Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Pasi i braktisi, tani qeveria u thotë hajdeni “çunave të Londrës” që përzuri

Për herë të parë “zyrtarisht” qeveria e përmendi fenomenin “çunat e Londrës”, me gojën e Damian Gjiknurit, i cili një vit më parë në takim me shqiptarët atje shprehu gjithë “krenari” se do të bënin një “amnisti fiskale”, ku do të përfitonin edhe “çunat e Londrës”. Në zhargon një epitet i tillë është vendosur për shumë të rinj shqiptarë që punojnë në të ashtëquajtuarat “shtëpi bari”, në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Mijëra të rinj ndodhen në burgjet e Anglisë, pasi u larguan nga Shqipëria e pashpresë, e varfër, e vjedhur nga maja e pushtetit dhe e braktisur çdo ditë e më shumë. Shumë kanë rrezikuar kokën në udhëtimet e frikshme me gomone në kufirin detar Francë-Angli, apo të strukur nëpër kamionët e mallrave. Me një mal borxhesh mbi shpinë, mjaft prej emigrantëve shqiptarë iu futën rrugës së trafikut të drogës dhe tashmë një pjesë e tyre dergjen burgjeve.

Kjo është ajo çfarë ka bërë kjo “qeveri opër ta”. I degdisi, i braktisi dhe në fund u thotë: “ejani bëjeni burgun në vendlindje”. E tillë ishte marrëveshja e nënshkruar dje nga politikani me formim të thellë dhe gjerë. Ai e krahason veten homolog me këdo personalitet të jurisprodencës botërore, që mban edhe postin e rëndësishëm të Ministrit të Drejtësisë. Ky është Ulsi Manja, i cili bashkë me  ministrin anglez të drejtësisë Alex Chalk firmosën marrëveshjen për transferimin e të burgosurve shqiptarë për vijimin e vuajtjes së dënimit në burgjet shqiptare.

Ministri Ulsi Manja thotë se qëllimi kryesor i marrëveshjes është rehabilitimi social i të dënuarve shqiptarë në Britani, duke i krijuar mundësinë e vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit në atdhe, pranë nënave, fëmijëve, bashkëshorteve dhe familjeve të tyre.

Përtej kësaj marrëveshjeje malinjiteti i qeveris sonë shkon deri në atë pikë se edhe këtu kërkon të thithë edhe më shumë gjakun e atyre shtetasve shqiptarë që tashmë treten në burgjet angleze. Pala Britanike do të ofrojë rreth 20 milionë paund për ekstradimin dhe “mbajtjen me bukë” të shqiptarëve këtu në burgjet tona, madje janë shuma që “dalin edhe për alleshverishe”…

Paradoksalisht ministri që ka nënshkruar këtë marrëveshje nuk është i panjohur për prokurorinë shqiptare. Ai në vitin 2016 u kap në përgjime duke komunikuar me ish-kreun e policisë lokale në Dibër për një trasferim të tij drejt Bulqizës, aty ku të tërheq leku i aleshverishit nga miniera e kromit. Manja i premton lëvizjen, por duke “vlerësuar” si “ushtar të rilindjes” kreun e policisë atje i sugjeron se “Bulqiza asht kollaj, po un tham ma nalt u burr, ma nalt”… Manjën se gjeti asgjë nga ky hetim, përkundrazi kaloi “sprovën Rama” për tu bërë Ministër Drejtësie.

Loja e ndyrë qeveritare me gjakun e emigrantëve shqiptarë kalon kufijtë e politikës malinje. Prindërve dhe familjarëve të të burgusurve u thonë se tashmë qeveria po mendon për ta, duke ua kthyer fëmijët e tyre të prangosur dhe një mal dënimesh, që nuk do e shohin shpejt dritën e diellit.

Asnjë prej këtyre politikanëve nuk jep llogari se përse u larguan të rinjtë shqiptarë, përse ranë shpejt në duart e trafikantëve, po familjet këtu si jetojnë, po e erdhmja e këtyre të rinjve kush është? Thelbi i problemit është pikërisht arsyeja se përse rinia shqiptare përfundoi udhëve të trishta të emigrimit ilegal, pikërisht nga keqeverisja e një vendi të pasur në resurse, por të vjedhur deri në palcë nga raca e politikejve.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram