Press "Enter" to skip to content
1/ 3

Si u kthye Dubai në çerdhen e shqiptarëve MOST WANTED

Vitet e fundit, shqiptarët më të kërkuar nga policia e vendit por dhe jashtë tij, duket se kanë gjetur parajsën e shpëtimit. Vendi luksoz i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai, është kthyer në një çerdhe strehuese për kokat e krimit shqiptar.

Dhe ky fakt ka arritur të kthehet në problem për Prokurorinë e Posaçme. Refuzimi i ekstradimit për disa persona të botës së krimit nga autoritetet e UAE, ka bërë SPAK-un me dhimbje koke, duke qenë se shihet si një problem që ndikon në proceset hetimore.

“Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe,” e parashtron SPAK këtë shqetësim përballë Kuvendit në raportin vjetor të bazuar në punën e kësaj prokurorie.

Ky problem është ngritur pasi bëhet fjalë për refuzimin e ekstradimit të dy figurave, Florenc Çapja dhe Plaurent Dervishaj. Megjithatë numri i këtyre personave të shpallur në kërkim nga SPAK, e të cilët vazhdojnë të rrinë atje është rritur goxha.

“Këto grupe kriminale janë aktive jo vetëm në rajon por edhe në disa vende të BE-së, Britaninë e Madhe, Turqi, SHBA etj. Nga ana tjetër, grupet kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtëpërdrejtë në vendet e origjinës së prodhimit të kokainës duke krijuar lidhje të forta me organizatat kriminale në Amerikën Latine”.

Për të njëjtën gjë ka rënë dakord edhe Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), e cilat shprehet se kriminelët e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri po përdorin gjithnjë e më shumë Emiratet e Bashkuara Arabe si një strehë të sigurt për të fshehur veten dhe paratë e tyre nga zbatimi i ligjit.

Aftësia e tyre për të qëndruar në vend duket se lehtësohet duke blerë pasuri të paluajtshme dhe duke investuar në ekonominë locale.

Ata ndihen aq të sigurt saqë shpesh ftojnë miqtë dhe familjen që t’u bashkohen atje, ndërsa shfaqin pasurinë e tyre të paligjshme të pangacmuar.

Figurat shqiptare të krimit të organizuar janë të shquara, por nuk janë të vetmet që kanë gjetur strehë në shtetin e Gjirit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram