Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Gjuha gjermane – bileta për dalje nga mjerimi

Për shumë njerëz, veçanërisht ata në Ballkanin Perëndimor, njohja e gjuhës gjermane është bileta për në tregun e punës atje. 

Për miliona njerëz anembanë botës, anglishtja është bërë një lloj “lingua franca” e re, pra gjuha që ata përdorin për të komunikuar me njerëz jashtë gjuhës së tyre amtare. Në botën e globalizuar dhe të digjitalizuar të kanaleve të shumta të komunikimit dhe ekonomive të ndërthurura ngushtë globalisht, njohja e gjuhës angleze është e vetëkuptueshme, mbi të gjitha në botën e biznesit dhe tek të rinjtë. Me këtë gjuhë ata mund të komunikojnë në të gjithë botën, pavarësisht se ku janë apo ku janë duke udhëtuar.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), anglishtja është kudo gjuha e parë e huaj që mësohet në shkolla. Por menjëherë pas saj në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë (B-H), Kroaci apo Serbi dhe vende të tjera të BP, është gjermanishtja ajo që mësojnë shumë njerëz. 

Ka disa arsye pse të rinjtë mësojnë gjermanishten, por më e rëndësishmja është ajo ekonomike. Gjuha gjermane është mbizotëruese në mesin e të rinjve dhe atyre që duan të studiojnë dhe të punojnë diku në një zonë gjermanishtfolëse.

Megjithatë, nuk qëndron gjithmonë vetëm motivi ekonomik pas dëshirës për të mësuar gjermanishten.Kultura gjermane perceptohet si e rëndësishme dhe interesante, e kjo u forcua më tej gjatë luftërave të viteve 1990.

Të mësuarit e një gjuhe gjithmonë ka të bëjë me njohjen e kulturës që shfaqet në atë gjuhë. Dhe këtu, në shkallë globale, gjuha gjermane është nën presion të madh nga anglishtja, e cila dominon kulturën bashkëkohore – muzikën pop, filmat apo video-lojërat. Dhe nuk duhet të anashkalojmë faktin se ka gjuhë botërore me një numër kaq të madh folësish – si, për shembull, kinezishtja ose spanjishtja – që në krahasim me to, gjuha gjermane është në të vërtetë e vogël. Në të gjitha këto gjuhë, sigurisht që përhapet edhe kultura.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram