“Kam ardhur si kryeministër i Kosovës në një shtet me të cilin kemi marrëdhënie vëllazërore,”- tha që në fillim Albin Kurti në tubimin e Tetovës. Pasi e ngriti në qiell Maqedoninë e Veriut, që, veç të tjerash, është ndër njohëset e para të Kosovës, lideri i VV, foli për forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve.
Njësoj edhe në Shkup, kur mikpritësi ishte kryetari i Komunës nga BDI, Visar Ganiu. Mijëra pjesëmarrës, në të dy mitingjet. Pritje madhështore ku nuk munguan edhe disa elementë nacionalistë, por asgjë shqetësuese. Debati filloi kur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në rolin e policit të Ballkanit, e quajti skandaloz, nacionalist. Ajo që veçoi më shumë ishte paraqitja e Kurtit si “Kryeministër i shqiptarëve”.
Një rol që prej kohësh Presidenti serb është munduar t’ ja japë Edi Ramës, duke propaganduar binomin e tyre si faktorin e stabilitetit në rajon. Pasi Vuçiç shpërtheu nga zemërimi, Presidenti i Maqedonisë, vendosi të ishte guri i dytë i dominosë, duke i fryrë një zjarri që ka për detyrë ta shfryjë. I mori elementët nacionalistë dhe u mundua ta vishte me to gjithçka ndodhi në Shkup dhe Tetovë, duke mbjellë një erë që mund të sillte edhe stuhi, nëse do të merrej si lëvizje origjinale.
Në fakt, as Vuçiç as Pëndarovksi nuk kishin asnjë arsye për tu shqetësuar për mitingjet, nëse do të kishin prioritet stabilitetin. Më të shqetësuar duhet të ishin Ali Ahmeti në Maqedoni dhe Edi Rama në Shqipëri.
Të dy tubimet kishin aq shumë pjesëmarrje dhe aq shumë entuziazëm, sa dukej sikur donin të jepnin mesazhin se shqiptarët, edhe në Maqedoninë e Veriut, i mbështesin qëndrimet e Kurtit në krizën që po vazhdon me Serbinë, pavarësisht kritikave të Ramës dhe Ahmetit. Në ato dy tubime nuk u fol asnjë fjalë kundër liderit të BDI apo Kryeministrit të Shqipërisë, sepse ishin aq përbashkues sa çdo fjalë do të ishte e tepërt. As integriteti i Maqedonisë së Veriut, as stabiliteti i Ballkanit, ato tubime kërcënuan vetëm presionin që po bëhet mbi Kosovën për të favorizuar edhë një herë Serbinë, duke i dhënë legjitimitetin të drejtojë ‘de facto’ Veriun. Kërcënuan ata që me stabilitetin fals duan t’ i vënë kapakun një krize permanente dhe ta lënë aty përjetësisht.
Ato tubime kërcënuan bashkëpunimin e shtirur që prodhon vetëm mbipushtet për autokratët në vend të zgjidhjeve përfundimtare. Kërcënuan Ballkanin e Hapur, nga i cili Vuçiç nuk pranoi të heqë dorë, duke fituar edhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut. Ato tubime, treguan se partneri i Vuçiç në ndërtimin e fasadës së stabiliitetit, nuk e ka mbështetjen popullore për ta bërë këtë, dhe ky proces nuk mund të jetë pronë e dy autokratëve. Paqja nuk mund të vijë si marrëveshje e autokratëve që u imponohet qytetarëve. Asgjë që nuk bazohet në vullnetin e lirë të shprehur në mënyrë demokratike, nuk mund të ketë jetëgjatësi.
Vuçiç kishte shumë të drejtë që shpërtheu. Ato tubime i rrëzojnë fabulën me të cilën fiton mbështetjen Perëndimore për të mbajtur pushtetin me të gjitha mjetet. Ai duhet të fliste edhe për Edi Ramën, që këtë herë nuk gjente dot justifikime për ta akuzuar Kurtin.