Në fund të vitit 2023, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin me numër 790. Ky vendim bën fjalë për miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim gjatë vitit 2024. Me vendim formal u miratuan tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Në listë janë të gjitha vendimet që do të miratohen ose ato që do të dërgohen në Këshillin e Ministrave. Por, ajo që bie në sy është se viti 2024 do të jetë “viti i Cannabisit”. Në listë janë një mori aktesh të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për “Cannabisin”. Një mori zyrtarësh janë angazhuar për të prodhuar akte dhe nën\akte ligjore, pasi interesi për mbjellen e lëndës narkotike pritet të jetë i madh.
Mësohet se disa nga firmat më të mëdha në Shqipëri po tentojnë që të gjejnë partnerë ndërkombëtarë, ata që kanë përvojë, pasi ligji përcakton se duhet të kesh të paktën 3 vite eksperiencë. Eksperiencë në Shqipëri kanë vetëm grupet kriminale, ato të lidhura me Policinë e Shtetit, të cilat me ligjin e miratuar në verën e kaluar, do të licensohen.
Ministria e Shëndetësisë ka dërguar në Këshillin e Ministrave plot 6 projekt-ide për Kanabisin. E para është “Për procedurën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”. Ky është një projekt-vendim që do të dërgohet në Këshillin e Ministrave në katërmujorin e dytë. Bëhet fjalë për të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e saj në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 61/2023.
Ndërkohë, dokumenti i dytë është për përcaktimin në mënyrë të hollësishme të të dhënave parësore dhe dytësore, përcaktimin e bazave konkrete të të dhënave me të cilat ndërvepron. Do të krijohet edhe një regjistër kombëtar, niveli i aksesit të tij nga subjektet e interesuara apo publiku, përcaktimi i të dhënave që do të jenë publike si dhe mënyra e regjistrimit dhe ruajtjes së të dhënave dhe dokumenteve që përmban regjistri.
Por, nisur nga këto akte, duket se Ministria e Shëndetësisë është angazhuar totalisht për “Cannabisin”. Kështu ka dërguar të tjera dokumente, si “Për përcaktimin e standardeve të planit të sigurisë për sipërfaqen për kultivimin dhe përpunimin e cannabisit”. Ministria shkruan se plani i sigurisë është një nga kushtet për pajisjen me licencë të personave juridikë, për prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore.
Ndërkohë, do të miratojë edhe tarifat e “procedurës së pagesës së shënjimit dhe gjurmimit të bimës së Cannabis-it mjekësor dhe industrial”.
E njëjta ministri ka dërguar në qeveri edhe projekt – aktet “për përcaktimin e kërkesave për gjurmueshmërinë, rregullat për elementet, etiketën apo pullën unike të shenjimit apo forma të tjera të shenjimit, procedura dhe mënyra e shenjimit dhe gjurmimit, si dhe autoritetin apo palën e autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë”.
Dokumenti i fundit është “për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mbikqyrjen e zbatimit”. Një mori aktesh që ta bëjë garën të vështirë, duke “përjashtuar” bizneset bujqësore për t’ia dhënë ndonjë oligarku të radhës, që deri më tani ka marrë pothuajse të gjithë shërbimet apo pasurinë e Shqipërisë.
Ndërkohë, në ligjin e miratuar në verën e vitit 2023 përcaktohe se sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar. Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Kufizime që pritet të ndezin një “luftë” të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë. Licencat jepen për një periudhë 15-vjeçare, ndërkohë që kontrollohen çdo 3 vjet.