Nëse do të pyesësh edhe shqiptarin më të informuar dhe më të lexuar, nuk do të ta thotë me saktësi sesa është popullsia e Shqipërisë dhe sesa shqiptarë ndodhen në atdhe aktualisht. Praktikisht, këtë detyrë e ka INSTAT, por duket se shifrat e kanë trembur aq shumë qeverinë, sa po shtyn vazhdimisht publikimin e statistikës vjetore të popullsisë.
Përveç kësaj, INSTAT ka shtyrë plot tre herë radhazi Censin e popullsisë. Me siguri ka dashur të kursejë, pasi ka menduar që ta bëjë pak më vonë, sepse me ritmin që po ikin shqiptarët nga vendi, do t’i duhet ta bëjë çdo gjashtë muaj. Tradicionalisht, INSTAT e ka publikuar statistikën vjetore në muajt shkurt dhe mars, teksa në këtë vit ishte shumë e zënë dhe vendosi 23 majin si datë.
Gjithsesi, ata që prisnin të shihnin statistikën vjetore, më 23 maj u përballën me lajmin se publikimi i kësaj statistike është shtyrë pa afat. Llogaritja vjetore e statistikave të popullsisë matet duke përfshirë rritjen natyrore të popullsisë, si dhe emigracionin, ku është edhe ngërçi më i madh, pasi me siguri INSTAT nuk e ka aftësinë ta masë këtë tregues.
Nëse marrim vetëm rritjen natyrore të popullsisë, që ka të bëjë me lindjet dhe vdekjet, Shqipëria është rritur me vetëm 0.02% me 2022, pasi shtesa natyrore ishte vetëm 690 persona, ndërsa në tremujorin e parë 2023 shtesa natyrore u kthye në negative për shkak të rënies së lartë të lindjeve. Por kjo rritje është u papërfillshme me numrin e atyre që largohen nga vendi.
Vetëm azil kërkues ishin rreth 32 mijë shqiptarë në vendet e BE dhe në Britaninë e Madhe, pa llogaritur ikjet nga vendi me kontrata pune, bashkim familjar dhe nëpërmjet lotarive. Në janar të vitit 2022 popullsia e Shqipërisë ishte 2,793,592 ose 36,149 banorë më pak se me 1 janar 2021 me një ulje vjetore 1.3%.
Bizneset kanë ngritur alarmin se është ulur shumë konsumi, teksa transporti publik në Tiranë ka raportuar një rënie të pasagjerëve me gati 40% për vitin 2022. Gjithashtu importet e grurit, sheqerit dhe artikujve të tjera në vend kanë pësuar rënie të fortë nga 30 në mbi 40% në 4-mujorin e parë 2023. Kompanitë e importit pohojnë se shkak është rënia e popullsisë sidomos largimi i moshave të reja që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj.
Shpejtësia me të cilën po tkurret Shqipëria ka nevojë urgjente për rifreskim të dhënash, pasi kjo do të ndihmonte të gjitha bizneset dhe jo vetëm për të bërë projeksionet e tyre dhe për të planifikuar investimet. Për të treguar se çfarë do të thotë kjo, në vend po bëhen ndërtime pa hesap dhe pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur të boshatisura.