Mjeku Pëllumb Pipero është shtruar me urgjencë në spital. Burime jozyrtare bëjnë me dije se ai ka pësuar goditje në tru.
Nuk dihet me siguri gjendja e tij por raportohet se nuk është fort e mirë. Në urgjencën e Tiranës janë parë lëvizje të shumta të kolegëve të tij mjekë për t’i dhënë ndihmën e parë.
Burime për Gazeta Telegram raportojnë se ai ka mpirje të trupit dhe humbje të vetëdijes.
Doktori po vijon kurimin në spitalin publik QSUT “Nënë Tereza”. Pëllumb Pipero u bë i njohur për publikun shqiptar gjatë pandemisë COVID, me rolin e kontributin e tij që dha si infeksionist për informimin e qytetarëve.
Me daljet e tij të shpeshta publike në studiot televizive, doktor Pëllumb Pipero u kthye në imazhin publik të luftës që qindra mjekë dhe infermierë po bëjnë kundër COVID-19.
Kush është Pëllumb Pipero
Pëllumb Pipero, u lind në 23 Prill 1956, në Skrapar. Ai rrjedh nga një familje me emër në zonën e Tomorricës. Në vitin 1965, familja e tij shpërngulet për në qytezën e Vorës, në afërsi të Tiranës. Këtu, Z. Pipero, përfundoi arsimin tetë-vjeçar dhe më pas atë të mesëm, të cilin e kreu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1977, ai filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, të cilin e përfundoi gjithashtu me rezultate të shkëlqyera.
Më pas, ai do të nisë një karrierë të larmishme profesionale, si mjek dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. I specializuar në fushën e sëmundjeve infektive, ai do të mbajë, po ashtu, edhe detyra të rëndësishme në Institutin e Shëndetit Publik, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke mos ju ndarë asnjëherë punës së tij akademike si pedagog.
Ai është anëtar dhe kryesues i një sërë organizatash profesionale në fushën e mjekësisë, ku do të veçonim anëtarësinë e tij në Bordin e Akreditimit dhe Certifikimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Luftës kundër Kancerit, Kryetar i Taks Forcës për Strategjinë e Edukimit në Vazhdim, Koordinator Kombëtar i Projektit të Telemjekësisë në Shqipëri