Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Gledis Nano kthehet në “hall” për Ramën/ Padia e beftë dhe të pathënat e gjyqit kokë më kokë me kryeminstrin

Një tjetër shkop është futur nën gomat e kryeministrit Edi Rama dhe bëhet fjalë për një nga njerëzit të cilët ai vetë emëroi e shkarkoi nga kryesimi i Policisë së Përgjithshme të Shtetit.

Gledis Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme, pavarësisht se është kujdesur për një profil të ulët publik. Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit, ndërsa ka rënë disa herë në sy për çështje tejet delikate.

Në vetëm 10 muaj ai kaloi nga kreu i Anti-Terrorit në postin më të lartë të Policisë së Shtetit. Megjithatë nuk e mbajti gjatë këtë post, pasi u shkarkua nga Rama në gusht të vitit që lamë pas.

Ky shkarkim duket se ka hapur një luftë mes kreut të qeverisë dhe Gledis Nanos që ka përfunduar në gjykatë. Vetë Gledis Nano e konsideron të paligjshëm shkarkimin e tij dhe për këtë i është drejtuar dyerve të gjykatës përmes një padie.

Togfjalëshi “shkarkim nga puna” është mesa duket ajo që Gledis Nanos nuk i pëlqen ta ketë në CV-në e tij. Nuk dihet qartazai se deri ku Nano kërkon të shkojë me këtë padi, vënia në vend e nderit të tij apo ndonjë dëmshpërblim financiar i majmë?

Vendimi i qeverisë e përjashton Gledis Nanon nga strukturat shtetërore nëse ai ka ndonjë plan për t’u rikthyer, mbase edhe pse jo në Policinë e Shtetit. Në momentin që flasim, Nano është edhe student i gradës Master në Fakultetin e Drejtësisë në një program të mbështetur nga OSBE.

Mos harrojmë që ish-kreu i policisë së shtetit kishte edhe mbështetjen e Amerikës, e si pasojë duke pasur krahët e ngrohta nga aleatët e fuqishëm, Nanos nuk iu dridh qerpiku t’i bënte rezistencë vetë Ramës dhe ministrit të Brendshëm.

Kjo miqësi e afërt me Amerikën, bëri që Ramës mos t’i pëlqente e të ndihej në një farë mënyre “xheloz” për këtë marrëdhënie. Pëshpërimat në vesh të ambasadores Yuri Kim nuk i ka honepsur dot kreu i qeverisë që i bëri një shkarkim të beftë Nanos, duke e futur në histori si kreu më jetëshkurtër në drejtimin e Policisë së Shtetit.

Një proces ky që duket se është vetëm në hapat e parë, pra sapo ka filluar dhe fundi i së cilit nuk dihet.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram