Press "Enter" to skip to content
1/ 3

SHIFRA/ Me sa u rritën çmimet e apartamenteve në Tiranë vetëm vitin e fundit. Pse po ndërtohet më shumë se sa kërkohet

Tendenca në rritje e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet po kthehet gjithnjë e më shumë në problem për vendasit që duan të kenë një strehë të tyren.

Të dhënat e fundit të publikuara 2 herë në vit nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në vitin që lamë pas çmimet janë rritur me 17%.

INSTAT zbulon se në Tiranë janë miratuar leje për 1.8 milion metra katrorë, ku 954 mijë m2 janë për rezidentë. Nga ana tjetër popullsia është rritur me 7321 banorë. Nëse bën pjestimin me 3 anëtarë për familje, atëherë kërkesa gjatë vitit të shkuar për apartamente nuk do të duhet të ishte më shumë se 2440.

Pak vite më parë, kryebashkiaku Veliaj shprehej se nuk është nevoja më të ndërtohet përderisa ka plot 8000 apartamente bosh. Por statistikat sot tregojnë se po ndërtohen 9500 apartamente të reja.

Kjo tregon se po ndërtohet 4 herë më shumë se numri i familjeve të reja të ardhura në kryeqytet dhe 2180 më shumë edhe nëse llogaritet një banesë për çdo banor të ri të ardhur. Indeksi Fischer zbulon se pak më shumë se gjysma e transaksioneve të blerjeve të pasurive të patundshme (56%) vitin e shkuar janë blerë me kredi bankare, edhe këtu vetëm në 60% të rasteve financimi i bankës ka qënë i afërt me vlerën e plotë të pronës. Fenomeni i vetëm që mund të shpjegojë se përse ndërtohet më shumë se sa ka kërkesë, përse blihet kur rriten çmimet dhe përse kredia nuk i përgjigjet vlerës së transaksioneve, është tregu informal. Nuk ka banorë të rinj, por ka para dhe ka pronarë me 20-30 shtëpi!

Tirana prej disa vitesh është kthyer në një lavatrice të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit dhe përpara se të jetë vonë këtë duhet ta denoncojmë të gjithë, duke nisur nga opozita!

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram