Me rënien e madhe të numrit të të rinjve që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, edhe universitetet po vuajnë së tepërmi uljen e numrit të studentëve. Çdo dit degë të rëndësishme po shkojnë drejt mbylljes, çka pritet të shkaktojë pasoja të rënda në tregun e punës në të ardhmen.
Për vitin akademik 2022-2023, që sapo u mbyll, në auditoret e arsimit të lartë publik ishin 91 mijë studentë, teksa në total, duke përfshirë edhe universitetet privatë, totali shkonte në 121 mijë. Në krahasim me vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin publik ka rënë me 19.7%, ose rreth 22.3 mijë studentë më pak.
Ulja e theksuar e numrit të lindjeve dhe emigracioni masiv i të rinjve ka sjellë këto shifra. Gjithashtu, ka zona ku të rinjtë nuk zgjedhin asnjë profesion dhe asnjë orientim pas përfundimit të shkollës së mesme, por presin vetëm të marrin rrugën për jashtë vendit.
Rrethet kanë pësuar humbjen më të madhe të studentëve. Në pesë vjet Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër ka humbur më shumë sesa gjysmën e studentëve. Në vitin 2018 kishte të regjistruar 8245, ndërsa në vitin që akademik, që sapo u mbyll ishin të regjistruar vetëm 3700 studentë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me universitetet e tjera në Elbasan, Korçë, Vlorë e Durrës. Gjithashtu, Universiteti i Tiranës, (Fakulteti i Drejtësisë. Fakulteti i Ekonomisë. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë) më i madhi në vend, më 22 mijë studentë, ose 24% të totalit të studentëve të regjistruar, ka shënuar gjithashtu një tkurrje të lartë me 25% të numrit të nxënësve në 5 vitet e fundit.
Nuk ka pasur shumë interes as për Fakultetin e Mjekësisë, ku në vitin akademik 2022/2023 ishin të regjistruar 5,842, ose 18% më pak sesa në 2018-n. Nga universitetet e mëdha, i vetmi me rritje, ndonëse të lehtë, është ai Politeknik, me zgjerim prej 1.4%.
Universiteti që ka ngjallur më shumë interes ka qenë ai i Sporteve, i vetmi me rritje 29.3% të numrit të studentëve në pesë vitet e fundit, ndonëse ka një numër të ulët (1853). Ndërkohë, rritje të lehtë kanë pësuar edhe universitetet private.