Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

“Jemi në rrugë të mbarë”, alibia e policisë për 4 dështimet e mëdha

“Jemi në rrugë të mbarë”. Kështu duket se po mundohet t’i mbulojë dështimet e saj Policia e Shtetit, sa i takon ngjarjeve me natyrë mafioze, për të cilat nuk ka përgjigje konkrete se ccfarë ka ndodhur.

Kjo frazë është artikuluar për herë të parë në dhjetor 2022 nga Muhamet Rrumbullaku, gati 3 muaj pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i ndodhur në vështirësi për faktin se nuk kishte një përgjigje për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj,

Kjo përgjigje erdhi nga Rrumbullaku, pasi i kishte skaduar afati 3-mujor i vendosur nga Kryeministri Edi Rrama për të nxjerrë nga rruga problematike ku ishte futur Policia e Shtetit, ku një nga porositë ishte dhe zbulimi i fatit të Ervis Martinaj. Në këtë frymë ka vijuar edhe vartësi i tij në krye të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, sa i takon vrasjes së Mimoza Pajës në Don Bosko. Edhe në lidhje me atentatin mafioz ndaj godinës së Top Channel, ku humbi jetën roja I sigurisë Pal Kola, krerët e lartë të Policisë së Shtetit, në komunikimet në rrugë jo zyrtare, sërish kanë shprehur optimizëm për rënien në gjurmët e autorëve, ndonëse kur kanë kaluar 2 muaj, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar as për të arrestuar dhe as qoftë për persona të dyshuar.

Me të njëjtën shprehje “Jemi në rrugë të mbarë” është shoqeruar edhe takimi që Rrumbullaku ka mbajtur me familjarët e dy të zhdukurve në Sarandë, Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori. Familjarët protestuan përpara Policisë së Shtetit në Tiranë, duke kërkuar me ngulm një takim me Drejtorin e Përgjithshëm.

Pas takimit rreth 20 minuta, një nga familjarët u shpreh se nga Drejtori Rrumbullaku kishin marrë garanci për rifillimin e kërkimeve dhe se hetimet ishin sërish “në rrugë të mbarë”. Kur kanë kaluar 8 muaj nga urdhri i Ramës për misterin Ervis Martinaj, mbi 2 muaj nga vrasja e Mimoza Pajës dhe Pal Kolës dhe rreth 4 javë nga takimi me familjarët e dy të zhdukurve në Sarandë, asgjë nuk duket se po shkon në rrugë të mbarë në punën e Policisë së Shtetit, sa I takon pritshmërisë së opinionit public për zbardhjen e këtyre ngjarjeve.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram