Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Jugu i majtë Veriu i djathtë?! Dy bashkitë që pritet ta rrëzojnë këtë mit më 14 maj

Partia Socialiste zotëron 60 bashki në të gjithë vendin, me Shkodrën që qëndron stoike në favor të koalicionit të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Por në këto zgjedhjet e ardhshme, me gjasë situata do të ndryshojë, me demokratët që pritet të marrin disa bashki, që konsiderohen si bastione të tyre. Kryesisht, demokratët kanë shpalosur forcën e tyre në bashkitë në Veri të vendit, por edhe në Jug, janë disa qytete ku rezultati mund të ketë surpriza.

Një ndër to është bashkia e vogël e Përmetit. Ajo ka gjithsej 16 mijë votues, që pritet të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë dhe këshillin bashkiak më 14 maj. Të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2021 tregojnë se socialistët fituan në nivel bashkie në masën 55% përkundrejt 39% të votave që shkuan për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të marra së bashku, ndërsa edhe në zgjedhjet e vitit 2019, socialistët arritën të mobilizonin për veten 4200 vota, një numër më i lartë votash nga sa patën fituar më 2015 dhe nga sa fituan më 2021. Megjithatë, Përmeti ishte një nga të paktat bashki në jug që zgjodhi një kandidat demokrat në zgjedhjet e vitit 2015, kur Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim derdhën të gjithë pushtetin e vet bashkë në ato zgjedhje. Niko Shupuli, një ish-kryetar komune, arriti të fitojë zgjedhjet në Përmet dhe madje fitoi me rezultat të thellë, 57 me 38%. Në zgjedhjet e 14 majit, garojnë kryetarja aktuale e bashkisë, Alma Hoxha dhe Edmond Konino, i cili ka qenë kryetar i Bashkisë së Përmetit në periudhën 2007-2011. Për këto arsye, rezultatet e 14 majit mund të jenë surprizë. Mirëpo, situate shikohet me pikëpyetje edhe në Bashkinë e Malësisë së Madhe. Kjo bashki ka në total 46 mijë votues. Nga njëra anë do të jetë kandidati actual, Tonin Marinaj dhe kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Isa Ramaj.


Malësia e Madhe përbëhet nga njësitë administrative Koplik, Gruemirë, Kastrat, Kelmend, Qendrër dhe Shkrel. Ajo shtrihet në 951 kilometra katrore dhe ka 56 fshatra dhe dy qytete. Ajo shtrihet nga brigjet e liqenit të Shkodrës deri në Vermosh përgjatë kufirit me Malin e Zi.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 45% në vitin 2015, gjë që duket se reflekton shkallën e lartë të emigrimit të zonës.


Në zgjedhjet e viteve 2007 dhe 2011, kandidatët e së djathtës kanë pasur avantazh të konsiderueshëm kundrejt të majtës në komunat e kësaj bashkie. Kjo ndryshoi në vitin 2015, kur Partia Socialiste e mori bashkinë përmes Tonin Marinajt, një biznesmen dhe zyrtar publik. Marinaj arriti të mposhtë demokratët në një zonë tradicionalisht anti-socialiste duke fituar mbi 10 mijë vota, vota të fituara ndërsa socialistët ishin në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Koalicioni Bashkë Fitojmë garon me Isa Ramajn, i cili ka qenë më herët kryetar komune si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak.
Nëse zgjedhjet e vitit 2021 mund të shërbejnë si tregues, atëherë gara duket se është e ngushtë. Në këto zgjedhje parlamentare, PS mori 41% të votave ndërsa PD mori 44%. Por Partia Socialdemokrate, e cila është në aleancë jorformale me socialistët dhe drejtohet nga Tom Doshi, mori në territorin e kësaj bashkie afro 1500 vota ose 9%. Rrjedhimisht rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ka gjasa do të varet jo vetëm nga preferencat e votuesve tradicionalë të së majtës dhe së djathtës, por edhe nga shkalla e angazhimit të makinerive politike në këto zgjedhje. Në total, PS dhe PSD kanë marrë bashkë rreth 300 vota më shumë se sa PD dhe LSI, prandaj dhe gara në këtë bashki do të jetë tepër interesante.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram