollimit të studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë se tarifat e studentëve në Kosovë.
4- Stafi ndihmës-akademik dhe administrata e universitetit, ashtu si dhe pedagogët, të përfshihen në rritjen e rrogave nga të ardhurat dytësore, si kontribues në krijimin e këtyre të ardhurave.
5- Në faqet WEB të universiteteve, të bëhet transparenca e plotë, deri në nivel departamenti, për te ardhurat dhe shpenzimet në universitete.
6-Të mbrohet me çdo kusht Autonomia Universitare si arritje madhore dhe të luftohet tendenca e instalimit te Autokracisë në Universitete.
7-Të forcohet pjesëmarrja në vendim-marrje e stafit akademik, nëpërmjet krijimit të Këshillave Shkencore të Fakulteteve, pasi aktualisht në universitetet publike nuk ekzistojnë organizma të tilla kolegjiale vendim-marrëse, ndërkohë që roli i asambleve akademike është i zbehur dhe gati inekzistent.
8- Ftojmë Autoritetet drejtuese dhe anëtarët e senateve akademike të largohen nga pozicioni i vëzhguesit, sepse janë të zgjedhur nga stafet akademike, dhe të solidarizohen me pedagoget e studentët për realizimin e plotë dhe sa me të shpejtë të këtyre kërkesave pa dëmtuar procesin mësimor.
9-Ftojmë studentët t’i bashkohen Lëvizjes së pedagogeve për Reformimin e Universiteteve, duke mbështetur dhe kërkesat e tyre, si një kauzë e përbashkët në të mirë të Arsimit Kombëtar.
10-Nga ana e profesoratit dhe stafit akademik do të funksionojë Forumi Akademik për Reformimin Universitar.
Nga kërkesat, më imediate sipas pedagogëve ishte rritja e pagave me 50% në dy vite akademike dhe shtimi i buxhetit në kërkim shkencor. Mirëpo kërkesat e tyre ende nuk janë plotësuar. Kryeministri Rama njoftoi shtimin e pagave në nivelin 15%, e pamjaftueshme kjo për akademikët, që sipas tyre, është ende larg pagave që përfitojnë kolegët e tyre në Rajon. Pas disa protestave seri në muajt tetor-nëntor, pedagogët u mblodhën sërish, ku njoftuan protestën e radhës kombëtare më 22 shkurt 2022. Rritja e pagave dhe shtimi i buxhetit për kërkim shkencor mbeten ende kërkesat kryesore të tyre. Ata duket se hoqën dorë nga ideja për të bojkotuar provimet, e artikuluar kjo prej tyre në protestat e mëparshme.
Po sa paguhen pedagogët në Shqipëri dhe sa është kjo shumë në Kosovë?
Pedagogu i Universitetit të Prishtinës, Fitim Humolli, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se paga bruto e një akademiku atje arrin në 1429 eruo. Profesori i asociuar e ka pagën 1283 euro, profesori asistent 1137 euro, asistentët e rinj 770 euro, një asistent me master shkencor merr 772 euro. Ndërsa në Shqipëri, paga e një rektori ishte 129.500 dhe me rritjen prej 15% është bërë 148.925, e një profesori ka qenë 108.000 dhe është bërë 118.100, e një profesori të asociuar, nga 94.000 është bërë 1.08.110 e një lektori të parë nga 80.600 është bërë në 92.960 dhe e një lektori kërkues, nga 65.500 është bërë në 75.325 lekë. Pra, pedagogët thonë se edhe me rritjen e pagave në nivelin 15% ndihen larg standardeve që kanë kolegët e tyre në Rajon. Pa rritje pagash, artikulojnë ata, s’mund të ketë një arsim cilësor. Studentët nga ana tjetër duket se nuk i mbështesin akademikët. Ata thonë se pedagogët nuk i mbështetën në protestat e tyre në dhjetor të 2018, ndërsa as ata nuk do i ofrojnë mbështetjen kësaj here, edhe pse studentët po hasin vështirësi në marrjen e bursave mujore dhe numri i degëve të mbyllura, por edhe personave që kanë zgjedhur të kryejnë studime në Shqipëri është në rënie të lirë. Në harkun kohor të 8 viteve, nga të dhënat e publikuara prej INSTAT, vihet re se janë 50 mijë studentë më pak. Vitin akademik 2022-2023, e kanë nisur 124 mijë të rinj, ndërsa kjo shifër në vitin 2014, ka qenë 174 mijë.