Ditë më parë Lulzim Basha na lajmëroi se ai po kthehet në krye të PD-së zyrtare. Edhe pse dukej se gjithçka ishte e shoqëruar me një përpjekje për të kuruar çdo detaj, në faqen e tij në ‘Facebook’ interesi la për të dëshiruar. Postimi i kësaj daljeje me zë, figurë dhe titra, në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’, mori vetëm 670 ‘likes’, 200 komente, shumica kundër, dhe 37 ‘shares’. Ndërsa me gjuhën e trupit, në atë dalje të beftë, si gjithnjë, ai dukej i pasigurtë dhe gjithë frikë se si do pritej.
Të njëjtën skenë e përsëriti edhe të shtunën në Shkodër, po me të rinj, po me atë kujdesje, po me atë retorikë fjalësh që nuk të mbeten fare në mendje, por me të vetmin ndryshim, marka e bluzës që mbante në trup, këtë herë ishte ngjyrë kaki alla Volodymyr Zelenskyy.
Pas 1 viti e dy muaj pushim nga dorëheqja, edhe kjo me stilin e tij, befas, Lulzim Basha i ka mbushur mendjen vetes se po realizon një kthim triumfator dhe shqiptarët duhet të emocionohen nga kjo ‘sakrificë’ që ta bën mishin kokrra-kokrra. Se ky kthim është gati-gati si kthimi i Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, apo kthimin e Ismail Qemal Vlorës në Vlorë më 28 nëntor 1912.
A është Lulzim Basha ai që e shkatërroi dhe e ndau Partinë Demokratike? A është ai autori i asaj që po ndodh në këtë parti dhe në asnjë moment nuk pati aftësinë, kurajën dhe guximin për të bërë të mundur ta ruajë këtë parti nga përçarja dhe ndarja e madhe ku ajo ndodhet aktualisht. Përbetimet e tij se ai e mori këtë apo atë vendim për të shmangur përçarjen e partisë, janë të denja për ta besuar vetëm ndonjë me IQ të ulët nga ata që e rrethojnë.
Lulzim Basha si kryetar i PD-së krijoi perceptim se kjo parti ishte jo vetëm dualiste me Sali Berishën, por nuk kishte asnjë vendim të marrë pa direktivën dhe impenjimin e tij. Në realitet kjo nuk ka qenë kështu. Ishte Sali Berisha që e mbështeti Bashën të zgjidhej kryetar. Ishte Berisha ai që e mbështeste gjatë kohës që Basha ishte kryetar dhe ishte po Berisha që bëri gabimin e madh që mbeti pjesë aktive e politikës edhe pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së. Në këtë mënyrë, Lulzim Basha edhe kur Berisha nuk ndërhynte, krijonte perceptimin se ishte ai që nuk e linte rehat, se ai i ndërhynte dhe se ai e impononte në marrjen e vendimeve. Përgjatë kohës që Basha ishte kryetar i PD, të gjithë mendonin se Sali Berisha ishte në fakt kryetar real i PD-së. Justifikimet se nuk e linte Berisha për të punuar mirë, janë të kota dhe askush nuk e hamendëson dot sot si do kishte qenë karriera e Bashës pa ndihmën e Berishës.
Lulzim Basha mbetet një humbës serial. Gjatë kohës që ai ishte kryetar, PD humbi të gjitha betejat e saj politike. Humbi zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, humbi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017 dhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në masën e njerëzve u krijua perceptimi se me Lulzim Bashën kryetar, PD nuk vjen kurrë në pushtet.
Lulzim Basha mori vendimin e dytë absurd dhe kontravers në historinë e politikës shqiptare duke mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Jo vetëm dëmi i daljes nga sistemi për herë të dytë, por kjo tërheqje krijoi një bazë që Edi Rama dhe Partia Socialiste ta zgjeronte pushtetin duke lënë hapësirë të konsiderueshme që do sillte pasoja për PD-në në çdo garë elektorale të mëpasshme.
Lulzim Basha nuk e drejtoi kurrë PD-në me parime demokratike. Gjatë kohës që ai e drejtoi këtë parti nuk u shqua kurrë për demokraci të brendshme dhe funksionale. PD mbeti një parti e kryetarit për kryetarin dhe vota nuk ishte institucion.