Që Big Brother ndiqej masivisht kjo dihej, por ‘babëzia’ e këtij edicioni të dytë të VIP-ave që janë futur në atë që quhet shtëpia më e famshme në Shqipëri, është në tjetër nivel.
Fenomeni Big Brother prej kohësh ka arritur në termat e globalizmit dhe pjesë e këtij “fshati global” është bërë dhe Shqipëria, por masiviteti i saj duket se ka arritur majat, aq sa të bëjë shqiptarët të futen brenda në shtëpi.
Shkoi deri aty, sa për një prej protagonistëve u organizua edhe një protestë nga mbështetësit e tij. Madje shkoi puna deri aty sa u protestuesit u shtynë fizikisht me policinë vetëm e vetëm që prania e tyre afër shtëpisë t’i tregonte konkurrentit nga muri matanë se “është hero, e gjithë Shqipëria e do”.
Shumëkush në subkoshiencën e tij mund të mendojë se “çfarë më shtyn ta shoh kaq shumë këtë reality shoë?”. Filozofi i madh, Spinoza, thoshte se “është ndërgjegjia ajo që i shtyn njerëzit të kuptojnë dëshirat e tyre, por është injoranca ajo që nuk i le të kuptojnë arsyet e këtyre dëshirave”.
Pra, ndodh që një pjesë e madhe shkojnë drejt një drejtimi pa ditur se kush i shtyn, pa kërkuar pse-në e herë herë përbuzin dhe arsyen sepse gjithçka u duket e mrekullueshme. Duke provokuar kënaqësi, teleshikuesit kthehen në vëzhgues të magjepsur, më pas shtoji dhe dozën “VIP” programit dhe e bën atë akoma më tërheqës.
Banorë të tij janë bërë imazh kult për fansat e tyre, madje dhe politika është përpjekur ti përdorë ata për të fituar simpatinë e militantëve. A mos ndoshta ky “serial televiziv real” përmirëson inteligjencën tonë sociale, apo po sjell rregullat e botës së re moderne? Një gjë është e sigurtë, fenomenet e shoqërisë shqiptare po prezantohen me gjithë kompleksitetin e tyre në hijen e vëllait të madh.
Dihet tashmë se dëshirat e masave dhe ajo që i tërheq më shumë janë aktet imorale, dhe ky reality-shoë ofron argëtim për një publik të mbieksituar që kthehet në një spektator pasiv, ku ndjenjat e mendimet mund t’i zbrazin tani në rrjetet sociale. Pa kuptuar se po humbin një pjesë të mirë të kohës bëhen njësh me televizorin për orë e orë.
Formula duket të jetë e thjeshtë, një publiku që konsumon në shumicën e jetës së tij televizion e që dashuron thashethemet, duhet ti servirësh vetveten, ose me saktë një karakter të jetës së përditshme ku ai të gjejë të reflektuar nevojat dhe reagimet e tij.
Gënjeshtra më e madhe e këtij reality, është shprehja jam vetvetja. Askush s’mund të jetë vetvetja brenda një situate të imponuar, nën trysninë e telekamerave dhe situatave të improvizuara.
Fare mirë e komentonte ditë më parë gazetari Ergys Mërtiri se “Big Brother eshte nje menyre per te peshkuar audience me lehtesi, pa u lodhur.
Duke shfaqur produkte qe i drejtohen instiktit dhe jo arsyes, qe shfaqin vulgaritetin dhe jo finesen, qe spektakolarizojne vesin dhe jo virtytin, idiotesine dhe jo mençurine fitohet audience te kurriz te vlerave.
Shoqeria e bigbradherizuar humbet vlerat, kulturen, humanitetin, autenticitetin duke u natyralizuar me marrezine, vesin, banalitetin, anormalitetin. Shkurt Big Brother kontribuon ne degradimin kulturor te shoqerise,” tha ai.