Nëse konfirmohet përmbajtja e plotë 13-minutëshe e videos pirate në Bashkinë e Kukësit, ku përtej seksit dalin zbuluar pazare për tenderë me vajzën që shiste trupin përpara, jemi përballë një skandali shtetëror.
Të bënin porno në zyrën e kryebashkiakut përballë flamurit shqiptare dhe atij evropian, ishte moralisht e dëmshme për protagonistët, por kurrsesi vepër penale. I parë nga një sy “perëndimor”, aktin e rëndë në planin e moralit e balanconte në një fare mënyre e drejta për këdo për të pasur një jetë intime dhe private qoftë kjo dhe në një zyrë shtetërore. Në kësisoj rastesh në Perëndim, do të konsiderohej si penal veprimi i atij që filmon pa autorizim dhe jo i atij që filmohet. Marr si shembull kandidatin e mazhorancës së Makronit për kryebashkiak të Parisit në zgjedhjet e fundit më 2020, i cili u filmua “piratisht”, u dënua moralisht, dha dorëheqjen zyrtarisht, por procedura e vërtetë penale iu rezervua posaçërisht atij që organizoi filmimin e momenteve intime.
Nga ky këndvështrim i gjërave, përtej pështirosjes, ndjeva një farë mëshire për Safet Gjicin që dhe në gjestet e tij shtazarake meritonte humanizëm, sepse fundi i fundit, po bënte seks dhe jo luftë, nuk po i shkaktonte dem askujt, dhe për më tepër po e filmonin vjedhurazi.
Por, videoja e plotë 13-minutëshe e ndryshon radikalisht këndvështrimin sesi duhet ta trajtojmë tani këtë skandal. Ai nuk është me moral, por mega-penal.
Në këtë kuptim, mëkati i tij nuk është seksual, por i ngjashëm me atë të qindra të zgjedhurve të tjerë që përdorin taksat e qytetarëve për qëllime shumë më “të moralshme” sesa ky, si pagesa e shkollës private për fëmijët, apo e një çante të shtrenjtë për bashkëshorten. Në një shoqëri ku morali patriarkal, sundon mbi atë qytetar, këta të dytët konsideorohen burra të ndershëm, ndërsa Safetit të gjorë i gjuajnë me gurë. Dhe kështu do të ndodhë deri sa të arrijmë të kuptojmë se, në fakt janë e njëjta gjë. Ndahen vetëm në një pikë, nga mënyra se si e konsumojnë pushtetin e pamatë që na kanë rrëmbyer.