Propaganda mbetet arma më e fortë e Partisë Socialiste edhe në këtë fushatë duke investuar për të çorientuar shqiptarët. E para lidhet me sloganin “Kurrë mbrapa, përpara”, që, i shpjeguar nga fjalët e kryetarit, kishte te bënte me “dy hijet” Berisha dhe Meta. Më tej, ai shau kandidatin e “Bashkë fitojmë!” në Tiranë, më pas, prapë Berishën dhe Metën. Asnjë fjalë për Alibeajn, apo kandidatin e tij në Tiranë apo në ato pak bashki ku kandidojnë me siglën e PD. Kjo ishte shtylla kryesore e fushatës së një partie që kërkon të shmangë debatin nga bilanci negativ i qeverisjes.
Sulmi ndaj opozitës. Absurdi është se, megjithëse në Kuvend njeh zyrtarisht si opozitë atë grup me më pak se 20 deputetë të Alibeajt, kur del në fushatë, njeh si opozitë Sali Berishën, megjithëse vulën ia jep Alibeajt, sloganin ia kushton Berishës, megjithëse fondet dhe komisionerët i jep Alibeajt, frikën ia ka elektoratit të Berishës. Pikërisht këtë ka dashur të bëjë, këtë sistem absurd që i garanton fitoren në tavolinë, një sistem me 2 opozita, një reale pothuajse të paligjshme dhe një te emëruar që është po aq mbi ligjin sa vetë autokrati. Por nuk mjafton kjo për të fituar zgjedhjet.
Bëmat e organizatës së Rilindjes janë aq shumë sa edhe nxjerrja jashtë ligjit e opozitës nuk e garanton fitoren. Organizatës së 8 milionë metrave katrorë beton vetëm në Tiranë, që akuzohet nga organizatat ndërkombëtare për pastrimin e parave të krimit ndërmjet lejeve të ndërtimit dhe nga biznesmenët e huaj në Shqipëri për shkatërrim të klimës së biznesit, i duhet te mbjellë pemë në fushatë për të trukuar të vërtetën. Ata që në opozitë protestuan se zgjerimi i rrugës së Elbasanit do prishte parkun e Liqenit dhe kur erdhën në pushtet e përdorën parkun për pallatet e miqve të tyre, kanë filluar fushatën me mashtrimin e madh të 1 milionë pemëve të mbjella dhe me inskenimin bajat të mbjelljes së pemëve të reja.
Autorët e krimit që ka vrarë deri tani Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe Sarandën dhe po betonizojnë gjithë bregdetin, nuk kanë gjetur dot as një copë lulishte që të mos ketë kulla në sfond. Kjo nuk i ndalon të qeshin ndërsa mbjellin 61 pemë me të cilat duan të fitojnë edhe 4 vjet për kulla 61 katëshe. Është njësoj si kriminelët të shkojnë në obeliskun e viktimës se tyre për të vënë lule, me shpresën se, megjithëse i kanë parë duke e vrarë, njerëzit të besojnë se nuk kanë qenë ata, ose se janë penduar për një shkatërrim 23-vjeçar, që betonizoi vendin, vrau qytetet kryesore dhe strukturoi keq ekonominë.