Intervistë ekskluzive me aktoren dhe regjisoren e madhe Egla Ceno
“…kam patur ‘sulme’ por nuk i kam ushqyer sepse nuk kam dashur që emri im të lidhej me debate rozake. Koha i nxjerr të gjitha të vërtetat në shesh.”
Për publikun e gjërë, kolegë, shokë dhe miq, e njohur më së shumti me emrin “Egla”, ndërsa për më të afërmit dhe rrjetin familjar na rrëfen një emër tjetër, të panjohur nga publiku. Emrin që ajo tregon nuk e përdori më, gjatë emigrimit në Itali, si formë revoltimi ndaj rracizmit që kaplon shqiptarët kur janë në vënde të huaja. Rrebele ndaj padrejtësive dhe krenare për origjinën shqiptare. Puna për Eglen është nder dhe lavdi. Me modestin e saj tregon për lexuesit punët e ndryshme që ka punuar gjatë emigrimit 15 vjecar jashtë Shqipërisë. Një shqiponjë e vërtetë e cila u përball me të gjitha sfidat e jetës duke qëndruar gjithmonë në krye. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeten Telegram flet për lexuesit tanë aktorja dhe regjisorja e mirënjohur “Eglantina Ceno” të cilës nuk dua tja shkurtoj asnjë shkronjë nga emri i saj madhështor. Përvec emrave dhe titujve të shumtë që ajo ka, për ne është artistja e mirenjohur shqiptare e cila na bën të krenohemi me të. Gjatë leximit të intervistës së plotë të aktores, do të njiheni me vështiresitë dhe arritjet, kohën e emigrimit jashtë vëndit tonë “gjatë periudhës më të zezë kundër shqiptarëve në Itali”, Rikthimi në origjinë, punët dhe veprat artistike me të cilat është marr brenda dhe jashtë vendit, projektet dhe programet që ajo ka mbi të ardhmen, portalin e shumëndjekur “Pikante”, rrjetet sociale, realitetin e botës artistike që përfshin vendin tonë, e shumë më shumë, të cilat nuk mund tja u rrëfej, pasi nuk do të dija ti rrëfeja më mirë se çfarë e bën ajo gjatë intervistës të cilën e pasuron me slogan dhe citime origjinale.
Ju uroj lexim të këndshëm duke e falenderuar “Egla Ceno” për këtë intervistë të mrekullueshme që sjell për lexuesit tanë.
INTERVISTA E PLOTË
Brahim:
Së pari të vendosim pikat mbi “i” si ke dëshirë t’ju quaj në pyetësor, Eglantina apo Egla, si ju thërrasin ata që ju u lejoni konfidencë dhe pse. A ke ndonjë emer tjetër apo shkurtim që të thërrasin familjaret, nëse po si është ai.
Egla:
Mund të më quash thjesht Egla. Unë në pashaportë e kam Eglantina Ceno. Nga miq, kolegë e të njohur, njihem si Egla Ceno. Familjarët dhe njerëzit më afër meje që nga fëmijëria më quajnë Tina.
Brahim:
Egla ju keni jetuar ne Itali, sa vite keni jetuar atje, me cfarë jeni marë në përgjithësi, si u integruat në një shtet të huaj dhe pse vendosët të ktheheni në Shqipëri.
Egla:
Kam jetuar afërsisht 15 vjet në Itali. Ika nga Shqipëria menjëherë pasi mbarova Akademinë e Arteve dhe disa shfaqje me kompaninë e parë private Teatrore Shqiptare “Oaz”. Ika sepse unë doja të kisha mundësinë të lëvizja/udhëtoja lirisht dhe në ato vite (2000 e tutje) Shqiptarët nuk udhëtonin dot lirisht. Ika sepse doja një pasaportë që të ma mundësonte lirinë dhe mora pasaportën Italiane. Jam përpëlitur si emigrante në një vend ku sa dëgjonin fjalën “Albanese”, rrudhnin surratin e shanin. Periudha e emigrimit tim në Itali ishte ajo “më e zeza” kundër Shqiptarëve. Mikesha ime Italiane më thoshte: “Egla, thuaj që quhesh Tina se duket si emër Italian”, për të evituar pyetjen “nga je” dhe përgjigjen “Albanese” kur thoja që quhem Egla. Refuzova të prezantohesha me emrin Tina, edhe pse ishte emri im, pasi isha shumë krenare dhe ishte një formë rebelizmi ndaj racizmit të tyre. Kam bërë punë të ndryshme si kamariere, figurante në Opera, figurante në filma, agjente imobiliare, pastaj hapa një dyqan të vogël me dy ortakë të tjerë në provincë të Torinos për shumë vite. Në këtë provincë që quhet San Giorgio Canavese, pata rastin të punoj edhe në profesionin tim meqë kisha shumë afër studiot e një produksioni televiziv, “100 Vetrine”, ku punova fillimisht si aktore dhe më pas si asistent regjisore. Nuk udhëtova nëpër Romë e Milano për audicione (ndoshta e kam bëre 1 ose 2 herë) Fundja nuk është se kisha ndonjë inspirim të madh, të jesh aktore për mua nuk është domosdoshmëri. Avash avash u integrova në mënyrë të shkëlqyer dhe bëra miqësi me njerëz të çmuar që i kam në zemër dhe shkëmbej mesazhe edhe sot. U ktheva për arsye të ngushta personale/familjare, pasi kisha më shumë se 12 vjet që nuk isha kthyer në Shqipëri dhe 4 ditë nga kthimi im këtu, më propozuan një rol. E mora përsipër edhe pse Shqipja ime ishte me kantilenën e gjuhës Italiane. Punova fort dhe dola në skenë me “Motherfucker with the hat”. Pastaj fillova punën me “integrimin” tim në Shqipëri që më rezultoi më i vështirë se integrimi në Itali.
Brahim:
Me cfarë po mereni aktualisht, dhe a keni ndonjë program artistik me Elvisin.
Aktualisht punoj në profesionin tim, si aktore Teatri. Po hulumtoj regjinë skenike dhe kam bërë dy punë si regjisore. Jam duke u marrë me projektin e 3-të si regjisore i cili del në Mars. Do jem aktore dhe asistent regjisore në një komedi Shqiptare që duhet të dalë në skenë në muajin Shkurt. Po merrem me një doktoraturë në fushën e Artit Skenik dhe vitin e ardhshëm kam vendosur të bëj një universitet të dytë që nuk ka lidhje me profesionin tim. E të tjera që tani nuk më vijnë në mend. Elvisi me sa di jeton jashtë Shqipërisë por nëse skena do të na bashkojë prapë, do e bëja me gëzim të madh pasi është një profesionit i shkëlqyer por mbi të gjitha një njeri për së mbari. Është njeriu që bën artistin dhe jo artisti njeriun.
Brahim:
Në faqet tuaja fb-insta-tiktok etj, tashmë jeni berë shumë e njohur për faqen tuaj në formë pikante jo vetem me humorin e mrekullueshëm që keni. Na fol pak si ju lindi ideja dhe cfarë planesh keni për të ardhmen.
Egla:
Mua më pëlqejnë rrjetet sociale, (përveç instagramit që se kuptova dot kurrë si dreqin funksionon.) Aty publiku është më i prekshëm, aty nuk vras mendjen për tu veshur e “pispillosur”. Kur kam ndonjë gjë për të thënë, ndez telefonin dhe “action”! Edhe sikur të jem e sapo zgjuar nga gjumi, rregjistroj pa problem. Të jep një liri në këtë kuptim… nuk kam ndonjë plan në lidhje me këtë, thjesht për momentin më pëlqen.
Brahim:
Format e reja të komunikimit në masë të cilat i japin mundësi pjestarëve të interagojnë me komente ose forma të ndryshme, social mediat etj, a mendon që janë hapësira sociale apo janë kthyer në asocialitet.
Egla:
“Të bashkohemi për tu ndarë”, kjo është tendenca nëpër rrjetet sociale sipas mendimit tim por ka edhe shumë aspekte pozitive. Ashtu si në jetën e përditshme edhe në rrjetet sociale çdokush gjen atë që kërkon. Kujdes çfarë kërkon.
Brahim:
A keni marë ndonjëher komente negative/pozitive, nëse po cili ka qen komenti më negativ/pozitiv, a i jeni pergjigjur atij komenti dhe si i jeni pergjigjur.
Egla:
“Moda” e komenteve është “shaj të shajmë”. Zakonisht komentuesit janë pozitivë nëpër “lëvizjet” e mia në rrjet. Unë vlerësoj kritikat, shakatë, ironinë, budallallëqet por jam intolerante ndaj ofendimeve, sharjeve dhe edukatës së keqe. I bllokoj edhe kur lexoj që më drejtohen me “moj ti”, pasi e konsideroj një formë mungese respekti. Unë nuk do ti shkruaja kurrë “moj ti” një njeriu që nuk njoh, për një opinion që ka shprehur. Sigurisht varet nga mënyra dhe rrethana por zakonisht bëj bllok sepse kam bindjen që njerëzit që ofendojnë e shajnë kanë probleme të thella me veten. Ai që merr sharjet e ofendimet nuk duhet ta tolerojë sepse fundja nuk është as “doktor”, as tabelë qitje. Bllok dhe jeta vazhdon.
Brahim:
Çfarë lidhje ka Egla me teatrin, filmin, televizionin dhe mediat në përgjithesi. Ku mendon se e gjen veten më shumë dhe pse.
Po çfarë të them, po ngeli vetja për tu gjetur nëpër skena, na mori lumi. Vetja gjendet te përditshëria. Për sa i përket Teatrit, Filmit, Televizionit dhe Mediave jam në një fazë që dua të merrem vetëm me çfarë më jep kënaqësi të madhe artistike dhe njerëzore.
Brahim:
Cila ka qenë shfaqja juaj e parë për publikun dhe sì e keni përjetuar atë.
Egla:
Nuk kam bërë një analizë të numrit të punëve të mia në skenë por kam bërë më të mirën e mundshme. Nuk e mbaj mend mirë herën e parë sepse kam hipur në skenë që 4/5 vjeç. Nuk mbaj mend shumicën e punëve që kam bërë, por po të ulem ndoshta edhe i radhis.
Brahim:
A ka pasur Egla momente të vështira në jetë dhe si i ka kaluar ato.
Si gjithë njerëzit e tjerë. Kur fillova Akademinë e Arteve për shembull ishim shumë të varfër, babi sapo kishte vdekur, dy vëllezërit janë më të vegjël. Mami më ka ndihmuar shumë. Punoja në 3 televizione si asistente, montazhiere, regjisore, çfarë të dilte, për të bërë ndonjë lek. Emigrimi pastaj nuk ka qenë fushë me lule. Isha 20-22 vjeç dhe duhej të kujdesesha që të zgjidhja mirë njerëzit me të cilët shoqërohesha. Kjo më ka bërë shumë selektive. Kthimi në Tiranë pas shumë vitesh pastaj, ka qenë i vështirë pasi duhej të integrohesha në vendin tim kësaj radhe. Mentaliteti kishte ndryshuar, zakonet, fjalori, njerëzit…deri dhe te ushqimi ishin ndryshe.
Brahim:
Kush jane miqtë e Eglës që do ti dalloje, ata të cilët janë gjendur afër edhe në momente të vështira të jetës tënde.
Egla:
Kam pak miq. Kjo sepse kam një karakter aq sa në dukje të hapur, në të vërtetë shumë të rezervuar dhe të mbyllur. Janë të paktë ata që kanë depërtuar deri në zemrën time dhe aty i mbaj përgjithmonë. Flas për miq miq, sepse kam shumë të njohur që i dua dhe i respektoj.
Brahim:
A ka armiq Egla dhe a sulmohesh nga ata, armiq është fjalë e madhe sidomos ne boten artistike nuk është terminologjia e duhur, por nënkuptoj artist koleg xheloz për rolet e saj, drejtues që kanë pas hatërmbetje dhe që mund të kenë influencuar në mospërzgjedhje në ndonjë rol etj.
Egla:
Siç thotë edhe poeti: “O zot na ruaj nga miqtë se nga armiqtë ruhemi vet”. Nuk ndiej xhelozi për askënd. Respektoj korrektësinë dhe fshij nga jeta ime njerëzit që më mungojnë respekt si artiste dhe si qenie njerëzore. Mbrapa krahëve nuk di të them çfarë pëshpëritet pasi nuk kam as kuriozitet ta marr vesh, ballë për ballë nuk kam “sulme” siç i ke quajtur ti. Ka patur raste por nuk i kam ushqyer sepse nuk kam dashur në asnjë mënyrë që emri im të lidhej me debate rozake. Fama mediatike është si “barut i lagur” dhe nuk e kam kërkuar as kur isha 20 vjeç, jo më tani pas kaq viteve në këtë profesion. Koha i nxjerr të gjitha të vërtetat në shesh.
Brahim:
Si është të jesh artist në Shqipëri, a ka konkurencë, cili është celësi i suksesit për të ngritur shkallët në botën e teatrit, filmit etj. A mendon se zgjidhen më të mirët, apo ecet dhe aty me privilegje si në shumicën e pozicioneve në vendin tonë.
Egla:
Unë nuk e shikoj veten si “artiste në Shqipëri” por si qytetare në Shqipëri. Sukses quaj kur ngrihesh në mëngjes dhe mundesh të shikosh veten në pasqyrë pa turp. Nuk e kam konsideruar ndonjëherë veten “të privilegjuar” apo “të veçantë” për punën time. Nuk kam parë shkallë për tu ngjitur pasi më mjafton të bëj punën time me përulësi dhe dedikim, siç do të bëja çdo lloj pune tjetër. Nuk jam brenda mekanizmave të përzgjedhjes së aktorëve për role, kur marr një ofertë paraqitem për audicion, kur ka punë të mirë për tu bërë, dua të jem pjesë. Mekanizmat, përzgjedhjet, privilegjet nuk janë zanati im. I mirë apo i keq, kur del në skenë duket qartë çfarë je, s’ka mik që mban.
Brahim:
A ka abuzime në botën e artit ne Shqipëri, dhe a ka artistë që disi arrijne sukses apo pozicione, role që më shumë se nga merita artistike kanë merita të tjera. Kjo pyetje është pak pikante.
Egla:
Mund të jetë pyetje pikante për dikë që ka ndërtuar në mendjen e vet mekanizma abuzimi dhe pushteti. Për një aktore të thjeshtë si puna ime nuk është aspak pikante. Unë e kam ndërtuar jetën time thjeshtë. Si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Nuk kam patur ndonjëherë presione abuzimi apo pushteti pasi nuk më intereson as njëra dhe as tjetra. Ku shikoj që mund të abuzohet me moralin, njeriun apo profesionin, zgjedh të mos jem pjesë. Drejtpërdrejtë nuk kam patur asnjë rast deri më sot ku të më kenë kërkuar apo të kem kërkuar “diçka” më shumë për një rol. Jam pak drastike për sa i përket kësaj kauze, mendoj që njeriu e ka vet veten në dorë, nëse ti i lejon të të bëjnë “viktimë”, apo të të përdorin, atëherë ok, je “viktimë”, por e ke lejuar vet.
Brahim:
Egla deri sot nuk është marë me politikë edhe pse ka qenë kritike në disa raste, a mendon Engla nje karrier të mundshme në politikë në një të ardhme, dhe pse.
Nëse i jam afruar ndonjëherë politikës është vetëm si artiste. Artisti për natyrë duhet të jetë opozitar, ka detyrë qytetare tu japë zë fenomeneve që ndikojnë përditshmërinë dhe politika është një faktor rregullator kryesor në përditshërinë tonë si qytetarë. Unë kam miq të mirë politikanë, si të djathtë ashtu edhe të majtë por nuk përziej dhe ata nuk përziejnë artin tim, me artin e tyre. Njeriu mbi të gjitha.
Brahim:
Për të përfunduar intervisten e cila ishte një bombë me pyetje, dhe mbi të gjitha për ata qe i duan kafshët: Egla a ka kafshë shtëpiake dhe a i don ajo kafshët.
Egla:
Nuk kam kafshë shtëpiake edhe pse i dua shumë. Shpesh përkëdhel kafshët e të tjerëve dhe nuk kam frikë nga to.
Fotografi Egla Ceno
Intervista e aktores dhe regjizores Eglentina Ceno u zhvillua nga Botuesi:
Arch. Brahim Shoshi – Gazeta Telegram
Imazhet, video dhe teksti janë të mbrojtur nga © Gazeta Telegram