Në morinë e 1001 problemeve në vendin tonë, çfarëdo që të ndodhë, absolutisht çfarëdo, ne e harrojmë. Vrasje femrash, çarje meshkujsh, përdhunime minorenësh, lëndime, shtypje, therje me thikë a me sëpatë, vrasje fëmijësh me skaf në plazh, aksidente nga vaji i hedhur në rrugë nga serviset, etj, etj.
Thuhet se çudia më e madhe zgjat tre ditë. Jo miq, në Shqipëri nuk zgjatka as gjysmë dite. A e keni vënë re se në harkun kohor të vetëm pak më shumë se 10 ditëve, një numër jashtëzakonisht i lartë punëtorësh ndërtimi kanë vdekur duke rënë nga pallatet ku punojnë?
A keni dëgjuar njeri të flasë për këto raste? A keni dëgjuar ndonjë media të publikojë emrin e tyre, se për fotot as që bëhet fjalë?
Maksimumi janë mjaftuar me ndonjë lajm periferik me 2-3 rreshta, a thua se është diçka krejt e pavlerë.
Po përse askush nuk flet për kushtet e sigurisë në punë gjatë ndërtimit të pallateve? Mos vallë paratë që ka marrë nga ndërtuesit për të mbyllur shpejt e shpejt rastin janë më të ëmbla se jeta e punëtorit që ka vdekur?
A e dini sa punëtorë kanë humbur jetën këto 10 ditë në Shqipëri? Sigurisht që jo sepse gjasat janë ta keni harruar.
18.05.2023 – Rreth orës 11:55, në lagjen “Uji i Ftohtë”, shtetasi A. P., rreth 60 vjeç, duke punuar në një pallat në ndërtim, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital.
21.05.2023 – Rreth orës 08:10, në rrugën “Besa”, në një pallat në ndërtim e sipër aksidentalisht ka rënë nga lartësia ku ishte duke punuar shtetasi me inicialet A. B., 50 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
30.05 – Rreth orës 11:30, në lagjen nr.1, Sarandë, shtetasi E. K., rreth 50 vjeç, duke punuar në një pallat në ndërtim, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje.