Në vitin 2008, Kosova arriti Pavarësinë e shumëkërkuar, falë edhe një dore të rëndësishme të dhënë nga Uashingtoni. Por dhe sot pas 15 vitesh, ende SHBA, e cila ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën, dhe Bashkimi Europian janë ende në përpjekje për të çuar drejt normalizimit marrëdhëniet me Serbinë.
Ka më shumë se 25 vite që ekspertët amerikanë merren me çështjen e Kosovës, dhe presioni ndaj kësaj të fundit është shtuar goxha nga SHBA.
Pas gjendjes brutale të përjetuar në vitet ’90 nga shtypja e Serbisë dhe krimeve njerëzore nga më të ndryshme, tashmë popullsia prej gati 1.9 milionë banorësh gëzojnë vullnet të plotë për të vendosur fatin e tyre politik. Sukses e konsideron edhe Prof. Daniel Serëer i Universitetit Johns Hopkins.
E megjithatë problem sipas tij mbetet njohja universal e sovranitetit dhe integritetit terroritoral në një kohë kur pjesë e problemit është dhe kontrolli i vazhdueshëm i Beogradit mbi popullsinë serbe në Kosovë. Një histori ende e papërfunduar, me negociatat që duken një serial i përjetshëm.
Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas ekspertëve, bëhet konkrete vetëm në rastin kur fillohet nga një pikë: ajo e njohjes së Kosovës nga Serbia. Një lojë shahu ku në dukje strategjia më e mirë është ndikimi tek miqtë se sa presioni ndaj kundërshtarëve. Nuk dihet se sa do të funksionojnë presioni i ushtruar ndaj Kosovës së fundmi.
Absolutisht presioni ndaj shteteve më të dobëta mike ka më shumë gjasa të rezultojë efektiv sa sa trysnia ndaj kundërshtarit, thotë eksperti Serëer. Një nga pikat kryesore tek e cila po këmbëngulin Shtetet e Bashkuara, është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, por që kryeministri i Kosovës ka thënë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Por analistët thonë se Kosova nga ana e saj duhet të ndërmarrë një rol proaktiv lidhur me procesin, në mënyrë që të përfitojë nga fakti që diplomacia perëndimore por përqendrohet tek kjo çështje. Nga ana tjetër SHBA dhe BE po bëjnë punën e tyre për të bindur Serbinë që të ndjekë rrugën e Perëndimit dhe jo të Rusisë.
Ngërçi qëndron në faktin se Albin Kurti lidh asociacionin me njohjen, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç këmbëngul se vazhdimi i bisedimeve varet nga themelimi i asociacionit.
Por sa mirë i bën stabilitetit të dy vendeve dhe jo vetëm, por dhe Ballkanit, një presion i tillë? A është menduar në terma afatgjatë, për pasojat që mund të ketë vendimi? Komunat ekzistuese me shumicë serbe tashmë i ofrojnë pakicës përfaqësim lokal, të drejtën për të emëruar policë, arsimim në gjuhën serbe dhe shumë përfitime të tjera. Në të njëjtën kohë, Beogradi minon integritetin e Kosovës përmes institucioneve të saj “paralele” në veri të vendit dhe ndërhyn drejtpërdrejt në politikën e Kosovës duke kontrolluar Listën Serbe, partinë që ka kompetenca joproporcionale në parlament dhe ministra të garantuar në qeveri.
Megjithatë një gjë duket më se e qartë, se SHBA nuk do i shtrojë në tavolinë Kosovës pjata që i cenojnë sovranitetin.