Në dhjetor të vitit 2012, Koreja e Jugut përfundoi zgjedhjet presidenciale ku u shfaq një nivel i lartë pjesëmarrjeje politike përmes përdorimit të internetit të bazuar në podcast dhe aksesit nga smartphone.
Kjo ishte fillesa e një suksesi që solli më pas popullaritet të kësaj platforme, sidomos në politikë. Podcastet dhe mediat sociale në lidhje me pjesëmarrjen politike dhe sociale sot janë jashtëzakonisht të njohura dhe popullore në Korenë e Jugut.
Por podcast-et kanë ‘shpërthyer si devocion’ vitet e fundit te të gjithë ‘politikëbërësit’ e botës, sepse ato ofrojnë një mënyrë për politikanët që të arrijnë votuesit e duhur, të bëjnë propagandën që duan dhe të krijojnë një lidhje të fortë me audiencën.
“Me politikanët, ekziston rreziku që ata të marrin platformën dhe të thonë atë që duan të thonë. Ata thjesht duan të transmetojnë axhendën e tyre”- thotë në një intervistë të saj, Ileana Grabitz, drejtuese e departamentit të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë në Zeit Online dhe bashkë-prezantuese e “Das Politikteil”, podcast-i më i suksesshëm në Gjermani.
Nga studimet e viteve të fundit rreth këtij trend-i në politikë është parë se “reklamat” politike nga podcast-et janë shumë më efektive. Në fakt ato janë 4.4 herë më efektive se shfaqja në ekranet televizive. Kjo shifër është edhe më e lartë në vendet që kjo “alternativë” komunikimi ka edhe audiencë.
Sipas një studimi të fundit të STATISTA (gusht 2022) mbi audiencën e podcast-it në mbarë botën rezultoi se përqindja e dëgjuesve të podcast-eve në Evropë është 28.1%. Kjo shifër pësoi një rritje të menjëhershme gjatë pandemisë së Covid-19.
Spotify zbuloi këtë vit shifra të larta në hapësirën e podcast-eve. Platforma tha se është publikuesi numër një i podcast-eve në SHBA, me mbi 100 milionë dëgjues.
Parashikohet se audienca e kësaj platforme do të rritet edhe më shumë deri në vitin 2026-të. Ndaj dhe reklama politike sot në shumë vende të botës po “transferohet” drejt podcast-eve.
Nëse dëshironi të krijoni një ide se sa i mbingopur është aktualisht tregu i podcast-eve rreth politikës po ju sjellim rastin e Britanisë së Madhe. Në fund të këtyre radhëve do ta kuptoni “Përse-në”.
Kur Iain Dale, autor dhe komentator politik përpiloi një listë me 50 prodcast-et më të mira të 2022-shit, në Britaninë e Madhe, ndjeu nevojën të përjashtonte ato që kishin në fokus “lajmet e përditshme”, podcast-et televizive dhe ato satirike, e megjithatë kishte qindra për të zgjedhur për “Top 50”-shen.
“Është e çuditshme duke pasur parasysh se sa pak njerëz i dëgjojnë në të vërtetë”, thotë Ian Campbell Dale, i cili në vitin 2005 u bë kandidati i parë konservator që konkurroi në zgjedhjet parlamentare dhe që foli publikisht për homoseksualizmin e tij.
“Tregu i podcast-eve politike britanike është vërtet i vogël. Shifrat e dëgjimit janë diku te 50-100.000 njerëz për episod që në skemën e madhe të podcast-eve është shumë pak”, e mbështet këtë fakt edhe Nick Hilton, drejtor i kompanisë së prodhimit audio “Podot Pods” dhe ish-prodhues i podcast-eve Spectator dhe News Statesman.
Por kjo nuk ka penguar që podcast-et të lulëzojnë nga të gjitha anët e politikës.
Jo rastësisht ndër kryesuesit e “Top 50-es” britanike është dhe podcast-i “The Rest Is Politics” që u ngrit nga dy “burra me peshë” në mendimin politik britanik, si Rory Steëart, politikan ish-sekretar shteti dhe Alastair Campbell, gazetar në profesion, i cili për afro 9 vjet ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt, drejtor komunikimi dhe këshilltar i Tony Blair.
Në Shqipëri modelin e Stewart dhe Campbell e ndjek kryeministri Edi Rama.
“Kryeministri shqiptar është dëgjues i rregullt i “The rest is Politics”, tha Campbell shtatorin e vitit të kaluar kur kishte të ftuar Kryeministrin Edi Rama.
Ndoshta këtu është “ngjizur” dhe ideja e tij për të ngritur muaj më vonë podcast-in e tij “Flasim”. Një eksperiencë e re për të dhe për dëgjuesit me të cilët ai vendosi të fliste përmes kësaj forme komunikimi.
Që në episodin e parë goditi në audiencë, shkoi 240.4 mijë shikime (vetëm në Facebook). Të tjerat që pasuan silleshin diku më shumë, e diku më pak te 20-45 mijë. Përjashtim këtu bën podcast-ti që kapi gjithashtu shifra rekord, ku të ftuar kishte dy “luanët shkodranë” të momentit Luiz Ejllin dhe Benet Becin; i pari fituesi i zemrave të gjithë shqiptarëve, ndërsa tjetri hyri në historinë e zgjedhjeve si ai që ia “ndërroi bojën” Shkodrës blu.