Që prej 10 korrikut, ex-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj është në kërkim për tu arrestuar pasi SPAK e akuzon si të përfshirë në çështjen e inceneratorëve, një aferë e nxehtë që tashmë nuk mbrohet dot nga askush, as nga qeveria. Por më shumë sesa leximi i reagimit të Kryeministrit që Ahmetajn e shfaq si një të besuar që hëngri “dardhë e molla” pas shpine, apo sesi ministrat distancohen publikisht nga veprimtaria e tyre ligjore në çështje, një qëndrim nga SHBA, në këtë situatë ende nuk ka ardhur.
Nuk do të kërkohej me gjasë një qëndrim publik i Ambasadës, në rast se do të ishte një qasje e munguar në rastet e tjera, por mjafton të sjellim ndër mend se përfaqësia kërkoi me urgjencë dokumentet e lirimit të Saimir Tahirit, pasi e ndoqi procesin gjyqësor me një konsistencë të vazhdueshme, apo si në rastin e Lefter Kokës, një tjetër i arrestuar për inceneratorët, për të kuptuar se në këtë rast, diçka ka ndodhur.
Ka qenë vetë Yuri Kim, që fill pas arrestimit të Kokës i tregoi se mund të vraponte por jo ti fshihej ligjit, një mesazh i qartë se SHBA ishin në dijeni të plotë të veprimeve të ish-ministrit në përpjekjen për ti shpëtuar procesit.
Por në rastin e Ahmetajt, kjo nuk ka ndodhur. Cilat janë arsyet?
Skenarët që përfliten më së shumti në media lidhen me prapaskenat e denoncimeve të Ahmetajt. Në disa media pranë qeverisë, raportohet se ish-ministri është afruar në diplomacitë ndërkombëtare për të kërkuar azil politik. Por a ka shkuar fillimisht në ambasadën amerikane? Deri ku janë në dijeni amerikanët për versionin e ish-ministrit për inceneratorët?
Një tjetër skenar që vë në lëvizje ujërat është krejt i kundërt nga i pari, por lidhet me leximin që ambasada po i bën hetimit të Ahmetajt, duke mos e parë si sukses shpalljen e urdhër-arrestit por si dështim të drejtësisë që nuk arriti të ekzekutonte masën që kërkoi me ngulm në Kuvend.
Ku është e vërteta? Në këtë rast, mund të jetë diku në mes. Në fakt, ambasada Amerikane ende nuk ka një ambasador zyrtar. Zv.ambasadori aktual, Demian Smith po ushtron me kompetenca të plota zyrën e drejtuar më herët nga Kim deri në ditën kur në Shqipëri të vijë ambasadori i ri, David Kostelançik. Por edhe në këtë rast, nëse Smith nuk do të merrte përsipër një qëndrim që do ti takonte ambasadorit, tashmë është e ditur, se reagimet nga ambasada nuk janë qëndrime private por të dakortësuara me Departamentin Amerikan të Shtetit. Në këtë rast, DASH nuk ka një qëndrim. Për të parë sesi do të jetë leximi që SHBA do ti bëjë çështjes do të duhet të presim vjeshtën, kur David Kostelançik të mbërrijë në Shqipëri, kohë që sipas gjasave do të jetë e ngjeshur me vizita në SPAK.