Krimi shpesh godet, duke mos kursyer asnjë, madje edhe personat e pafajshëm. Rasti më flagrant është me rojën e “Top Channel”, që ra pre e breshërive të plumbave që u derdhën mbi këtë institucion, vetëm disa ditë më parë.
Por në një historik të shkurtër, në harkun kohor të 4 viteve, kupton që kemi të paktën 4 vrasje të pafajshme që janë bërë shënjestër, pa qenë në të vërtetë një e tillë. E para daton në korrik të 2019, ku si pasojë e një përleshje me armë mes dy grupeve rivale në lagjen numër 4 në Kavajë, mbeti i vrarë 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, i cili, ndodhej rastësisht në një furrë buke për të blerë ushqim për familjen. Asokohe, vetëm ai mbeti viktimë në këtë përballje bandash, ndërsa personat që u përfshinë, edhe pse disa u arrestuan, sot të gjithë ndodhen jashtë hekurave. Rasti tjetër, që tronditi thellë opinionin publik, ishte vrasja e pafaj e Musaen Zenelit.
Ngjarja ndodhi në një lokal në Velipojë, ku 20-vjeçari Zeneli punonte si kuzhinier, madje e kishte edhe ditën e parë të punës. Në konflikt u përfshinë dy familje, ajo Ferracaku dhe Gocaj, për një territor plazhi, ndërsa të riut, ju pre jeta në mes në mënyrë makabre, duke mos pasur asnjë gisht në atë histori. Dy ngjarjet e tjera janë më të freskëta. Më datën 12 mars, në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, u derdhën breshëri të shumta plumbash, ku si pasojë u plagosën 5 persona dhe mbeti e vdekur banakierja Mimoza Paja. Ajo kishte vetëm 10 ditë që kishte filluar punë në këtë lokal, ndërsa si shënjestër, ishin të afërmit e Muratit.
Edhe pse ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të populluar dhe të pajisur me kamera të shumta sigurie, autoritetet ende s’kanë asnjë të dyshuar për rastin. Ata kanë disa dyshime, po të pa bazuara ende në fakte, aq sa për të bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. Rasti më i freskët është ai i Pal Kolës. 60-vjeçari u vra aksidentalisht mbi plumbat që u shkrepën mbi godinën e “Top Channel”. Ai ndodhej në vendrojë, duke u ngrohur, ndërsa një plumb (dyshohet rikoshet) i vetëm mjaftoi për t’i marrë jetën. Në vendngjarje grupi hetimor gjeti mbi 25 gëzhoja armësh, ndërsa pasojat e sulmit, qëndrojnë të gdhendura në disa pjesë të fasadës qendrore të “Top Channel”. Policia për të zbuluar autorët kanë vendosur një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh, për këdo që jep informacione për ngjarjen, me premtimin se do të ruhet anonimati. Duket se autoritetet i kanë varur shpresat te ky skenar, pasi deri më tani, gjurmët e gjetura te një gëzhojë e pa plasur brenda makinës së djegur të autorëve, apo edhe gjurmët e tjera, janë të pa mjaftueshme për të zbuluar identitetin e autorëve. Ramazani, Musaeni, Miranda dhe Pali, u bënë “kurban” të pafaj. U gjendën aty në kohën e gabuar, ku ndoshta, vetëm pak sekonda më herët, e nëse fati do të ishte në favor të tyre, sot mund të ishin ende gjallë. Këto ngjarje sipas ekspertëve ngrenë të tjera hije dyshimi mbi sigurinë në vend, sidomos pas ngjarjes së fundit në “Top Channel”. Sulmimi i një institucioni të atyre përmasave është parë nga opinion publik, si një rrezik i shtuar ndaj cilitdo prej nesh.