Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken u shit si “privilegj i madh; mbështetje për qeverinë; e gjithashtu edhe për drejtësinë e re”… I pari që e priti në Rinas në një protokoll strikt ishte Ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili mund të quhet edhe si “homolog i Blinkenit”. Pjesa tjetër e agjendës ishte mëse rutinë, një takim me kreun e shtetit Bajram Begaj, me kryeministrin Edi Rama dhe më pas ca dhënie duarsh dhe përshëndetje kortezie me një pjesë tjetër që gjithsesi po e konsiderojnë veten si të privilegjuar.
Në një fjali Blinken vlerësoi Ramën teksa duke iu drejtua “udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë”… Kaq mjaftoi që kjo fjali të qarkullojë dendur në çdo media të kontrolluar nga qeveria, por ajo që dhemb më shumë është zhgënjimi i drejtuesve të drejtësisë së re, që duke iu besuar “thashethemeve diplomatike” besuan se Blinken do rezervonte një takim të gjatë me ta.
Po çfarë ndodhi dje? Kryetari i SPAK-ut, Altin Dumanin, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Olta Zaçaj, Kryetari i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani qëndruan në lulishten përballë piramidës duke pritur që të vinte Blinken e më pas të afroheshin si “spektatorë”, detyra e të cilëve ishte të duartrokisnin sipas regjisë protokollare. Përjashtim bëri kreu i SPAK Altin Dumani i cili e takoi në këmbë fare për pak, ku nuk dihet se çfarë u tha, por cfarëdo të jetë thënë, koha dhe vendi ku ndodhi “takimi i madh”, të lë të kuptosh qartë se nuk mund të jenë diskutuar çështje të rëndësishme.
U mprehën shumë për të lexuar nën rreshta mesazhet mbështetëse të kryediplomatit amerikan, por në fakt nuk morën asgjë. Blinken pati kohë që të takohej e mbante fjalim të gjatë me një grup të rinjsh, adoleshentë e studentë, që kanë përfituar nga mbështetja e fondeve amerikane në fusha të ndryshme. Edhe drejtësia e re shihet si investim serioz amerikan, por fakti i sotëm tregoi se “serioziteti” nuk qenka aq i madh.
Kushdo që përpiqet të interpretojë “ftohtësinë” apo kortezinë që Blinken pati për drejtësinë e re dhe drejtuesit e saj do e këtë të vështirë të dalë në përfundime të sakta. Drejtësia është institucion i pavarur dhe si e tillë duhet të lexojë vetëm ligjin, të mos shohë kush emër i ‘madh’ fshihet pas shkeljes së ligjit, e aq më pak që një prokuror apo gjqytar që drejton institucione të rëndësishme të mundohen të interpretojnë anën politike të kryediplomatit amerikan.
Drejtësia është drejtësi dhe të parët që nuk duhet të lejojnë të përdoren apo “kapen” nga më të mëdhenjtë, qoftë kjo edhe Amerika, duhet të jenë prokurorë e gjyqtarë që sot paguhen shumë, marrin privilegje shumë dhe jetojnë mjaft mirë nga taksapaguesit qytetarë qytetarë të varfër të vendit që më shumë se ushqim, sot kërkojnë drejtësi.