Kryeministri Edi Rama deklaroi para tri javësh në emisionin “Opinion” se më datë 4 korrik, ditën e lindjes së tij, pret një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I pyetur se pse nuk udhëtonte në SHBA, Rama deklaroi:
“Po pse për çfarë të shkoj në SHBA, për turizëm? Akoma me McGonigal? Ha më Fevzi, a të kujtohet që menduan që doli McGonigal dhe rrëzuan qeverinë?
Pres të kem një dhuratë shumë speciale nga SHBA për ditëlindjen time, më 4 Korrik dhe do ta ftoj dhe Beratin (Buzhalën) me shumë kënaqësi, ta ndajë atë dhuratë me mua, sepse do jetë shumë i lumtur kur ta ndajë”, tha Rama, por pa dhënë detaje të tjera përse bëhet fjalë.
Por a është arrestimi i Dakos një kundër-dhuratë e Edi Ramës për Uashingtoni?
Në vitin 2019, Dako u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor.
Pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama nuk ndërmori asnjë hap publik për t’u distancuar prej tij. Pak muaj pas vendimit të Departamentit të Shtetit, në emisionin “Opinion” ai deklaroi se Dako do të mbetej përherë miku i tij.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im.
Por me Vangjush Dakon nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar as nuk i kam kërkuar, as nuk kemi bashkëpunuar as kemi kërkuar bashkëpunim të të tjerëve, asnjë shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi në atë kohë kryeministri Rama.