Edhe pse është kulmi i sezonit të prodhimit, zarzavatet po shiten me çmime të pazakonta. Shtrenjtimi i çmimeve po vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët. Ditën e djeshme(7 gusht) INSTAT raportoi se brenda grupit të ushqimeve, çmimet e zarzavateve, përfshirë patatet, në korrik ishin rritur për të dytin muaj rradhazi.
Në qershor rritja ishte mbi 26% ndërsa muajin e shkuar çmimet e tyre u rritën me 21.6%. Për fermerët dhe tregtarët kjo situatë në fakt ishte e pritshme, ndikuar edhe nga kushtet e motit.
“Prodhimi i sivjetshëm u dëmtua ndjeshëm prej kushteve të motit. I ftohti që zgjati deri vonë, sidomos në muajt ku perimeve iu duheshin temperatura më të larta, ka tkurrur ndjeshëm prodhimin e tyre. Kjo është arsyeja kryesore se pse tregtarët po i shesin perimet në këtë çmim,”- thotë për Gazetasi.al Selim Hoxha, një tregtar i cili shton se sipërfaqet e mbjella në të gjithë territorin e Shqipërisë po tkurren ndjeshëm.
Rënia e prodhimit në Korçë, që është furnizuesi kryesor në vend i qepëve dhe patateve,është një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar. Tregtarët thonë se po hasin vështirësi sidomos në furnizimin me qepë të kuqe për shkak të këtij reduktimi ndaj janë detyruar ta shesin një kg me 120-180 lekë nga 70 lekë që shitej në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
“Nuk e di nëse ka ardhur si shkak i tkurrjes së popullsisë apo faktit që këto dy vitet e fundit fermerët në zonën e Korçës me të cilët bashkëpunoj kanë patur më shumë tendencën për të mbjellë misër dhe grurë, për shkak të luftës. Por ka disa kohë që hasemi me mungesë dhe jemi detyruar që të importojmë,”- thotë një tregtar që shet në rrugën e Elbasanit, për Gazetasi.al.
Një arsye tjetër janë edhe presionet mbi kërkesën që tipikisht rriten gjithmonë në këtë periudhë të vitit për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe dasmave. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj shton kërkesën për prodhime vendi nga supermarketet dhe hotelet. Edhe 1 kg domate, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka arritur në vlerën e 200 lekëve. Të dhënat nga fermerët tregojnë se në fusha kemi një dëmtim afërsisht 40% të kësaj kulture.
Duke parë ecurinë e këtij trendi dhe ndryshimeve klikmatike, që kanë sjellë një situatë të paqëndrueshme në këtë kulturë, eksperti Ilir Pilku deklaroi para disa kohësh për Gazetasi.al se shumë shpejt do të kemi edhe mungesë të domates.
“Në fillim të majit,çmimi i domates arriti në vlerën 50 lekë kg, ndërsa sot jemi në 170 lekë kg, pra rritje e menjëhershme. Është e njëjta situatë si në Spanjë me ullirin dhe në Itali me kultura të tjera”, thotë ai ndërsa shton se është shumë e rëndësishme që fermerët të investojnë në sera diellore.
“Me anë të serave ata do të kenë mundësi të prodhojnë gjithë vitin. Kështu do të përshtaten jo vetëm me ndryshimet klimatike por edhe prodhimet bujqësore nuk do të rrezikohen.”
Aktualisht, fermerët që kultivojnë domate në sera arrijnë të mbjellin dhe të prodhojnë dy herë brenda një viti kalendarik. Fermerët paralajmërojnë se çmimet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale do të mbeten të larta për arsye të mungesës së fuqisë punëtore në fshat që po redukton sipërfaqet e mbjellja dhe po ndikon të prodhimi, teksa kërkesa për eksport është në rritje. INSTAT raportoi se eksporti i zarzavateve në 6-mujorin e parë të këtij viti u rrit me 16%