Arben Ahmetaj deklaroi se “biznesmenë të ndryshëm hanin qofte me Edi Ramën në ballkonin e kryeministrisë dhe më pas shpalleshin investitor strategjik”.
Ahmetaj tregoi atë që ka parë nga brenda mbi ngjizjen e investitorëve strategjike, shumë kohë përpara se publiku të njihej me vendimet e Edi Ramës për shpërndarjen e pronave publike, sidomos ato bregdetare, në duart e disa “klientëve të preferuar”.
Ligji “Për investimet strategjike” u shpall me qëllimin për të thithur investime të huaja serioze, por përfundoi tek një grusht biznesmenësh vendas, si edhe tek miq, shokë e madje deri tek gaztorë të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Por, për Ramën, nuk mjaftoi vetëm ky ligj për të përmbushur etjen e oligarkisë për të gllabëruar prona publike e për t’i shndërruar në asete për përfitime të kompanive të tyre.
Këtë të Enjte, maxhoranca parlamentare miratoi disa amendime në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, ku i hapet rruga betonizimit të parqeve dhe zonave më të vyera të natyrës shqiptare.
Ekspertë të mjedisit dhe grupe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar prej javësh e muajsh këtë iniciativë të “12 deputetëve socialist” dhe të përkrahur nga qeveria.
Opozita, në të të gjithë fraksionet e saj, gjithashtu e ka kundërshtuar projektin e Edi Ramës, të fshehur pas “12 deputetëve”, për shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe shndërrimin e tyre në resorte betoni për një grush biznesmenësh.
Bashkimi Europian, nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Tiranë, gjithashtu ka shprehur rezerva për këto amendime ligjore, të cilat cënojnë kriteret për avancimin e vendit drejt Unionit.
Por, asgjë nga këto nuk e ndal Ramën që të vijojë në projektet e tij shkatërruese. Ai nxori, ose më saktë keqpërdori, ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, për të mbrojtur idenë dhe votën e maxhorancës për të lejuar ndërtimet në zonat e mbrojtura.
Sot, ato projekte, si edhe të tjera, janë në letër, pasi kanë pritur miratimin e ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.
Tashmë që maxhoranca vendosi me forcën e kartonit që të lejojë ndërtimet në zonat e mbrojtura, mbtetet për t’u parë se cilët do të jenë oligarkët “që janë qofte me Edi Ramën në ballkonin e kryeministrisë”.
Natyrisht, pritet të jenë thuajse të njëjtët biznesmenë “investitorë strategjikë”, të cilët po mbarojnë projektet e tyre në bregdetin e Jugut dhe tashmë kanë hedhur sytë në çdo cep të Shqipërisë, ku natyra është zhvilluar e paprekur nga njeriu për shekuj me radhë.