Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

JETA DHE KARRIERA,/KUJDESI NDAJ KAFSHËVE DASHURIA E SPORTISTES PËR MAÇOKUN TIPI

Këshilla/Sa më pak kalori, shumë stërvitje dhe vrap

Klodiana Shala: Politika nuk e sheh sportin si prioritet kombëtar, 0 meritë për arritjet

Dashuria për veten dhe pasioni për atletikën. Këto dy ndjesi, janë binomi jetësor për Klodin, vajza syshkruar me shpirtin e bukur që është krenari kombëtare, e përpos kësaj motivuese e padiskutuar për mijëra gra, vajza e të rinj. Sot ajo është trajnere personale, dhe mund t’a cilësojmë me plot bindje atletja e hekurt, pasi me karakterin e saj luftarak Klodi bëri histori në Olimpiadën Rinore në Bath të Anglisë në vitin 1994 ku u rendit e katërta dhe ishte vetëm 14 vjeçe. Më pas të tjera arritje e suksese e shëndrruan atë si atletja më e mirë e Shqipërisë. Derisa një ditë dëmtimi në shtyllën kurrizore e ndërpreu ëndrrën e saj, por jo pasionin. Vrapi është jeta e saj, ajo nuk e njeh konceptin e jetës sedentare që rishtaz është shëndrruar në dekadën e fundit modë për të jetuar. Klodiana Shala në rrëfimin e saj të sinqertë për gazetën Telegram tregon të pathëna për jetën e saj profesionale dhe private. Kampionja e atletikës që gjithë jetën e saj ja kushtoi atletikës i bën apel vajzave dhe grave të reja që të ushtrohen në atletikë e të qëndrojnë larg ndërhyrjeve kirurgjikale. “Terapia e një jete dhe shëndeti të mirë është vetëm vrapi, ai është ilaçi për stresin shqetësimet e sëmundjet për çdo njeri” rrëfen Klodi e cila është një ndër zërat më të vërtetë për problematikat që hasin sportistët në Shqipëri. Një tjetër sekret i pathënë është dashuria dhe kujdesi për kafshët dhe dashuria e saj e vogël maçoku Tipi të cilin e ka shpëtuar nga rruga. Klodi rrëfen se Tipi është kënaqësia më e madhe gjatë ditës, e ata të dy janë shokë të pandarë.

klodiana shala interviste gazeta telegram 2 1 jpg
JETA DHE KARRIERA,/KUJDESI NDAJ KAFSHËVE DASHURIA E SPORTISTES PËR MAÇOKUN TIPI 6

INTERVISTA E PLOTË

Earta:

Si ndihet një kampione atletike, në këtë kohë ku jeta sedentare është mbytëse dhe gjithçka rrotullohet rreth dembelizmit?

Klodi:

Nuk i njoh fare si koncepte. Për aq sa e mbaj mend veten, jam gjithmonë në lëvizje. Nuk mund të bësh jetë sedentare dhe të jesh kampione apo të mbash standardet e një kampioneje, siç jam përpjekur gjatë këtyre viteve. Një plus i madh është puna ime si trajnere personale, që më mban të angazhuar gjatë gjithë kohës. Nuk e njoh si koncept as dembelizmin, pasi gjithë jetën më është dashur të punoj për të arritur në majë. Kam mësuar se puna me përkushtim është një nga themelet e respektit që krijojnë të tjerët për ty dhe më vjen mirë kur njerëzit ma vënë në dukje këtë anë të personalitetit.

Earta:

A vrapojnë Shqiptarët për jetën e tyre, për të mbajtur trupin dhe shpirtin në formë?

Klodi:

Më shumë se shpirtin, do të thosha për të mbajtur mendjen në formë. Të vraposh, për mua, do të thotë të jetosh. Të jetosh në mënyrën më të mirë dhe më të bukur të mundshme. Nëse ke një problem, një shqetesim, një gjendje të trazuar emocionale, vrapo, ec! A vrapojnë shqiptarët? Nuk më rezulton se ne e respektojmë kaq shumë veten sa të kemi një kulturë masive vrapimi apo aktiviteti të ngjashëm fizik. Megjithatë, vë re që brezi i ri ka më shumë kërkesa të vetja dhe shoh më shumë të rinj që vrapojnë, ecin, stërviten. Nuk jemi ku duhet, prandaj kemi nevojë urgjente për sensibilizim të vazhdueshëm, për krijimin e kushteve të duhura për stërvitje në mjedise publike, që edhe ne, si shoqëritë e zhvilluara, të krijojmë kulturën e kujdesit për veten përmes aktivitetit fizik, veçanërisht vrapimit.

Earta:

Sa kujdesen femrat Shqiptare për trupin e tyre, si konceptohet kjo gjë në sytë e një femre që ka rrezikuar jetën për të bërë Atdheun krenar, dhe gjithë jetën ja ka dedikuar atletikës?

Klodi:

Nuk e shoh si sakrificë atë që kam bërë. E kam bërë, sepse më ka pëlqyer! Ajo që vlen të veçoj është se ia kam dalë të përfaqësoj me nder Shqipërinë dhe të jem kampione duke u stërvitur në kushte shumë të vështira, të pakrahasueshme me sot. Megjithatë, për të kaluar tek pyetja juaj kryesore. Vërej me kënaqësi se është gjithnjë e në rritje numri i grave dhe vajzave që kujdesen për veten. Ka një tendencë për ndërhyrjet e kirurgjisë plastike për format trupore, por kam vënë re se të gjithë ndërgjegjësohen që nuk është kirurgjia që i mban njerëzit të rinj. Pa sport, asgjë nuk nuk është e mundur.

Earta:

Pas festave cilat janë këshillat që duhet të zbatojmë për të mbajtur trupin në formë?

Klodi:

Kjo është një nga ato luftrat që nuk mbaron asnjëherë dhe që na duhet ta përsërisim çdo vit. Këshilla ime është krejt e thjeshtë: konsumoni më pak kalori, bëni më shumë sport. Kjo është e vetmja formulë magjike që njoh për mbajtjen e trupit në formë.

Earta:

Si është rutina e përditshme për një kampione vrapi, cila ka qenë arsyeja e vërtetë që nuk je më në fushën e atletikës?

Klodi:

Sportistët nuk mund të vrapojnë gjithë jetën. Vjen një moment që të duhet të shkëputesh. Mua më ndodhi pak përpara sesa e kisha llogaritur, për shkak të një problemi me gjurin, i cili m’u shfaq në Lojrat Olimpike të Londrës në 2012-ën. Aty bëra një ndërhyrje, që më pengoi rikthimin në standardet e mia më të mira. Megjithatë, më vjen mirë dhe jam krenare që gjatë kohës si sportiste profesioniste fitova disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, duke bërë një emër të mirë dhe duke nderuar Shqipërinë në atlektikë. Tani, kam gjetur një ekuilibër të mirë me veten dhe ndihmoj shumë gra, djem dhe vajza si trajnere personale për të krijuar një stil jetese të shëndetshëm, për të patur një trup të fortë dhe të bukur.

Earta:

Kush është opinioni yt për ecurinë e sporteve në Shqipëri, sa e vështirë është të jesh një sportist në vendin tonë?

Klodi:

Dua të jem e drejtëpërdrejtë këtu. Është shumë e vështirë. Mungesat janë të mëdha, ndihma shtetërore është e vogël. Për fat të keq, sporti nuk është parë asnjëherë si një prioritet kombëtar. Politikës i pëlqen të mburret me kampionët, megjithëse nuk ka asnjë meritë per arritjet e tyre, por asnjë qeveri nuk ka krijuar kushtet e duhura për lulëzimin e sportit dhe për ngulitjen e një kulture të mirëfilltë sportive në shoqëri.

Earta:

Atletika thuajse është inekzistente cfarë roli duhet të ketë në të vërtetë federata për t’i rritur vlerat e për të ndihmuar atletët shqiptarë nëpër botë?

Klodi:

Më pak fjalë, më shumë punë, më shumë mbështetje!

Earta

Si është një atlete në prizmin dashuror, a është tolerante apo me rregulla si në sport?

Klodi:

Një atlete nuk ndryshon nga vajzat e tjera. Kërkon më të mirën në dashuri, njësoj si në sport. Pastaj, gjithçka varet nga karakteri individual.

Earta:

Si ishte për një kampione atletike, eksperienca politike, a mendon se e drejta e Shqiptarëve do të arrijë t’a kapë finishin e drejtësisë. Çfarë mendoni për politikanët në vendin tonë?

Klodi:

Një pyetje shumë e komplikuar në një situatë shumë të komplikuar, me politikanë akoma më të komplikuar. Jam e mendimit që ne, si çdo vend tjetër, ka drejtësinë dhe politikanët që meriton. Historia ka treguar që popujt e zhvilluar nuk kanë marrë asgjë dhuratë. Edhe pse në shekullin e 21-të, na duhet të mësojmë akoma shumë prej tyre.

Earta:

Cila është këshilla jote për të gjitha vajzat që kanë dëshira dhe ëndrra për të qenë një ditë kampione në atletikë?

Klodi:

Nuk ka një formulë të gatshme për t’u bërë kampione. Përvoja më ka mësuar se talenti është pikënisja, por puna, disiplina, këmbëngulja janë gjëja e vetme që të çojnë në finish si kampione.

Earta:

Për momentin kush është kënaqësia më e madhe për Klodin?

Klodit.

Tipi është maçoku im, ka qenë një dashuri me shikim të parë, është kënaqësi që nuk mund të shprehet me fjalë. E kam gjetur në rrugë dhe e kam shpëtuar. Që prej asaj dite nuk jemi ndarë kurrë. Është një dashuri pa kushte dhe kur jam me të harroj gjithçka, ka gjithë vëmëndjen time dhe gjithë dashurinë e Klodit.

FOTOGRAFI EKSKLUZIVE: Klodiana Shala

FOTO KLODIANA SHALA DHE MAÇOKUN TIPI

klodiana shala interviste gazeta telegram 1 1

INTERVISTA:

Nga Earta Agolli © Gazeta Telegram

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram