Një çështje së cilës nuk i është kushtuar rëndësia e duhur është ajo e trajtimit të të burgosurve shqiptarë në burgjet e vendeve të ndryshme të Europës. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë humbur jetën në burgjet jashtë si pasojë e dhunës së gardianëve vendas.
Për këtë kujtojmë disa raste, si ai i Refik Matës. Ky i fundit vdiq në burgun Tarakson të Francës. Më 17 dhjetor 2021 ai u gjet i pajetë brenda qelisë së tij. Mata ishte prangosur për vjedhje dhe dënimin do ta shlyente në shkurt të vitit 2022.
Autoritetet franceze thanë se 29-vjeçari kishte kryer vetëvrasje, por familjarët e tij, nuk e besuan kurrë këtë version. Ata thanë se të afërmit të tyre nuk i kishte mbetur shumë kohë që të linte qelinë dhe për këtë fakt nuk kishte asnjë arsye për t’i dhënë fund jetës.
“Vëllai im Refiku nuk kishte asnjë arsye të vetëvritej. Atij i kishin mbetur vetëm disa muaj burg dhe do të lirohej. Mezi priste që të ndodhte kjo”, ka deklaruar Bekim Mata. Familjarët e Refik Matës nuk e besuan kurrë versionin e vetëvrasjes. Për këtë arsye ata kërkuan që në trupin e njeriut të tyre të kryhej edhe një autopsi. Kjo bindje u shtua edhe më shumë nga familja, pas dhunës që gardianët e këtij burgu, mësohet se kishin ushtruar ndaj Refik Matës.
Kjo, pasi më 7 Tetor 2021, vetëm dy muaj, para se të gjendej i pajetë në qeli, Refik Mata ishte shfaqur në seancën gjyqësore për ekstradimin e tij në Shqipëri, me shenja të dukshme dhune.
Sipas familjarëve, ai kishte shenja të dhunës në fytyrë dhe në pjesët e tjera të trupit.
E si për të provuar këtë version, Bekim Mata, dorëzoi në pokurorinë shqiptare disa deklerata noteriale të firmosura nga miqtë e vëllait të tij, të cilët dëshmonin se Refiku ishte dhunuar në qeli. Ashtu si edhe familjarët e tjerë që kanë humbur të afërmit në burgjet e Evropës, pa e ditur shkakun e vërtetë, edhe familja Mata, kreu rrugëtimin e saj ligjor për të kërkuar të drejtën.
Por ndërsa nuk e gjeti në Francë, kjo familje e kërkoi këtë të drejtë edhe te autoritetet shqiptare, që edhe në këtë rast mbyllën sy dhe veshë, duke mos kthyer asnjë përgjigje, për fatin e një qytetari shqiptar, a thua se ai nuk ekzistonte për drejtësinë tonë.
Një fat i keq që duket se i ndjek nga pas shqiptarët kudo që janë, të cilët braktisen nga shteti i tyre, sikur janë në liri, ashtu edhe kur u privohet një e tillë.
“Kur gjykatësi e pyeti se si i ka marrë ato shenja, klienti im nuk dha arsye. Refiku kishte nisur të punonte në burg dhe dy ditë më vonë vëllai i tij kishte vendosur që ta vizitonte. Ai ishte mirë. Ka pasur disa raporte nga drejtuesit e burgut se Refiku fajësohej për disa incidente brenda institucionit të dënimit.
Një tjetër shqiptar që u rreshtua në listën e atyre të shumtë, që humbën jetën në burgjet e Evropës, është edhe Mentor Rexha.
Ai ishte një 36-vjeçar nga Lezha, që vuante dënimin në burgun Plomeur (Plomur) në Francë.
Lajmi për vdekjen e tij në qeli u dha fillimisht nga media franceze, të cilat njoftuan se një i burgosur u gjet i pajetë në këtë burg dhe se i riu me shumë gjasa ishte vetëvrarë brenda qelisë, në orën e para të mëngjesit të datës 1 shkurtit 2020. Por edhe në këtë rast, familjarët nuk e besuan këtë version. Ata hodhën dyshimin se Mentor Rexha, ishte vrarë brenda burgut ku ndodhej prej pak muajsh.
Ashtu si në rastin e shqiptarit Refik Mata, edhe familjarët e Mentor Rexhës, ngritën akuza se i afërmi i tyre ishte dhunuar nga gardianët dhe për pasojë kishte humbur jetën.
Ata hynë në morg, dhe thanë se panë shenjat e dhunës në trupin e të afërmit te tyre dhe i dokumentuan ato.
Si një dëshmi se vdekja e tij nuk ishte ashtu siç autoritetet franceze kishin raportuar, por një vrasje që duhej hetuar.
Por ndërsa në familjen Rexha u hap zia, sipas mediave franceze, i riu u gjet i varur nga rojet e sigurisë brenda qelisë së tij. Por për rastin nuk pati asnjëherë një hetim të plotë, ashtu si më parë, në rastin e shqiptarit Florenc Beqiraj, shqiptari i parë që thuhet se humbi jetën në burgjet franceze.
Ai u raportua se u vetëvra në dhjetor të vitit 2017, në burgun e Marsejës, por që sipas familjarëve të tij 23-vjeçari ishte dhunuar dhe kishte ndërruar jetë më pas në rrethana të paqarta në spitalin Nord të Marsejës. Por ndërsa shumë shqiptarë kanë humbur jetën në burgjet franceze, jo më pak të tillë kanë vdekur të dhunuar në burgjet greke.
Shqiptari Ilia Kareli, por që emrin e tij të vërtetë e kishte Kudret Kume, është ndoshta rasti më i bujshëm që sinjifikon dhunën brenda burgjeve ndaj shqiptarve.
Pamjet teksa ai dhunohej nga gardianët grekë, tronditën opinionin publik në Shqipëri dhe Greqi. Ai humbi jetën më 27 mars 2014. Mediat greke të kohës, shkruan se ai u torturua nga zyrtarët e burgut ‘Nigrita’. Por edhe pse pamjet e dhunës që shpejt bënë xhiron e medias, nuk lanë asnjë mëdyshje lidhur mbi shkaqet e vdekjes së tij, në dosjen e shqiptarit Ilia Kareli, prokurorët shkruan se ai vdiq në mënyrë të papritur.
Por edhe pse pati një hetim të gjatë të çështjes, që zgjati disa vite, dënimet e drejtësisë greke për gardianët dhunues ishin “llastuese”, në raport me veprën e tyre penale dhe dhunën mizore që i shkaktoi vdekjen një të burgosuri, që fati i tij i keq në këtë rast, ishte të qenit shqiptar.
Ndërkohë që organet ligjzbatuese në Shqipëri, duket se kanë gjetur rrugën më të shkurtër, atë të vendosjes së kapakut mbi arkmortin e tyre, duke mos dashur shqetësime, si rruga më e thjeshtë për të mbyllur njëherë e mirë hetimet.