Press "Enter" to skip to content
1/ 3

Kolaps në sistemin arsimor/ Shqipëria rrezikon të mbetet edhe pa mësues, çfarë parashikojnë ekspertët

Mungesa e mësuesve mbetet sfidë për Ministrinë e Arsimit, në gjysmën e mandatit të tretë të qeverisë aktuale. Kjo është konfirmuar nga një video-publikim në rrjete sociale nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ku deklaroi që tanimë të diplomuarit në fusha të përafërta me mësuesinë, mund të ushtrojnë profesionin e mësuesit.

“Të diplomuarit në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.”- u shpreh ministrja Kushi, me datë 17 shkurt të këtij viti.
Mirëpo kjo deklaratë është parë me skepticizëm nga ekspertët arsimorë.

Sipas tyre, udhëzimi i ri ka krijuar kaos dhe paqartësi në sistem. Ata kanë artikuluar gjatë daljeve të ndryshme në mediat audiovizive, se kjo reformë na kthen 50 vite pas. Profesor Qerim Doko, në një intervistë, është shprehur se situata e ngjashme i kujton vitet 70’, kohën kur edhe ai ka nisur punën. Asokohe sipas tij, studentët që ngelnin dhe duhet të përsërisnin vitin, i kalonin direkt në provim dhe për mungesë kuadri, ata rekrutoheshin direkt si mësues, në fshatra dhe zonat e thella malore. Të njëjtin qëndrim mban edhe eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, i cili shprehet se ky udhëzim është në kundërshtim me ligjin. Ai ka theksuar se udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, shkel ligjin 69/2012, më konkretisht pikat 1, 2 dhe 3, që përcaktojnë se mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë diplomë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të. Ai thotë se udhëzimi është diskriminues për mësuesit dhe studimi i bërë nga ministrja del pa asnjë të dhënë se cilat janë nevojat për mësues në vitet e ardhshme.

Pas një kërkese nga mediat, Ministria e Arsimit, konfirmoi se mungesat për mësues, janë në profilin e arsimit fillor, special (Mësues për personat me nevoja të veçanta) dhe gjuhën angleze. Uljen e numrit të nxënësve e konfirmon dhe një raport i INSTAT-it për vitin shkollor 2021-2022, ku raportohet që ka një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-2021. Specifikisht në arsimin e mesëm ka një ulje prej 4,2 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, në arsimin parauniversitar, një ulje prej 2,5 %, në arsimin 9-vjeçar 2,9 % më pak nxënës. Po sipas këtij raporti për vitin 2021-2022 në arsimin fillor, të mesëm, të lartë janë 28.809 mësues. Në sistemin arsimor, kësisoj janë të punësuar kryesisht personat mbi 50 vjeç, duke e kthyer këtë sistem në kolaps, të ngjashëm me mungesën e mjekëve dhe infermierëve që vitet e fundit po emigrojnë masivisht drejt Gjermanisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram