Press "Enter" to skip to content
1/ 3

Strategjia e Ramës për vota, çfarë po bën administrata dy muaj para zgjedhjeve

Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit, duket se axhendtat e partive politike janë të kundërta. Teksa opozita po tenton të zgjidhë ngërçin për t’u regjistruar në zgjedhje, nga ana tjetër, qeveria po zgjedh një tjetër strategji për të siguruar vota, kjo përmes punësimeve. Edhe pse qeveria propagandon sistematikisht dixhitalizimin e shërbimeve, gjë që do të reduktonte numrin e punonjësve të administratës, kjo gjë nuk ka ndodhur realisht.

Jo më larg se të shtunën e javës së kaluar, kryeministri Rama tha se dixhitalizimi i shërbimeve do të eliminonte kontaktet e qytetarëve me sportelet e shtetit.

“Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia. Është koha për ti mbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta”, tha Rama.

Me dixhitalizimin e shërbimeve, administrata publike duhet të reduktohej pasi edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjeteve teknologjike janë rritur. Mirëpo shifrat flasin të kundërtën. Në buletinët e INSTAT bëhet e ditur se në tremujorin e fundit të vitit 2022, administrate publike ka arritur në 184.396 persona ose 2.036 të punësua më shumë se në tremujorin e tretë. Nga ana tjetër, sektori privat në të njëjtën periudhë krahasimi, punësimi pësoi tkurrje me mbi 10 mijë persona.

Sa herë që jemi në prag të zgjedhjeve, ka tendencë fryrje të administratës, me punonjës qoftë edhe me kontrata të përkohshme.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, punësimi në administratën publike jo vetëm që u rrit në krahasim me tremujorin e tretë, por edhe me të njëjtën periudhe të vitit 2021. Sektorët që zakonisht pësojnë rritje të punonjësve janë ndërmarrjet e pastrimit, gjelbërimit, KESH-it dhe ujësjellësit.
Në vitin 2021, kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti. Me këto ritme, deri në 14 maj, punësimi në shtet pritet të rritet më tej, duke konfirmuar në një farë mënyre, strategjinë e maxhorancës për të siguruar vota.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram