QSUT, është qendra spitalore më e madhe në Shqipëri, ku ofrohen një sërë trajtimesh për qytetarët, ose të paktën, kështu duhet të ishte. Realiteti nëse zbret në terren, është krejt i kundërt nga propaganda e fabrikuar e ministrisë përkatëse, që trumbeton çdo ditë, fasada godinash dhe qendrash shëndetësore dhe investime në pajisje. Së fundmi është jashtë funksionit aparatura për bombardimin e gurëve në veshka, duke shkaktuar indinjatë te pacientët e prekur.
Burime bëjnë me dije se pajisja është jashtë funksionit që nga muaji tetor. Në listëpritje figuronin emrat e 350 pacientëve, ndërsa tanimë, ky numër është 240. Diferenca i është drejtuar spitaleve private, në pamundësi për të duruar dhimbjet e forta të gurëve në veshka. Nga ana e tyre, qytetarët mendojnë se mosriparimi i aparaturës së bombardimit të gurëve në veshka, bëhet pikërisht që qytetarët t’i drejtohen spitaleve private. Autoritetet përkatëse ndërkohë nuk kanë dhënë ende një datë se kur do të rivendoset në punë aparatura kaq shumë e nevojshme.
Janë të shumtë qytetarët që i drejtohen çdo ditë QSUT për të përfituar këtë shërbim, por kthehen, me justifikimin ende s’u ka ardhur data dhe radha është tepër e gjatë. Po nuk është vetëm aparatura për bombardimin e gurëve në veshka, problematika kryesore në QSUT. Dy muaj më parë, deputeti i Partisë Demokratike, denoncoi se në repartin e kardiokirurgjisë ka mungesë të oksigjenatorëve, aq të nevojshme për kryerjen e operacioneve në organin e rëndësishëm për njeriun. Përkundër kronikave televizive dhe pyetjeve të gazetarëve, ministrja Ogerta Manastirliu as nuk e pohoi, por as nuk e mohoi mospasjen me oksigjenatorë.
Ajo tha se Spitali “Shefqet Ndroqi”, ka hapur një repart të ri dhe aty janë kryer operacione në zemër, por edhe Spitali “Memorial” i Fierit e ushtron këtë shërbim. Nga ana tjetër, u shpreh se është tejkaluar plani për operacionet e programuara. Skanerat, janë një tjetër problematikë e qendrës universitare mjekësore. Nga dy skaner që janë në këtë qendër prej kohësh vetëm njëra prej tyre është funksional, shtuar këtu burokracitë dhe korrupsionin në mesin e bluzëve të bardha. Një muaj më parë, dy mjekë në këtë sektor u arrestuan sepse kërkonin para për të favorizuar qytetarë të ndryshëm, për të shmangur radhën e planifikuar, ashtu siç e përcakton ligji. Po jo vetëm kaq, “Onkologjiku” ka mungesë medikamentesh, e konfirmuar kjo nga vetë pacientët, ndërsa pak më tutje, në qendrën e konsultave radhët e pritjeve janë të mëdha.
Atje qytetarët çdo fund muaji e kanë të pamundur të marrin rekomandime për analiza sepse plotësohet kuota e parashikuar nga koncensionari. Për këtë koncesion dhe atë të sterilizimit, Ministria e Shëndetësisë është në SPAK, në një çështje ende të hapur. Abuzimet thuhet se janë shumëmilionëshe, e hetuar kjo, në mënyrë të thelluar edhe në një raport të Kontrollit të Lartë Shtetëror, që ka përpiluar me detaje mangësitë në çdo sektor. Këto mangësira, janë disa nga arsyet edhe të eksodit masiv të mjekëve. Privatisht ata konfirmojnë se largimi i tyre në masë kaq të madhe nuk lidhet vetëm me rrogën më të mirë që të ofrojnë vendet Evropiane, por me sistemin aktual shëndetësor në vend, që ofron pasiguri për të tashmen, por edhe të ardhmen e këtij sektori jetik dhe të rëndësishëm për qytetarët.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”