Duke dëgjuar Kryeministrin në Asamblenë e PS, dukej sikur i vetmi ndryshim i domosdoshëm në qeveri, ishte shkarkimi i Edi Ramës. Aq shumë e akuzoi veten për golemizimin e bregdetit në Jug, për fshatrat turistikë që janë bërë lagje banimi në vend të ishin resorte dhe hotele, për mungesën e investimeve të mëdha të huaja në turizëm, sa edhe opozita, edhe SPAK, duhet të mbanin shënime.
Në vitin e dhjetë qeverisës, Rama i dha edhe publikut dy mesazhe të forta. Së pari ua bëri të qartë se ka ende ambicie të pashtershme për të mbajtur pushtet dhe e dyta, që është edhe me më shumë rrezik, ishte se qartësisht e shprehu se forma për të mbajtur pushtetin është korrupsioni që po e kthen në normalitet dhe vrasja e demokracisë.
Megjithëse gjatë fjalimit programatiko – propagandistik, u mundua të mblidhte dëshmitë e bashkëpunëtorëve të tij se nuk është autokrat, se debaton hapur me stafin dhe jo gjithmonë del ajo që do ai, në fund, në arbitraritetin që mund ta kishte zili edhe Putini, u komunikoi fatin e jetës personave, pa u dhënë as shpjegimin minimal. Mbrojtja që u mundua t’i bëjë sjelljes prej autokrati, nuk kishte asnjë lidhje me partinë, asnjë lidhje me ata që do i bënte kurban për të freskuar imazhin e tij me konsum 25-vjeçar, as me publikun që prej kohësh identifikon shtetin me pushtetin dhe institucionet me Edi Ramën.
Ai nuk mbajti përgjegjësi për asgjë në fjalën e tij. Asnjë ndjesë, asnjë mësazh se do ndryshonte diçka në qeverisje dhe mbi të gjitha u tregoi drejtuesve të PS-së, deputetëve dhe ministrave se për të bojatosur imazhin personal, disa “dele” të majmura ministra që qëlluan të gjitha gra, i shkarkon, i fyen, i degdis diku pa adresë të saktë, por sërish nuk duhet të bëjnë zë, sepse i duhet të jenë mirënjohes që nuk po i kap vetë prej veshi për t’i çuar vetë në SPAK.
Të katër ministret e shkarkuara ulën kryet dhe bënë hesapet se si do jetë e nesërmja, duke ia ditur mirë vlerat vetes që në fund të fundit ishin ca anonime që ai i bëri të mëdha dhe në fund është po ai që ka të drejtë të bëjë çtë dojë me ta. Dhe kush guxon ta kundërshtojë, apo të mendojë pa vepruar fare kundërshtimin është një derë purgatori që hyn me këmbët e tua dhe mund të mbesësh gjatë pas hekurave.
Dhe sikur për një moment të besohet se Kryeministri është liberali që nuk duket, në vend të autokratit që duket, sikur të harrohet që raporti i tij me respektin për ligjin, ka qenë i tillë edhe në Bashkinë e Tiranës, edhe sikur të mos dihet se një drejtori e auditit të brendshëm që quhet Drejtoria Antikorrupsion, ndodhet në Kryeministri dhe duhet të funksiononte sidomos në rastet e akuzave dhe ankimimeve, edhe sikur të merret e mirëqenë se nuk i ka dëgjuar kurrë akuzat e opozitës dhe nuk i ka lexuar raportet e Departamentit të Shtetit apo të Komisionit Europian për nivelin e lartë të korrupsionit në të gjithë nivelet, apo investigimet e mediave serioze që po konfirmohen nga SPAK, përgjegjësia politike e Kryeministrit nuk mund ta lejonte atë që vazhdonte detyrën.