Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se paga mesatare në vend në harkun kohor të dy viteve do të arrijë në 900 euro (102 mijë lekë) ose 54% më shumë se fundi i vitit të kaluar, por sipas ekspertëve të ekonomisë dhe bizneseve, rritja e pagës pa orientuar ekonominë në një model që të prodhojë mallra më vlerë të lartë ka gjasë të kthehet në goditje për ekonominë.
Mungesa e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët ekonomikë si dhe kosto e lartë e jetesës, bënë që në vitin 2022 paga bruto të rritej me ritme dyshifrore. Mirëpo ndryshimi i çmimeve me 6.7% bëri që rritja reale e pagave të ishte më e ulët se në vitin 2021.
Sipas INSTAT, në fund të viti 2022, paga mesatare mujore bruto arriti në 66,015 lekë, pra një rritje me 10.8 % në krahasim me vitin 2021, ndërsa paga reale që merr në konsideratë indeksimi me inflacionin u rrit me vetëm 4.1% me e ulët se e vitit 2021 kur paga reale në ekonomi u rrit me 6.4%.
Shtrenjtimi i çmimeve ka bërë që rritja e pagave të mos vërehet, pasi të dy po shkojnë paralel me njëri-tjetrin. Pra shqiptarëve nga njëra anë po u rritet paga, nga ana tjetër po u shtrenjtohen çmimet.
Por, me një të rënë të lapsit, kryeministri Edi Rama ka premtuar që brenda dy viteve të ardhshme, paga mesatare do të arrijnë në rreth 900 euro (rreth 102 mijë lekë).
9 vitet e fundit kanë treguar se rritja ekonomike nuk është arritur që të kthehet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, teksa të ardhurat për frymë vijojnë të mbeten më të ulëtat në Europë, me 32% të mesatares europiane, sipas Eurostat (me përjashtim të Kosovës).
Rritja e ngadaltë e pagave është një tregues se ekonomia nuk është nxitur nga produktiviteti. Edhe në 2022-n rritja e pagave u nxit më së shumti nga presioni i mungesës së punonjësve, me bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët.
Ndërsa qeveria ka në dorë rritjen e pagës minimale, që e çoi në 40 mijë lekë, nga 1 prilli, është tregu ai që i rrit pagat mesatare.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”