Një numër të rëndësishëm politikanësh që vijnë nga opozita ishin pjesë e ceremonisë pritëse të ish-Presidentit amerikan Bill Clinton. Dy presidentë të Republikës të zgjedhur nga opozita; si Bamir Topi e Alfred Moisiu, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, nënkryetari i Parlamentit i zgjedhur nga PD, Agron Gjekmarkaj, ish-kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj etj.
Ishte i gjithë trupi diplomatik i peshës së rëndë dhe asaj të lehtë në Tiranë. Cilësimi nga Gazmend Bardhi e protokollit shtetëror si një “festë private e Ramës”, është një eufemizëm i sforcuar që nuk ngjit. Pasi Rama është kryeministër, e çdo event publik është i institucionit, pavarësisht nëse pëlqen apo jo ata që Kryeministria ka ftuar.
Në një ceremoni zakonisht shkohet për ngjarjen, e jo nëse është njëri apo tjetri. Deri dje nuk kanë lënë rast pa e goditur apo telendisur Bajram Begajn, e në momentin që ai nuk ishte prezent dje në pritjen për nder të Clinton, e quajtën president.
Eventi i Clintonit do të prodhonte politikë, e kjo dihej, madje ende pa folur ai e Edi Rama. Pasi nga fjalimet normalisht që do të kishte lajme politike për kronikën e ditës. Siç ishte mungesa e presidentit të Republikës, ku edhe pse stafi i Begajt hapi lajmin se është për arsye shëndetësore, kjo nuk ka ngjitur shumë. E janë mjaft të paqarta arsyet e mungesës së kreut të shtetit.
Me kalimin e ditëve, sipas gjasave do të mësohet më shumë. Ndërkaq, lajm ishte mos ftesa për Sali Berishën e Ilir Metën, një qëndrim i qartë i qeverisë, që sipas gjasave do të rrisë antagonizmin mes këtyre palëve.
Por lajmi tjetër ishte bojkoti nga Gazmend Bardhi-kryetar në detyrë i grupit parlamentar të PD-së.
Justifikimi është thjesht një frazë “me la gojën”, pasi është qartësisht një bojkot politik i eventit.
Bardhi po dhe disa deputetë të tjerë pro tij, po kryejnë veprime të qarta, që pak kohë më parë nuk i kanë bërë. Madje kanë qenë ata që kanë marrë pjesë edhe së bashku me mazhorancën në takime e evente ndërkombëtare. Ishte një bojkot politik, duke afruar pozicionin, ose më mirë të themi duke ofruar një solidaritet me Sali Berishën e Ilir Metën.
Si Bardhi, apo deputetët e tjerë të grupit të tyre, mund të kryejnë betejë të fortë në strukturat e PD-së der isa t’i konsumojnë të gjitha rrugët, e nëse nuk funksionon, atëherë ata mund të zgjedhin një rrugë tjetër politike. Qoftë, duke u afruar me foltoren, por mund ta bëjnë këtë, duke imponuar që Berisha dhe të tijtë të mbyllin diapazonin e qëndrimit politik anti-SHBA, i cili po kthehet në një rreth vicioz të së djathtës shqiptare.
Pozicioni anti-amerikan nuk ka asnjë kimi brenda elektoratit të opozitës. Të vetmit që janë zemëruar me të gjithë zyrtarët e SHBA janë ithtarët personal të Sali Berishës, që nuk janë elektorat por një grup, që do t’i mbeten gjithmonë besnikë e të inspiruar prej tij.
Por bojkoti politik i Bill Clinton, është qëndrim i fortë i Gaz Bardhit, i cili është kryetar i grupit parlamentar të PD-së zyrtarisht. Natyrisht ai u përpoq të mos e konfondonte me aktin zyrtar, duke përcjellë foto në ambasadën e SHBA, ndërkohë që Bill Clinton është një qytetar privat, edhe pse ish-president dhe me influencë politike.
Por braktisja e këtij takimi nga drejtuesi i PD-së që tashmë është larguar nga partia, është një akt politik që ka dashur të identifikohet. Kur kanë me qindra raste, qoftë duke sulmuar Edi Ramën apo qeverinë në Parlament. Pra bëhen më agresiv.
Ai bojkot, është bërë vetëm për të tërhequr vëmendjen e Berishës, që t’i afrojë në foltore, e t’i kandidojë në 2025-n. Për të formuar një grup politik dukshëm të inatosur, të mërzitur dhe kundër qëndrimeve të SHBA. Pra një parti anti-amerikane në logjikën politike.