Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Drejtësia e re, çekani në duart e qeverisë

5 drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë, raportuan në Kuvend, “arritjet dhe sukseset” sipas tyre, por nga ajo që deklaruan vlenin materiale për një libër të madh dështimesh. E para që nisi raportimin vjetor ishte drejtuesja e KLGJ-së Naureda Llagami, teksa foli edhe për hartën e re gjyqësore ajo e konsideroi reformë të domosdoshme, por nuk qe në gjendje t’i japë përgjigje pyetjes së madhe nëse kjo reformë u ka mohuar qytetarëve marrjen e drejtësisë, duke shkrirë disa gjykata rrethesh, ndërsa apelin e kanë sjellë të gjithin në kryeqytet. Kosto për të ndjekur një gjyq në të gjithë shkallët e gjyqësorit tashmë është rritur, aq sa drejtësia vlenka vetëm për “të pasurit”.

I dyti, por jo nga rëndësia raportoi edhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela, një drejtues gjithnjë në udhëtim në takimet ndërkombëtare të punës në konferenca të gjata ku ai flet për “reformën rrënjësore” në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe këtë herë nuk harroi të ankohej se ia kanë hequr kompetencat dhe gati se “pyet kush”, madje as OPGJ-të (Oficerët e Policisë Gjyqësore).

“Policia Gjyqësore është një nga pikat e dobëta të sistemit të drejtësisë. Ne sot kemi mundësuar që çdo prokuror të kemi një polic gjyqësor. Sistemi është i decentralizuar, personi përgjegjës për punën e oficerit të Policisë Gjyqësore është prokurori i çështjes, së dyti është drejtuesi i Prokurorisë dhe më pas është Prokurori i Përgjithshëm. Gjatë vitit të kaluar, kemi 8 raste ku është kërkua procedim disiplinor për oficerë” – tha Çela. Me pak fjalë “kryeprokurori i madh”, paska kompetenca të vogla.

Kreu i ILD-së, (Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë), Artur Metani në fjalën e tij renditi disa nga hetimet dhe masat disiplinore të ndërmarra ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Teksa u pyet nëse ka nisur ndonjë hetim në lidhje me lirimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Metani u shpreh se nuk kishte ankesa për këtë çështje, pavarësisht se ILD ka të drejtën e nisjes se verifikimeve kryesisht.

Me një atribut disi të madh, por në fund doli paksa i vogël mbajti fjalën edhe kreu i Prokurorisë Speciale SPAK, Altin Dumani. Ai iu përgjigj pyetjeve të deputetes së opozitës Albana Vokshki teksa i kujtoi se nuk po hetohen inceneratori i Tiranës, koncesionet në shëndetësi, apo dyshimet e pastrimit të parave të mafias italiane Ndrageta në Bashkinë Tiranë.

“Sa i takon çështjeve që iu përmendni, pjesa më e madhe e tyre janë nën hetim, ndaj të njëjtën mendim me ju për disa çështje që janë të mbartura, dhe e kam ngritur si çështje që kur mora drejtimin e prokurorisë, por unë si drejtues prokurorie kam si detyrë që vetëm të krijoj kushtet që këto hetime të shkojnë përpara dhe më pas janë në dorën e prokurorëve. Shpresoj që në të ardhmen këto çështje të marrin përgjigje” – u shpreh Dumani.

Ndërsa kreu i KLP-së, Alfred Balla u pyet për emërimet nepotike, duke i referuar rastit të paprecedent ku në një prokurori janë emëruar katër familjarë të nënkryetares së Parlamentit Ermonela Felaj. Bashkëshorti, motra, kunata dhe vëllai i saj janë bashkuar në “çerdhen” e institucionit të akuzës në kryeqytet. “Ne nuk i lidhim emrat dhe mbiemrat e prokurorëve me deputetë, disa i dimë dhe disa nuk i dimë. Vetë ju keni shfuqizuar një nen të ligjit në vitin 2019. Ka qenë një koincidencë që në prokurori të madhe të ushtrojnë detyrën anëtarët e të njëjtës familjes” – tha Balla.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram