Arratisja e ish-Zv/Kryeministrit të qeverisë shqiptare pasi SPAK kërkoi arrestimin e tij është një ndër momentet e reflektimit rreth thellësisë së penalitetit që mund të ketë kapur administratën e lartë dhe zyra të rëndësishme të qeverisë. Arben Ahmetaj nuk përballet dot me akuzat ndërkohë që përmes arratisjes amniston në njëfarë mënyre të gjithë bashkëpunëtorët e tij duke hequr dorë nga dëshmia.
Avokatët përgjatë procesit të hetimit apo gjyqit do të fokusohen vetëm në mbrojtjen e klientit të tyre pa pasur mundësi të ofrojnë një profil të kontekstit.
Pra, do të mbeten jashtë shumë elementë që dëshmitë apo mbrojtja nga vetë Ahmetaj do t’i vendoste në qendër të ‘spektaklit’ gjyqësor. Nisur edhe nga ato pak deklarata që ka dhënë në lidhje me çështjen, pritshmëritë kanë qenë të larta për një bum emrash deri te kryeministri si të përfshirë në procedurën më të madhe të përthithjes së parave në funksion të korrupsionit.
Nuk do të ishte tradhtar, por vetëm hakmarrës pasi prej më shumë se një viti ai është sulmuar nga llogoret ku ka qëndruar vetë prej vitit 1997. Bateritë ndaj tij kanë ardhur nga vetë zyrat e inceneratorëve, zyrat e qeverisë dhe mediat e furnizuara me para nga inceneratorët, bile më së shumti nga ato media ku rroga mujore kapte edhe 240 milionë lekë sa një CEO në Wall Street.
Do të ishte e rëndësishme dëshmia e tij qoftë edhe me theksin e pafajësisë nga fillimi në fund për vetë cilësitë që bart akuza ndaj tij të paktën me aq sa është publike deri tani.
Akuza e përmbledhur e SPAK-ut ndaj Ahmetajt përmban disa të dhëna dhe këndvështrime hetimi që nuk janë hasur më parë në hetime të tjera të ngjashme.
Së pari, në akuzë akuzohet për inicimin e akteve ligjore apo rregullatore në funksion të korrupsionit çfarë përbën një moment reflektimi për të gjithë aktorët e shoqërisë. Ahmetaj dhe skuadra rreth e rrotull tij, përfshirë edhe kabinetin qeveritar, ia ka dalë të kapë shtetin në funksion të përfitimit të paligjshëm të parave.
Është dyshuar shumë dhe debatuar shpesh rreth mundësisë se ka ligje me porosi, ndërsa më në fund në akuzën e SPAK shohim atë të materializuar në të paktën 4 raste, në amendimin e dy ligjeve dhe dy vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Guida që të çon te këto lloj vendimmarrjesh do të ishte shumë tërheqëse të kuptohej nga të gjithë ndërkohë që krimi në këtë rast është si një postier që lëviz nga biznesi tek administratat, zyrta vendimmarrëse, mbledhjet e qeverisë dhe ekipi që i përgatit ato, komisionet parlamentare e veçmas ato të ekonomisë dhe ligjeve, ata që vendosin mbi agjendën e punimeve të kuvendit, kryesia e Kuvendit dhe administrata e lartë që përgatit aktet.
Do të kuptojmë se si ne të tjerët jemi të zëmë në çark nga mekanizmi i cili zhvillohet para syve tanë të buhavitur nga moskuptimi dhe efektet optike të transparencës së rrejshme, ashtu si iluzionet e pellgjeve me ujë në mes të shkretëtirës.
Së dyti, për herë të parë kemi një të akuzuar me emër për inceneratorin e Tiranës i cili vijon publikisht, si të ishte një koncert i bashkisë në sheshin “Skënderbej”, të rrëmbejë paratë e shqiptarëve në formën me të paskrupullt mbështetur në parimin se vjedhja faqe të gjithëve nuk është vjedhje përderisa e shohin të gjithë, e përderisa e shohin të gjithë dhe askush nuk merr hurin atëherë kanë dhënë aprovimin. Akuza e drejtpërdrejtë për inceneratorin e Tiranës e bën të pashmangshëm hetimin një për një të aktorëve në këtë aferë tjetër, pjesë e megaaferës e cila edhe vetëm pa të tjerat i ka përmasat e megaaferës.
Dëshmia e Ahmetajt për këtë rast ishte qershia në tortë. Dhe ai duket se ka humbur rastin për të qenë fajtori më i dobishëm në historinë e tranzicionit të Shqipërisë duke shpëtuar vendin nga riciklimi i disa hajdutëve për të cilët Shqipëria është një tender i madh që nuk duhet ndarë me tender por me koncesion apo agjencinë e investimeve strategjike, dhe kur duhet tender të amendohet ligji i prokurimeve, deri në vjedhjen edhe të majave të veshëve e qerpikëve të syve të nënës sonë Shqipëri.
Së treti, akuza e SPAK-ut për Ahmetajn me aq gishta letër që iu dërgua Kuvendit konstaton edhe një moment tjetër që tashmë nuk lidhet vetëm me Ahmetajn, por me një strukturë të ndershme brenda llumit të Rilindjes që ende ka fytyrë e erz nga njëra anë por edhe respekt për paratë e qytetarëve nga ana tjetër.
Zyrtarë të lartë në qeveri kanë refuzuar përfshirjen në skenarin e inceneratorëve apo kanë njoftuar në lidhje me paligjshmritë e procesit. Pra paska pasur zyrtarë që nuk i kanë futur thikën pas shpine liderit. Por lideri këtë kategori e shmangu, i largoi, i shkarkoi siç ishte rasti i ministrit Shkelqim Cani. Ai mbajti afër ata që siç thotë vetë i futën thikën pas shpine. Dhe kjo jo vetëm në një rast por në disa raste çfarë e kthen në zakon vendimmarrjen e liderit në favor të qafirëve dhe në disfavor të meleqëve. Pse u bëka zakon një vendimmarrje e tillë e dobishme për korrupsionin? Ose lideri është i dhënë pas autputit të thikës pas shpine, që do thotë para, pushtet, vota në zgjedhje, ose ai ka probleme të inteligjencës. As kjo e dyta s’e shfajëson edhe nëse e ka kapluar liderin