E gjitha u paralajmërua në shtator të vitit që lamë pas! E kemi fjalën për çështjen “Mcgonigal”, që për herë të parë, u bë publike nga media Business Insider. Fill më pas, ishte kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ai që tha se në këtë skandal, është përfshirë Edi Rama dhe këshilltari i tij Agron Neza. Ky lajm, doli sërish në sipërfaqe këtë fillimvit. Pikërisht në këtë moment, opozita në parlament nisi një betejë të gjatë, për të ngritur një komision hetimor ndaj kryeministrit, por edhe duke kërkuar sistematikisht mocion me debat. Këto kërkesa u refuzuan.
Kryeministri, refuzonte të merrte pjesë në seancat plenare, me pretendimin se ishte pjesëmarrës në aktivitete paralele. Ndërsa nga ana tjetër Kryedemokrati Berisha së bashku me deputetët, artikulonin në parlament nevojën për të pasur debate mbi këtë çështje. Kërkesat u bënë edhe nëpërmjet komunikatave për mediat, që kulmuan me thirrjen e një proteste më 11 shkurt. Protesta, kishte në përbërje të saj një numër të madh pjesëmarrësish, por nuk pati akte dhune, edhe pse të shumtë ishin që mendonin kështu. U mjaftua me hedhjen e disa shashkave përpara derës së kryeministrisë, nga ku u proceduan tre protestues.
Opozita zgjodhi që të thërriste shumë shpejt protestën e radhës, të hënën. Në atë manifestim, pjesëmarrja ishte më e pakët, po në mënyrë analoge, pak më tutje, mbahej seanca plenare. Kryeministri Rama sërish nuk ishte i pranishëm. Kjo bëri që deputetët e opozitës të acaroheshin dhe të mos lejonin kolegët e tyre të mazhroancës të flisnin për çështjen e ditës. Bilbilat dhe tonet e zërave të ngritura, ishin instrumentet që përdorën për të bojkotuar seancën. Në fakt ashtu ndodhi, por kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, vendosi përjashtimin e disa deputetëve, mes tyre të Sali Berishës, Edi Palokës, Belind Këlliçit, Flamur Nokës dhe Luçiano Boçit. Deputetët arsyetuan se po u mbyllej zëri dhe se kryeministri i shmangej debatit të drejtpërdrejt për skandalin “McGonigal”, që ka tronditur jo vetëm vendin, por edhe përtej Atlantikut, SHBA-në, që sipas tyre po e monitoron me vëmendje çështjen. Gjithashtu, të enjten, u mbajt sërish një tjetër protestë.
Deputetët e përjashtuar të hënën u refuzuan të merrnin pjesë në seancë. Ata zgjodhën sheshin përpara parlamentit, ku i prisnin mbështetësit për të dhënë mesazhet e tyre, të gjitha, të shigjetuara drejt kryeministrit. Nga ana tjetër, Edmond Spaho, zgjodhi të vepronte njëjtë si Flamur Noka para tij, duke i rënë bilbilit sa herë një deputet i mazhorancës të kërkonte fjalën. Mocioni me debat, u vendos të enjten e 2 marsit. Berisha, pranoi këtë propozim, por tha se nëse Rama sërish nuk do të jetë i pranishëm, protesta do të zhvendoset pranë banesës së tij në Surrel. Rama zgjodhi t’i shmanget opozitës, por vendosi të japë një përgjigje shqiptarëve në emisionin “Opinion”. Sipas tij, ai nuk është i përfshirë në këtë skandal dhe se me ish-agjentin e FBI ka folur vetëm për çështje që nuk kanë lidhje me atë që ai po hetohet.
Nga ana tjetër, ai e cilësoi të turpshme që të akuzohet në këtë skandal, e me këtë argumentim, tha se nuk do e pranojë kurrë ngritjen e një komisioni hetimor. Sipas Ramës, opozita po e bën këtë zhurmë për të tërhequr vëmendjen nga rihapja e çështjeve të Gërdecit dhe 21 janarit. Mund të konsiderohen një rekord përjashtimet e bëra në parlament në radhët e opozitës. Nga 27 janari deri më tani, duke përfshirë edhe 1 javë të gjelbër, në të cilën nuk u mbajt asnjë seancë, janë përjashtuar 17 deputetë opozitar, me Berishën, Palokën, Nokën dhe Këlliçin të përjashtuar nga dy herë me nga 10 e 5 ditë. Ndërkohë, në seancën e radhës të thërritur të enjten, nuk do të jenë të pranishëm as deputetët, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Sorina Koti, Lindita Metaliaj dhe Greta Bardeli. Edhe pse opozita bëri një krahasim, ku bilbilat dhe kaosi është krijuar me tone akoma më të ashpra në kohën kur mazhoranca aktuale ishte në opozitë, prapë se prapë, masat nuk u zbutën. Këtë “acarim” të qeverisë, opozita e arsyeton vetëm me një drejtim: Rama do t’i shmanget me çdo formë debatit për skandalin McGonigal.
Në mes të qershorit të këtij viti, Radio Televizioni Shqiptar zgjodhi Drejtorin e ri të Përgjithshëm në një votim unanim me 3 kandidatë. Teksa njëri…