Rrugët kryesore të bllokuara, ndërsa ato dytësore, të tejmbushura nga prania e mjeteve. Kjo ishte situata të premten e 3 marsit në Tiranë, ku opozita e kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha thërriti një protestë kombëtare. Paralelisht me protestën, në Gjykatën e Apelit, do të vendosej fati i vulës së PD. Qytetarët u dyndën drejt kryeqytetit në disa drejtime.
Ata që vinin nga qytetet veriore dhe të Shqipërisë së mesme, e kishin vendtakimin në Sheshin Skënderbej. Grumbulli i parë i protestuesve u pa në orën 10:00, ndërsa dislokime policore, disa si civilë dhe disa me uniformë, shtriheshin përreth gjithë perimetrit të sheshit. Me pankarta në duar dhe thirrje “Rama Ik”, qytetarët qëndruan në pritje deri pak para orës 12:00, ndërsa në skajin tjetër të bulevardit, në Sheshin “Nënë Tereza”, ishin mbledhur protestuesit që vinin nga qytetet jugore të Shqipërisë. Në sheshin para kryeministrisë, po ngrihej një podium, që do të shërbente për mbajtjen e fjalimeve, ndërsa në selinë blu, ishin të shumtë mbështetësit e ish-kryeministrit.
Kur ora shënoi 12:00, protestuesit marshuan në një sinkroni të heshtur të gjithë përpara Kryeministrisë, ndërsa në orën 12:20, u drejtua për aty edhe ish-kryeministri Berisha së bashku me mbështetësit. Fjalimet nisën të mbaheshin në orën 12:30, ku në listë përfshiheshin deputetë, kandidatë për kryetarë bashkie, aktivistë të forumit rinor, duke kulmuar me fjalimet e dy liderëve opozitarë, Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Prezenca në fillimet e protestës ishte e konsiderueshme, ndërsa me kalimin e minutave gjithçka u zbeh. Kjo, ndikuar edhe nga prezenca e shiut, që largoi njerëzit, edhe pse mbi podium, Berisha bënte thirrje që qytetarët të qëndronin dhe se ata, nuk i ndal as shiu në betejën e tyre për revolucion. Të pyetur për media të ndryshme, qytetarët shpreheshin se duhet ndryshim dhe se vendin e ka pllakosur një sërë abuzimesh e aferash nga qeveria aktuale, e këto ishin sipas tyre arsyet se përse kishin udhëtuar drejt Tiranës.
Në përfundim të protestës, Berisha, ndryshe nga 11 shkurti, nuk marshoi drejt institucioneve kryesore të vendit, por shkoi drejt e në selinë e Partisë Demokratike. Prej aty ai dha mesazhin se demokratët ishin mbledhur ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ai tubim, nuk ishte një formë presioni ndaj Gjykatës së Apelit, që duhet të vendoste mbi fatin e Partisë Demokratike.
Interesi i mediave, por edhe i publikut pas përfundimit të protestës, u vendos në Gjykatën e Apelit. Pas një seance maratonë, që zgjati disa orë, në orën 19:20, togat e zeza shfuqizuan vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, që njihte si legjitim Kuvendin e 11 dhjetorit, duke i lënë vulën e PD, përkohësisht grupimit të Enkelejd Alibeajt. Vendimi u pasua me deklaratat e përfaqësuesve të dy grupimeve. Përfaqësuesit e grupimit të Alibeajt, thanë se të hënën do të bëhej regjistrimi i partisë në KQZ, afati i fundit për përfshirjen në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa grupimi i Berishës, pretendoi se vendimi është bërë me trysninë e Edi Ramës, por edhe të ambasadorëve, duke nënkuptuar këtu prezencën e një delegacioni amerikan gjatë seancës. Alibeaj, zgjodhi “Facebook-un”, për të bërë thirrje për bashkim mes demokratëve, ndërsa Berisha përmes një deklarate për media, tha se revolucioni i tyre sapo ka nisur dhe PD, do të regjistrohet në zgjedhje, nga ku sipas tij do të dalin fitues.
Ajo që pritet të shihet është se si do të regjistrohet PD e Berishës në zgjedhje, duke qenë se Partia e Lirisë, aleatja më e madhe e saj, është regjistruar tashmë dhe do të masë forcat siç kanë deklaruar liderat e saj për vende në Këshillat Bashkiakë