Pavarësisht se çfarë ndodh në SHBA, kush President bie e kush ngrihet në detyrë, ne shqiptarët do mbesim gjithnjë populli më pro-amerikan në botë. Megjithatë së fundmi shihet një rënie e besimit. Midis dy vendeve të populluara nga shqiptarët, Republika e Kosovës dhe Shqipëria, ka një diferencë të theksuar të numrave të besimit dhe përkrahjes për lidershipin amerikan: Kosova 90 % me një rritje +1 % dhe Shqipëria 69 % me një rënie prej -13 % nga viti i kaluar kur përkrahja ka qenë 82 %.
Por PSE PO NDODH KJO? Si është e mundur që SHBA vetëm vitet e fundit ka mbështetur Shqipërinë me anëtarësimin e saj në NATO, me dhënien e Bazës së Kucovës për të mundësuar garanci për sigurinë e saj, ka zgjedhur Shqipërinë si bashkë-penmbajtëse në Këshillin e Sigurimit dhe po përpiqen të rrisin investimet e tyre? Arsyeja të con vetëm në një konkluzion: keqqeverisja e Shqipërisë dhe keqpërdorimi i SHBA-së nga autokrati i korruptuar i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama pavarësisht se ka ndërtuar një regjim korruptiv, abuzues, ka kapur shtetin e së drejtës, sillet sikur është i zgjedhuri i tyre në Shqipëri. Për një periudhë Rama është sjellë sikur përfaqëson interesat e SHBA-së në Shqipëri duke polarizuar politikën Shqiptare. Opinioni publik nuk e pranon monopolizimin e marrëdhënieve me SHBA nga një individ. Akuza amerikane kundër McGonigal, ku Rama rezulton se ka tentuar të manipulojë dhe korruptojë individë të institucioneve amerikane për të goditur liderat e opozitës, ish-presidentin e Republikës, ka revoltuar opinionin publik, i cili kërkon një distancim të qartë të administratës ndaj veprimtarisë së zotit Rama dhe që drejtësia të funksionojë.
Arroganca e Ramës edhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve amerikane: ndaj sekretarit të shtetit (nuk mund të më tregojë se kë duhet të kem shok); apo ambasadores amerikane (më duket sikur është sekretare e komitetit të partisë së punës); apo opinionet e tij për presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2016 si turpi i civilizimit, tregon se Rama ka si garantues të pushtetit të tij grupe interesi në SHBA, sic është fondacioni Soros. Mungesa e qëndrimeve nga zyrtarë amerikanë, diplomatë, të cilët janë të angazhuar edhe në diskutimet dhe cështjet më të zakonshme, ka krijuar një ndjenjë mospëlqimi në opinionin publik. Për opinionin public mbeten të panjohura se cilat janë interesat e grupeve të presionit dhe ku janë reagimet e institucioneve të SHBA-së.
Rama përdor instrumentet e politikës amerikane në mënyrën më selektive duke relativizuar dhe përdorur për pushtetin e tij. Përdorimi pa kriter i ‘non grata’- s për liderin e opozitës, Sali Berisha, ka krijuar një kundër-reagim popullor, ku opinioni publik gjithmonë e më shumë mendon se Rama dhe lobistët e tij janë shtytësit kryesorë për këtë qëndrim. Për më tepër kur Rama është protektori i ‘non-gratave’ të tjera, të cilët janë pjesë e aleancave të tij në parlament, ose i përdor për vota në Durrës apo në qytete të tjera.
Ka vetëm një arsye pse Rama kërkon të zbehë politikën amerikane në Shqipëri: Zgjatjen e pushtetit të tij personal.