Vrasja e policit shqiptar Afrim Bunjaku në veri të Kosovës disa ditë më parë, ka bërë që tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit të shtohen sërish. Policia e Kosovës pas vrasjes së kolegut të tyre, ndërmori një aksion ku vrau katër serbë të grupit terrorist si dhe arrestoi tetë prej tyre.
Ndërkohë që qeveria e Kosovës ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe SHBA të sanksionojnë Serbinë për sulmin terrorist ndaj uniformave blu, Presidenti Aleksandër Vuçiç ka theksuar se fajtor për këtë sulm është Albin Kurti. Vuçiç në një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, u ka kërkuar që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Këtë deklaratë Vuçiç e ka bërë në Instagram dy ditë më parë.
Përsërita pikëpamjen e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që (Forca e NATO-s në Kosovë) KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së Kurtit. Në një nga momentet më të vështira për Serbinë, zhvillova një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it. Po ashtu kam pyetur pse (misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit) EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin e kryer në veri të Kosovës,” shkroi Vuçiç.
Por nga ana tjetër kryeministri Edi Rama po të njëjten propozim të Vuiçiç, e ka bërë ditën e sotme, gjatë një konference më gazetarët. Propozimi i Ramës për KFOR-in, ka ardhur dy ditë, pasi Vuçiç e ka bërë, gjë që sjell dyshime në lidhje me qëllimet e vërteta pas këtij propozimi.
“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi. Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia , madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe, por kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon. Këtë e kërkon situata sot, po të ishte bërë më parë nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dje, pardje, tjetër pardje”, tha ai.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.