Në Shqipëri, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme u vunë në qendër të vëmendjes gjatë vitit 2023. Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ish zyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokalë, kapërcyen gjatë vitit, pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga jo të gjithë dolën prej andej. Si kurrë më parë, Drejtësia nuk po stepej dhe para emrave me peshë.
Arrestimet dhe hetimet që përfshinë emra të rëndësishëm të socialistëve, ishin goditje jo të vogla për shumicën në pushtet, e cila bëri disa ndryshime në qeveri, ndërsa më herët kishte arritur fitoren më të thellë të regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet vendore të 21 majit. Një fitore e favorizuar dukshëm dhe nga një opozitë e përçarë dhe në ditët e saj më të errëta. Ish kryeministri Sali Berisha përfundoi po ashtu nën hetim, ndërsa sfida e tij ndaj gjykatës përfundoi me arrestin e tij në shtëpi. Një tjetër arrestim, ai i kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u shoqërua me pasoja, për nisjen e bisedimet për grup kapitujt e parë me Bashkimin Europian. Greqia u hakmorr, duke përdorur veton e saj.
Dy dosjet e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit ishin mbyllur që më parë dhe në muajt e parë të këtij viti ato shkuan për gjykim. Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako, si dhe sipërmarrësit e përfshirë në këto dy projekte, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, konsiderohen përgjegjësit kryesor. Mbi ta rëndonin dhe akuzat më të rënda.
Ndonëse ishte pranuar gjykimi i shkurtuar, proceset u mbyllën vetëm në vjeshtë.
Për 21 të pandehurit në rastin e inceneratorit të Fierit vendimet u dhanë në fund të shtatori.t Ish ministri Koka u gjet fajtor për tre akuzat e ngritura ndaj tij, nga “shpërdorimi i detyrës”, te “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave’. Ashtu siç ishte kërkuar nga Prokuroria, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 10 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, i zbatuar për të gjithë të pandehurit, u reduktuan në 6 vjet e 8 muaj burgim.
Ish deputeti socialist Alqi Bllako, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion”, në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por dhe për shkak të rikualifikimit të akuzës, duke mos u konsideruar funksionar i lartë publik, por nëpunës publik. Përfundimisht dënimi me 4 vjet u konvertua në 2 vjet e 8 muaj burgim.
Me 6 akuza mbi shpinë, nga korrupsioni në disa raste dhe forma, te mashtrimi, pastrimi i parave apo krjimi i skemave mashtruese, sipërmarrësi Klodian Zoto, i përfshirë dhe në rastin e Elbasanit, u dënua me 8 vjet burgim, pasi iu zbritën 4 vite dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Dënime më të ulta përfituan anëtarët e komisioneve të dhënies së koncensionit, drejtuesë të inceneratorit, apo dhe të firmave private të përfshira në skema mashtrimi me faturat gjatë punimeve të ndërtimit të objektit.
Dhjetë ditë më pas, vendimi për inceneratorin e Elbasanit. Ish ministri Koka, përfiton nga rënia e akuzës për “Shpërdorim detyre”, duke u gjetur fajtor vetëm për korrupsion dhe pastrim parash. Ai u dënua me 5 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Gjykata vendosi të lirojë nga sekuestro disa pasuri të zotit Koka, duke e mbajtur këtë masë vetëm për një prej pronave të tij, një kantinë vere.
Gjykata rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili sipas prokurorisë kishte mbajtur lidhje direkte me sipërmarrësit e përfshirë në kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke i informuar ata në vazhdimësi për ecurinë e procesit. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar për të, dënimin me 2 vjet e 8 muaj burgim, por gjykata vendosi ta shpallë atë të pafajshëm.
Dënimet më të larta u dhanë për dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar për ta u reduktua nga 10 vjet në 6 vite e 8 muaj burg.
Dy sipërmarrësit akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njëjta akuzë mbeti në fuqi dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administratore e “Albtek Energy”. Por dënimi prej 7 vitesh burg për të, u konvertua në 4 vite e 8 muaj burg.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kishte bërë përpara dhe me inceneratorin e Tiranës. Më 1 gusht u njoftua se Gjykata kishte pranuar kërkesën për vënien nën sekuestro të impiantit. Sipas hetimeve, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kishin rezultuar të ishin pronarët “de facto” të tij. Përmes faturave falso, ata dyshohen të kenë përfituar afro 4 milionë euro. Atyre u sekuestrohet dhe një sipërfaqe trualli me vlerë 1 milion euro.
I vënë në shënjestër të akuzave nga opozita për inceneratorin e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi duke shkruar në Twitter se “heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK, është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”.
Disa muaj më pas (8 dhjetor) një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe një ndër drejtorët më me peshë në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, do të arrestohet së bashku me një ish drejtor tjetër. 15 urdhërat e arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme do të përfshijnë dhe ish zyrtarë të lartë të ministrisë së Mjedisit, e sërish dy sipërmarrësit Zoto e Mërtiri si dhe ish ministrin Koka e ish Sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, ish deputetin Bllako.
Hetimet do të nxjerrin në pah se si makineria shtetërore kishte qenë gati e tëra në shërbim të biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri. Aktet e Prokurorisë dëshmuan se ishin ata që kishin kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve.
Inceneratorët do t’i digjnin karrierën dhe një tjetër figure të lartë politike. Goditja e parë atij i erdhi në korrik të 2022 kur papritur e pa veten jashtë qeverisë ku kishte qenë numri 2 i saj, dhe i përkedheluri i kryeministrit Rama. Disa javë më pas, atij do t’i hiqeshin dhe postet politike në parti. Shumëkush e pa këtë si preludin e një të ardhmeje të zymtë për të, ndërsa intensiteti i akuzave publike ndaj tij, për përfshirje në rastin e inceneratorëve, erdhi duke u rritur.
Në fillim të vitit ai polemizon në distancë me zotin Rama gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan. “Të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm. Duhet të njohësh procedurat dhe detajet”, deklaroi ai më 23 shkurt. Dy javë më pas, kryeministri Rama kundërpërgjigjet duke u shprehur që “nëse unë do të kisha bërë gjykatësin, gjërat do të kishin qenë shumë më keq, për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.
Po në këtë periudhë, Prokuroria e Posaçme ndërmerr veprime konkrete ndaj ish zëvendëskryeministrit i vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.
Banesat e bashkëjetueses së tij si dhe ajo e ish bashkëshortes i nënshtrohen kontrolleve, (më 15 mars) ndërsa pak ditë më pas vihen nën sekuestro dy vila në bregdet të regjistruara në emër të tyre.
Më 22 qershor zoti Ahmetaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme prej nga doli pa bërë shumë komente e duke përsëritur se “Sqaruam pozicionin. Kaq”.
Dy javë më pas në parlament shkon kërkesa për arrestimin e tij, (7 korrik) në të cilën ngrihen dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve. Po ashtu prokuroria flet për transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një mori aktesh të ndërmarra në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier janë provat që Prokuroria e Posaçme ka kundër tij.
Por ndërsa në Parlament debatohet për seancën e marrjes në shqyrtim të kërkesës, mësohet se zoti Ahmetaj, është larguar nga vendi pak orë përpara se shkresa të dilte nga Prokuroria. Ai rezultonte të kishte kaluar kufirin tokësor me Greqinë.
Avokatët e tij e pranojnë pak ditë më pas se “ndodhet në Angli, pranë familjes, vajzës së tij. Do të vijë, kur të ketë liri”.
Vetë zoti Ahmetaj, pak përpara votimit në Parlament, përmes një postimi të gjatë në Facebook, bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, dhe se kjo mund të ndodhte “kur e vërteta të marrë rrugë e dritë”.
Thuajse në unanimitet, Parlamenti miraton autorizimin për arrestimin e tij. Në mbrëmje kryeministri do të deklaronte se “ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u”.
Pak ditë më pas Prokuroria sekuestroi 4 apartamente në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro. Ndërsa nga kontrollet në 7 banesa ku janë sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se kjo e sotmja ishte raprezalja e radhës në familjen e tij.
Në tetor, ndaj zotit Ahmetaj do të regjistrohet një tjetër procedim penal, për privatizimin e ish Fabrikës së Bukës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish zëvendëskryeministri dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, pasi pronësia mbi ish fabrikën i ishte njohur nga gjykatat, një familjeje kryeqytetase.
Zoti Ahmetaj reagon duke theksuar se, sipas tij, po bëhet kokë turku pa të drejtë. “Ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë “delen e zezë”, përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë”, shkruajti në një postim në Facebook, duke u shprehur se “goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi”.