Nuk janë të pakta ngjarjet kriminale të ndodhura brenda terroritorit të Shqipërisë që sot ende kanë mbetur pa autor. Madje edhe ato krime që kanë ndodhur në mes të ditës me diell në mes të kryeqytetit.
Pa dyshim një nga enigmat më të mëdha është ajo e emrit MOST WANTED në Shqipëri, Ervis Martinaj.
Dosja hetimore për zhdukjen e Ervis Martinajt, që sipas denoncimit të familjarëve të tij rezulton i humbur që prej datës 9 gusht mund të kalojë në SPAK dhe nga hetimet paraprake të deritanishme nuk përjashtohet mundësia që 40-vjeçari i shumëkërkuar të jetë vrarë.
Hetimet për zhdukjen e Martinajt kanë vënë në përgjim të përhershëm telefonik dhjetra persona, mes të cilëve edhe oficerë policie e punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit.
Mes këtyre përgjimeve ka dhjetra raste kur ‘personat subjekt përgjimi, mes të cilëve edhe oficerë policie, shfaqen të shqetësuar’, madje edhe me përshkallëzim veprimesh me shpresën se nuk do të zbulohen ‘që kanë pasur kontakte e dijeni me Ervis Martinajn’.
Ervis Martinaj cilësohet si bosi i lojërave të fatit në kryeqytet. Pikërisht ky treg i ka siguruar atij të ardhurave miliona euroshe në vit dhe bashkë me to edhe përplasje me grupet rivale për kontrollin e këtij tregu.
Një përplasje e tillë, ku Ervis Martinaj është përfolur se ka qenë i përfshirë është ajo e tetorit të 2013-s, kur në Komunën e Parisit mbeti i vrarë Elvis Doçi, gjithashtu biznesmen në tregun e lojërave të fatit. Vrasja e Doçit edhe sot, pas gati 9 vitesh është ende pa autor.
Policia tha se do ta zbardhte shpejt ngjarjen, ndërsa Ervis Martinaj ishte personi kryesor i dyshuar.
Një tjetër ngjarje ku humbi jetën dhe një person i pafajshëm që nuk kishte lidhje me ngjarjen ishte ajo e Don Boskos.
Nga të shtënat me armë brenda një lokali humbi jetën gruaja që punonte si kameriere. Ngjarja që tronditi zonën ndodhi në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit, person me precedent të theksuar kriminal.
Banakierja e lokalit, Mimoza Paja, 58 vjeçe është qëlluar për vdekje, ndërsa janë plagosur Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli. Lidhur me ngjarjen asnjë i arrestuar.
Dhe patjetër nuk mund të harrojmë të shtënat mbi televizionin kombëtar Top Channel, një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura ndonjëherë, e cila pasoi me vdekjen e gjithashtu të një njeriu të pafajshëm, të rojes së sigurisë.
Kur ka kaluar më shumë se 1 javë nga episodi që tronditi opinionin publik ende nuk asnjë emër konkret të dyshuar.
Pavarësisht zotimeve të Drejtorëve të policisë, për reforma apo për të gjunjëzuar botën e krimit, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.