Intervistë ekskluzive rrëfim i udhëtimit të nje vajze të hekurt drejt Britanis të Madhe.
“Lumturia ime është larg një biletë”
Rrëfimi i udhëtimit luksoz të një zyrtareje të lartë të shtetit shqiptar, drejt të panjohurës, drejt Britanisë së Madhe. Ndryshe nga pjesa më e madhe e shqiptarëve të cilët, janë drejtuar drejt Britanisë, me gomone ose kamion, në këtë intervistë ekskluzive, rrëfehet një ish punonjëse e institucioneve të drejtësisë shqiptare. Ndryshe nga shumë të tjerë që këtë udhëtim e bëjnë me borxhe, duke rënë viktima të trafikantëve ndërkombëtarë vajza e re, paratë i ka të kursyera nga puna e saj në Shqipëri. Në këtë intervistë ajo rrëfen udhëtimin e saj drejt Londrës, me pashaportë europiane. Këtë artikull e kemi trajtuar si një investigim i realitetit të hidhur, me pyetje të vështira ku edhe e intervistuara në shumë vënde ka hezituar të përgjigjet. Për të mbrojtur privatësinë, në artikull është eliminuar përdorimi i emrave dhe sigurisht pozicioni që ajo ka pasur në zyrat e institucionit të drejtësisë ku ajo ushtronte profesionin. Në këtë rrëfim për gazeten Telegram vajza e re i tregon lexuesit jo vetëm udhëtimin e saj drejt Britanisë por edhe problematikat që e çuan atë të merrte këtë vendim. Iniciativa të mundimshme që Shqipëtarët nga të gjitha shtresat shoqërore kanë marrë nëpër rrugët e botës për një të ardhme më të mirë. Duke harruar që e mira është në vendin e tyre. Në këtë rrëfim të ndjerë të një vajzë të re, e cila edhe pse me poste të mira në administratën shqiptare sërish nuk mundi të bënte një jetë të denjë në vendin e saj. Në këto radhë të kësaj intervistë do të lexoni padrejtësinë dhe pazaret që institucionet shtetërore në Shqipëri, bëjnë me vendet e punës, në administratë duke pranuar edhe rryshfet. Ju ftojmë të lexoni intervisten e plotë të vajzës së hekurt e cila, tregon udhëtimin e saj, dhe denoncon haptas, problematikat shoqërore, istitucionale, humane që po i vuan jo vetëm shtresa e varfër e popullit Shqiptar, por të gjitha shtresat e kësaj shoqërie. Politika e gabuar, varfëria, mungesa e vlerësimit, paragjykimi, shpifja, korrupsioni e padrejtësia, i çon shqipëtarët duke i detyruar ata në udhëtime mjerimi e lluksi në të njëjtën kohë. Po, të gjitha kanë atësi dhe emër, dhe pse haptas nuk guxojmë ti thërasim me emrin e tyre. Vajza e hekurt në këtë rrëfim guxon të na tregojë të gjitha peripecitë dhe arsyet e vërteta të largimit nga Shqipëria edhe pse për të kjo duhet të ishte dëshira e fundit.
Lexim të këndshëm të gjithë lexuesve tanë besnikë duke ju kujtuar që të na shkruani për rubrikën “Telegrami juaj” në gazeten Telegram, sepse është e vetmja rubrikë e cila i jep zë lexuesit tonë. Nëse keni histori dhe rrëfime që doni ti ndani me ne dhe lexuesit tanë mos hezitoni të na kontaktoni.
INTERVISTA E PLOTË
Pyetja 1.
Na fol për veten dhe cilat janë arsyet që keni braktisur vëndin tuaj, për të jetuar ilegalisht në Mbreterinë e Bashkuar?
Unë jam një vajzë e thjeshtë por me ëndrra të mëdha.
Jam lindur në një vend të vogël por me problematika kolosale e me mentalitet të rëndomtë.
E lindur dhe rritur në një familje të thjeshtë e me shumë fëmijë, dhe me të ardhura të pakta ekonomike. Ndoshta duket e pabesueshme por isha një fëmijë vetëm 10 vjeçe kur më duhej të punoja për të ndihmuar familjen time ose më saktë më duhej të ndihmoja babin tim në punën që ai bënte. Punoja pas shkolle, dhe mësoja fort që një ditë të bëj krenarë prindërit e mi.
Nuk e shijova asnjë moment fëmijërinë time duke menduar si një e rritur me moshë të vogël. Ishte situatë kalimtare për të kaluar në një stad tjetër me përgjegjësi e vështirësi më të mëdha, më duhej të largohesha me studime në një qytet tjetër, larg familjes. Familja ime punonte fort që mua mos të më mungonte asgjë dhe mos të ndjehesha inferiore ndaj shoqërisë që më rrethonte. Nëse do thoja që bleja një gjysëm buke me 30 lekë dhe e konsumoja për dy ditë duke e kursyer në mënyrë që mos të shpenzoja mundin e babait tim, ju si gazetarë ose dhe atyre që e lexojnë apo dëgjon mund të ju duket absurde.
Ju betova vehtes që do studioj fort e do ja dal mbanë që gjithçka të ndryshoj në të ardhmen time. Lëvizjet e mia në vendin në të cilin jetova e studiova për 5 vite ishin konvikt universitet-bibliotekë. Nuk dilja kurrë me shoqëri, nuk shijoja asgjë të moshës time. Nëse do pyesni për veshje, ju them pa ndrojtje që gjithçka e bleja te rrobat e përdorura. Mbarova studimet, ashtu me vështirësi të mëdha por me rezultate të larta.
Më duhej provimi i anglishtes për të tërhequr diplomën e masterit, por kostoja e provimit me rëndonte sepse duhej të paguaja 16.000 lekë. Kaq lekë nuk i kisha mundësitë ti paguaja në atë kohë, dhe përsëri nuk më vjen turp të them që ja mora një njeriut tim borxh të cilit ja ktheva pas disa kohe. E arrita edhe këtë pjesë me vështirësi të mëdha. Mendoja se gjithçka tashmë do ecte për mrekulli, duke gjetur punë në bazë të rezultateve të arritura, epo tani që e mendoj edhe kjo ishte një problem më vehte!
Nuk ekziston merita në Shqipëri, nuk ekziston e drejta, nuk vlerësohesh për atë që je e do të bëhesh. Gjithsesi e kalova dhe këtë sfidë duke vazhduar punë si juriste në administratë shtetërore. Punova me pasion, e adhuroja punën që bëja, pretendoja që vleresimet do ishin të drejta duke më lejuar të ngjis shkallët e karrierës pooor joooooo e drejta është e vdekur në vendin tim.
Po mendoja të përfundoja edhe një master tjetër sepse ishte ajo që më pëlqente. Konkurova dhe e fitova masterin shkencor që shumë e adhuroja.
Edhe pse e fitova atë, u detyrova mos të vazhdoj studimet, duke investuar në motrën time të vogël që edhe ajo të mbaronte një master ashtu siç unë e kisha mbaruar në fakt.
Punova për 12 vite si juriste derisa jeta ime po vështirësohej shumë. Monotonia në atë vend medioker dhe pa të ardhme, duke shpifur për jetën time e duke mos më lejuar të jem ajo femra me norma e rregulla strikte por me të ardhme të madhe të burgosej në vetvete e të kerkonte zgjidhje diku tjetër, në një vend tjetër, në një qytet tjetër. Kërkova punë në kryeqytetin e vendit tim. Trokita kudo në administratë shtetërore e cila më përplasej brutalisht në fytyrë. Erdhi një momentë që unë dorëzova diku 7.000 euro për një vend pune në një institucion (të cilin nuk dua ta citoj). Pas 1 muaji lekët fatmirësisht mu kthyen mbrapsht sepse dikush tjetër kishte paguar më shumë se sa unë. U mërzita, po kaloja faza gati depresioni. Pyesja vehten Pseee, Pse, Pse pra një njeri i drejtë që kërkon të ec në jetë, pengohet e përplaset pas mureve si një asgjë. Epo tani do kërkoja diçka jashtë kufijve, sepse nuk do ndaloja, po më merrej fryma në këtë shtet do thoja me gojën plot (kriminal) sepse korrupsioni kishte gëlltitur çdo pushtet e cdo hallkë.
Pse zgjodha Britaninë e Madhe, epo kjo pyetje është njëlloj si të përgjigjesh se përse keni ardhur në këtë botë? Ashtu siç ne vijmë në këtë botë pa na pyetur, ashtu është dhe e ardhja ime në këtë shtet ishte pa e pyetur unë realisht veten time se cfarë kërkoja e cfarë do arrija në UK? Të thoja për një jetë më të mirë, do ju gënjeja ju e do mashtroja veten. Mosvlerësimi i asaj për të cilën ti ke punuar ndër vite, të çone që të marrësh veprime të tilla të cilat do shënjojnë të gjithë të ardhmen tënde. Ardhja ime këtu ishte dramatike, u përballova me një realitet krejt të ndryshëm nga ai që unë mendoja. Të jetosh ilegalisht në këtë shtet është njëlloj sikur dikush ju thith gjakun me pambuk çdo ditë e më shumë derisa venat e trupit të njeriut të mos funksiojnë më. Po tani e them me bindje që ardhja ime në këtë shtet vazhdon të jetë nje gabim jetësor.
Pyetja.2
Sa ju kushtoi udhëtimi drejtë Britani-së, dhe a e financoi dikush udhetimin apo e paguat vete?
Ju më pyesni sa kushton udhëtimi, kurse unë do thoja sa kushton bileta drejt të panjohurës së frikshme. Udhëtimi ka kushtuar një vlerë monetare aq sa mund të përballohet nga shtresa e mesme. Nuk më ka financuar asnjë njeri këtë udhëtim, sepse unë kam qenë në marrëdhenie pune dhe të ardhurat për të ndërmarë këtë veprim kanë qënë pjesë e kursimeve të mia.
Pyetja. 3
Cfarë arsimi keni dhe cfarë punoje në Shqiperi, na fol pak për të ardhurat tuaja atje, shpenzimi dhe kursimet?
Pauzeeee dhe një uffff për këtë pyetje.
E bëj këtë interviste për arsye se më mungon çdo gjë që bëja në Shqipëri.
Kam studiuar fort për Drejtësi (dega Juridik) në sistemin bachelor 3+2, dmth kam mbaruar dhe master shkencor. Shpesh ardhja ime këtu më sjell ndërmend lotët e derdhur para çdo provimi me arsyen e vetme që të bëhem dikushi në profesion si e denjë dhe e pakorruptuar.
Pastaj kuptoj se njerëzit e tillë nuk kanë të ardhme në vendin që të mohon aftësitë, e ngre në piedestal paaftësinë e miqësinë për tu rritur në detyrë. Pagesa nuk ishte e kënaqshme por për nevojat personale ishte e mjaftueshme për veten time. Kursime nuk do preferoja të thoja sepse une jam tip i njeriut që kursej shumë pavarësisht nga niveli i ulët i të ardhurave që ka shqipëria.
Pyetja 4
Cfarë të frikëson, si ju shmange kontrolleve, a ke frikë që mund të kthejnë një ditë mbrapa në vendin tënd, dhe a je e vetëdijeshme që keni hyrë në formë të jashtëligjeshme në Britani, me qënë se keni studiuar juridik, dhe Cila është e ardhmja juaj ketu?
Të punoj ku dhe siç unë dua, për atë që kam punuar fort të diplomohem, në UK ishte një ëndërr që ndoshta nuk bëhet kurrë realitet. Aktualisht nuk më lejohet të punoj, dhe jetoj me familjar të cilët më financojnë gjithcka që unë kam nevoje. Kam probleme me gjuhën angleze por po mundohem sado pak të integrohem me shoqatën shqiptare e cila operon në qytetin në të cilin jetoj. Vështirësi pa fund, duke nisur siç e citova më sipër me gjuhën, pengimi i të drejtës për të punuar, trokitja në dyer të hekurta të cilat nuk hapeshin kurrë për të marrë një përgjigje ligjore ndaj çdo qenie njerëzore etj. Është torturë më vehte integrimi në UK. Ndoshta do gjykohem nga ata të cilët e shikojnë një kopsht me lule të bukura shumë ngjyrëshe por une do i hidhja shumë nuanca gri dhe zi këtij kopshti. Ndoshta një ditë do arrij atë qëllim që i kam vënë vehtes por me vështirësi që shpesh duken të pakapercyeshme?
Pyetja 5.
Aktualisht punoni në Britani. A përfitoni para nga fondet e shtetit Britanik, nëse po sa përfiton?A ju dërgon para familjarëve në Shqipëri, dhe a jane ata të varur nga të ardhurat tuaja?
Aktualisht jetoj në Britaninë e Madhe, dhe jetoj me familjar siç e përmenda më sipër. Është pikërisht familia ajo e cila kujdeset për jetesën time. Jooo nuk përfitoj te ardhura nga fondet e shtetit Britanik e as nuk më ka interesuar të kërkoj diçka të tillë dhe as nuk mendoj që mund ta bëj në të ardhmen. Familja ime nuk ka nevojë që unë të punoj për to dhe as të dërgoj para, sepse kanë të ardhurat e tyre me të cilat mbulojnë të gjithë shpenzimet për një jetesë realitivisht të mirë. Siç e kam pohuar në hyrje të kësaj interviste unë nuk kam ardhur këtu me qëllim primar sigurimin e të ardhurave për familjen time. Unë jam një vajzë që karakterizohem nga një karakter i fortë që kërkon gjithmonë të panjohurën për ta përvetësuar e bërë një të ardhme të ndritur e për ti shërbyer sigurisht vehtes e pse jo një ditë dhe konunitetit shqiptar apo komuniteteve të tjera të cdo ngjyre që ka ky shtet.
Pyetja 6.
Çfarë ideje keni krijuar për Britaninë,
Cfarë të pëlqen dhe cfarë stë pëlqen në kulturen Angleze dhe a do ishe e gatshme të dashuroheshe me një shtetas britanik, të bëje celebrim thjesht për të përfituar dokumenta?
Jetesa ime në Britani starton këtë vit. Po do doja të thoja që e kam njohur kulturën britanike, por të njohësh këtë kulturë të duhet të integrohesh absolutisht me vendin e gjithcka tjetër. Por do thoja me bindje që më pëlqen zbatimi i ligjit dhe rregullave bazë me të cilat jam hasur gjatë jetesën time ne Britani. Hmmmm të martohem me Britanik, pse jooo. Të martohem për dokumenta asnjëherëëë, unë vlerësoj shumë por ama shumë dashurinë e sigurisht që do martohesha me britanik për shkrirjen e ndjenjes së dy personave me shtetësi të ndryshme por me ndjenjë të njëjtë.
“Kjo pergjigje ka element fiktiv se nuk martohem me të huaj unë”
Pyetja 7.
Si nisi udhëtimi juaj nga Shqipëria, për në Mbretërin e Bashkuar?
Udhëtimi ka qenë një dënim i përjetëshëm i cili do brumoset në memorien time të hekurt. Nuk do flas për grupet e njerëzve që ilegalisht bëjnë pashaporta europiane fallco sepse këta jane evidente dhe të kuptueshme tashmë. Dhe unë si gjithë të tjerët kontaktova me një grup me origjinë shqiptare të cilët siç e thashë më siguruan një pashaportë Kroate. Rrugëtimi im ka qenë me autobuz nga një qytet verior në Shqipëri e deri në Itali. Ndoshta duket absurde por unë nuk kisha frikë aspak kur kaloja doganat për të mbërritur në Itali. Arsyeja pse udhëtoja me autobuz ishte sepse në atë muaj Italia e kishte të ndaluar fluturimet për shkak të situatës së covid 19. Dy ditë udhëtim, e lodhshme, rraskapitëse, aq sa nuk e doja as vehten e as jetën. Sapo kam mbërritur ne Itali, sigurisht jam pritur nga një i afërm ku qëndrova dy ditë. Pas dy ditësh jam shoqëruar në një aeroport të Italisë tek i cili kam kaluar të gjitha kontrollet pa problem. Pooor udhëtimi im do kishte akoma vështirësitë e veta, dhe jam ndaluar te dera e avionit. Nga aty jam kthyer për Shqipëri. Por meqënëse jam njëri që nuk më pëlqen të heq dorë pamvarësisht vështirësive, pas disa ditësh kam marr të njëjtën vështiresi në udhëtim, i njëjti itinerar me të njejtat probleme. Qëndrova përseri dy ditë në Itali, dhe pasi shkova ne aeroport kalova cdo kontroll dhe kontrollin te dera. Mbërrita në Britani ku sigurisht jam ndaluar dhe kam kërkuar mbrojtjen e shtetit anglez. Mundësitë për të kontaktuar me grupe të tilla kriminale është bërë pothuajse diçka e lehtë si të aplikosh për dokumentë ligjor. Nga kërkimet në internet, kryesisht në tik tok i kam kontaktuar këta persona të cilët pa farë frikë më janë përgjigjur. Nuk i kam takuar kurrë këta persona, gjithcka flitej me kode dhe nuk kishte takime personalisht. Pagesa ka qënë 15 mijë £.
Pyetja 8
Si i dorëzuat £15.000?
Ja dhash një personi që ishte i maskuar,
Pyetja 9
Me thatë se nuk do bënit nje martesë me të huaj, pse?
Sepse jam fanatike e kulturës dhe traditës thellësisht shqiptare, thjeshtë do trashëgoj traditat e mia. Dhe jo, nuk me pëlqen jeta mekanike që bëjnë, me sa kam kuptuar punë-shtëpi-para. Anglezëve ju mungonte ngrohtësia njerëzore dhe ndjenjat për ta ishin nje emër pa emër.
Pyetja 10
Cfarë do ti thonit atyre që duan të vinë në Britani.
Unë çdo ditë them që ketu lumturia e jetës time është një biletë larg. Me këtë dua të them se jetesa në UK ishte një realitet i hidhur. Dua të theksoj për mua, për gjithë ata që vijnë ilegalisht në UK. Nuk flas për masën e gjërë të cilët jetojnë me rregulla e norma jetësore të një mbretërie. Por të paguash shuma marramendëse për të ardhur ilegalisht në një vend që kryefjala ëeshtë puno e merr frymë, është vendimi më i gabuar që mund të marr një njeri madhor.
Emri i sajë për ne dhe lexuesit tanë është dhe do të jetë gjithnjë Vajza e hekurt
Ⓒ Gazeta Telegram